18 settembre 2012

“Drimades”,privati në zotërim plazhet e parkingjet ..

Aktualisht, fshati i Dhërmiut tërheq 25 për qind të kërkesave për leje ndërtimi, në raport me totalin e administruar nga Bashkia e Himarës, por në 5 vitet e ardhshme, mendohet që interesi për leje zhvillimi të arrijë me 45 për qind (në raport me totalin).
18/09/2012

“Drimades”,privati,në zotërim plazhet e parkingjet
Kjo është njëra anë që tregon interesin e investitorëve për këtë zonë, pjesë e perlës së Jugut. Projekti i miratuar më 1 gusht nga qeveria, për të dhënë me koncesion një vijë pranë bregdetit me gjatësi 3 kilometra nga Dhërmiu deri në Perivello (ku futet edhe zona e Drimadhes), konsiston në ndërtimin e një shëtitoreje dhe parkingu të gjatë privat, ku palmat anash rrugës do t’i japin një tjetër panoramë zonës. Ndonëse nuk pranohet hapur, duke parë projektin, bie në sy ndarja me parcela e plazheve private, anash shëtitores, e quajtur në projekt “Rruga Drimades”.

Do të jetë pikërisht pronari i ri që do të menaxhojë, në partneritet me të interesuar të tjerë, zhvillimin e zonës. Gjithashtu, me lejen e koncesionarit, në krahun tjetër të shëtitores, pranë vijës së ullishtave, mund të ngrihen njësi akomoduese apo tregtare. Sa i takon çështjes së pronarëve të truallit, qeveria pret studimin final të OSBE-së për titujt e pronësisë (jo sipas Ligjit 7501), për të mësuar njëherë e mirë se kujt i takon toka. Megjithatë, Ministria e Turizmit pretendon se pjesa që jepet me koncesion është e shtetit dhe nuk ka konflikte prone.

Duke mbetur te projekti, qeveria mund të përfitojë një tarifë koncesionare, masa e së cilës nuk është caktuar ende, kurse Bashkia e Himarës, një tarifë qiraje, plus të tjera avantazhe nga zhvillimi i zonës, duke i qëndruar prioritetit të sektorit të turizmit.

Nga projekti mësohet se hartimi i tij, pra përfundimi është realizuar në muajin janar, kurse qeveria e ka miratuar në gusht, pra diskutohej prej kohësh. Të dhëna turistike për zonën që do të jepet me koncesion gjen vetëm në projektplanin urbanistik të Bashkisë së Himarës, miratuar në muajin maj. Gjithsesi, sa i takon numrit të vizitorëve, mendohet se (të dhënat e vitit 2004) janë rreth 3000 turistë që qëndrojnë 5 deri në 15 ditë, megjithatë kjo shifër është rritur nisur nga zhvillimi i zonës në dy vitet e fundit.

Aktualisht, kapacitetet ekzistuese turistike të bashkisë përfshijnë 1200 shtretër të shpërndarë në 80 hotele dhe rreth 3000 dhoma të veçanta, sipas një vlerësimi të përafërt të bashkisë. Kjo korrespondon me një shifër prej 7200 shtretërish. Rreth 45 për qind e kapacitetit total të shtretërve të hoteleve janë të vendosura në Dhërmi dhe 25 për qind në zonën e Himarës.

“Njësia hapësinore e Dhërmiut – Gjilekut ka karakter zhvillimi me zona të reja, që kanë densitet relativisht të lartë, me mundësi zhvillimi deri në zonën bregdetare, duke përfshirë edhe dy plazhet e Dhërmiut dhe të Perivolos. Palasa është e bashkangjitur në këtë sistem. Kjo zonë ka potencial zhvillimi të kapaciteteve të turizmit dhe zonave të reja, por këtu ndeshen presione të konsiderueshme”, thuhet në planin urbanistik të Bashkisë së Himarës.

Shtylla e parë e këtij plani përfshin krijimin e infrastrukturës bashkëkohore për turizëm dhe pajisjet përkatëse, në mënyrë që të zhvillojë një ekonomi të lirë dhe krijimin e një zone si destinacion turistik, me cilësi dhe standarde të larta, e që do të tërheqë një numër të madh vizitorësh, për një periudhë më të gjatë të qëndrimit. Kjo do të sjellë të ardhura më të larta për zonën. Kjo kërkon së pari, tërheqjen dhe orientimin e investimeve private në zhvillimin e vendeve të caktuara përgjatë bregdetit. Zona e Dhërmiut, Jala dhe Himara mund të jenë të përshtatshme për këtë qëllim.

Gazeta "Shqip"

Shoqata: Koncesionet në Himarë, skandal, s’i lejojmë

TIRANE - Dhënia me koncesion për 30 vjet e plazheve të Dhërmiut dhe Perivollit përbën skandalin më të madh, pas shembjes së fshatit Jalë në vitin 2007, në Bashkinë e Himarës. Deklarata vjen nga Shoqata “Bregdeti”, e cila, në emër të komunitetit himarjot e konsideron aktin, si një ‘pushtim’ të territoreve të popullit të Himarës, në emër të zhvillimeve koncesionare. “Ne jemi të zhgënjyer, - shkruhet në deklaratë, - dhe kërkojmë transparencë nga Bashkia e Himarës, e cila deri më sot, nuk ka bërë publike gjithashtu, koncesionin e dhënë me votim unanim nga të gjithë këshilltarët e saj”. Shoqata “Bregdeti” vëren më tej në deklaratë, se i konsideron koncesionet si veprime në dëm të komunitetit himarjot, interesat e të cilit, po nëpërkëmben gjoja në emër të turizmit elitar. Sipas saj, qeveria shqiptare, e cila është bërë shërbëtore e interesave të “errëta” në drejtim të Himarës për qëllime mafioze, po nxit blerjen e pronave në bregdet, pa u ndarë toka dhe pa u bërë regjistrimi zyrtar, e cila është bllokuar nga OSBE. “Pyesim z.Kryeministër: Me çfarë titulli pronësie, Plani i Zhvillimit i miratuar nga qeveria juaj, do të zbatohet në Himarë? Mos vallë me klientë të seleksionuar, që hyjnë dhe dalin dyerve të hipotekave, gjykatave apo zyrave të regjistrimit sa herë dhe kur të duan?”, - pyet shoqata.
Mosbindje civile
Arsyeja pse jemi të indinjuar thellësisht, ka të bëjë me keqpërdorimin e bregdetit jonian, dhe pikërisht në Dhërmi-Palasë, për faktin se hapësirat bregdetare, sot bota e qytetëruar i ruan, për më tepër rërën e pashembullt të Dhërmiut, si faunë unike në rajon, e ndërtuar nga natyra dhe e ruajtur nga gjyshërit tanë në mijëra vite”.
Shoqata jep gjithashtu alarmin se në Himarë, janë ndërtuar struktura mafioze paralele në emër të “policisë private”, që kalojnë kompetencat e rendit publik, gjë që është në kundërshtim me frymën europiane të bashkëpunimit Polici - Komunitet. “Ne vërejmë me shqetësim, se persona ose pronarë, më të fuqishmit në Shqipëri, që kanë përfituar prej ekonomisë së shtetit me koncesione si ky rast, që blejnë me reklama shtypin, që vihen në dispozicion të pushteteve pozitë-opozitë vetëm për rastin ‘Himara’, po grabisin pasuritë e himarjotëve. “Ne si komunitet, kemi marrë vendimin për mosbindje civile për ligjin komunist 7501 dhe mosregjistrimit të tij, ndaj neglizhimit të Bashkisë së Himarës, e cila ka filluar regjistrimin për “hesap të interesit të mafias”, duke injoruar ndërkohë zërin e shoqërisë civile dhe grupeve të interesit”, - shkruhet në deklaratën e shoqatës.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate