12 settembre 2012

Voskopoja, për një fundjavë magjike mes artit dhe natyrës


E rrethuar mes malesh, e strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, ajo përbën një nga vendet më përrallore.
Është Voskopoja, një nga qytetet që jo vetëm ka shërbyer si muzë për shkrimtarët, apo studiues e historianë me radhë, por ka qenë dhe vazhdon të jetë djepi i kulturës
si dhe nxitjes së turistëve. Kushte të mrekullueshme, çmime të lira, ushqim i përsosur, ajër i pastër gjithçka për një ndalesë që nuk do të harrohej lehtë

Si shkohet në Voskopojë Rruga nga Tirana për në Korçë, është tashmë një itinerar i këndshëm e i rehatshëm prej pothuajse 200 kilometrash, nëpër Elbasan, Librazhd,
Prrenjas, Pogradec, e Korçë, nëpër një asfalt të rikonstruktuar plotësisht. Sapo të hyni në unazën
e re të qytetit juglindor, do të merrni djathtas, dhe pasi të ndiqni tabelën ku lexon “Voskopojë”, do të përshkoni vetëm 18 km, 10 prej të cilave tashmë janë riasfaltuar, deri në Voskop

Ajo ndodhet diku mes malesh, shumë metra mbi nivelin e detit, e strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, duke ngjallur vazhdimisht kërshëri e mister për mënyrat e saj të çuditshme të ekzistencës. Lindi, lulëzoi e u shua, duke lënë pas pikëpyetje pa fund në kokat e studiuesve, historianëve, kureshtarëve e adhuruesve të saj, për shekuj me radhë. Nga Shën Prodhomi hapet para vështrimit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Voskopoja, për një fundjavë magjike mes artit dhe natyrës Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Nga pika të ndryshme të fshatit ngrenë krye kambanaret e tetë kishave dhe manastireve të mbetura. Nëpër rrugët e qytetit të dikurshëm tingëllonin gëzueshëm e trishtueshëm kambanat eplot njëzetepesë të tillave…
Është Voskopoja, qyteti që vazhdon të nxisë shkrimtarët të shkruajnë për të, të krijojnë histori dashurie të magjishme, të joshen prej qytetërimit të saj elegant, të mahniten prej erudicionit të saj, të intrigohen prej misticizmit të saj. Shkëlqimi i saj vrasës, ishte edhe varri i saj. Asnjë perandori e errët si ajo turke nuk mund ta duronte gjatë një shkëlqim tëtillë në mes të zymtësisë së mesjetës. S’kishte për çfarë t’i duhej padijes totale një akademi, një shtypshkronjë…
për të mos folur pastaj për njëzetepesë kishat në një hapësirë aq të vogël, në mes të morisë së pafundme mbytëse të rrumbullakësisë së kupolave dhe minareve… Thonë që e krijuan vllehët, shqiptarët, grekët… diku rreth vitit tëhershëm 1330.
Lulëzimin më të madh e pati në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth tridhjetëmijë banorë. Pukëvili këmbëngulte se ishin gjashtëdhjetëmijë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndër të cilat vetëm tetë mundën t’u mbijetojnë tri shkatërrimeve. Ky qytetërim i pashpjegueshëm pothuajse në mes të hiçit ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.

Ajo u bë qyteti i lakmuar i piktorëve, që erdhën aty të derdhin talentin e tyre të ikonografisë, u bë qendra e vëmendjes e tregtarëve të kohës, si qyteti më fitimprurës e më i pasur, me një tregti të zhvilluar fuqishëm, që lidhte me njëra-tjetrën qytetet më të pasura të Europës. Aty lindi bërthama e kapitalizmit, me shenjat e para të një kulture paraindustriale, prijëse në të gjithë Ballkanin e asaj kohe. Produktet që dilnin prej saj kishin vlerën e markës autentike,
të paimitueshme, një shqiponjë, origjina e së cilës nuk mund të ngatërrohej. Qytetërimi ishte ndërtuar në mënyrë perfekte në katërmbëdhjetë korporata, që funksiononin më mire se njësitë bashkiake të kryeqytetit sot.
Elita e qytetit ishte shtresa kapitaliste, zejtare, tregtare, por edhe mësuesit e Akademisë, piktorët zbukurues, autorët e afreskeve të lakmueshme nga të gjithë. Administrimi ishte aq demokratik sa të mahniste. Çështjet zgjidheshin aq drejt sa as në Senatin e dikurshëm të Romës vota nuk kishtepasur aq shumë vlerë. Gratë visheshin bukur, siç nuk ndodhte në asnjë vend tjetër të perandorisë.
Qyteti kishte rrugë me kalldrëm, krejtësisht në contrast me vijat e pluhurta të fshatrave të humbur, ku kalonin vetëm bagëtia… Aty flitej shqip, shkruhej shqip, mësohej shqip….
Guxim i madh për t’I bërë një sfidë të tillë Portës së Lartë… Voskopoja ishte një qytet autonomqë vetëqeverisej e që dukej se nuk ishte nevojë për dorën e madhe oktapodiane të Portës. Madje ajo vetë konsiderohej një qytet “me tentakula”, për shkak të tërheqjes së madhe që kishte. Aty jetuan Davidi, Kavaljoti, Grigori, aty vinin për të të jetuar të gjithë të rinjtë e zonave përreth e më larg, se e shihnin Voskopojën si token e premtuar.
Tepër shkëlqim. Shumë dije e panevojshme që nuk i hynte në punë askujt, e sidomos sunduesve të interesuar për sa më shumë injorancë. Ishte thuajse një ishull shkëlqimtar në mes të ujrave të turbullta të mesjetës, ashtu siç shkruan edhe i fundmi i të magjepsurve, Blushi. Ishte një fenomen, thotë Plasari. Një copëz Europe në mes të obskurantizmit aziatik, shkruajnë historianët… Shkatërrimi i saj i parë erdhi në vitin 1769. I dyti, pas tridhjetë vjetësh, për të mos i lënë kohë ringjalljes. I treti pas njëzeteshtatë vjetësh, për t’u siguruar përfundimisht që brezat nuk do të mund të trashëgonin asnjë copëz të shklëlqimit të dikurshëm. Mbetën vetëm rrënojat e tetë kishave dhe tektuk ndonjë rrugëz me kalldrëm… Jo aq e pashpjegueshme, po të kihet parasysh ngarkesa e madhe shpirtërore e mistike e botës së Zotit dhe engjëjve…

Po sot?
Sot Voskopja është një fshat piktoresk, i bukur në çdo stinë të vitit. Natyra nuk ka ndryshuar, është po ajo, me rrugën që gjarpëron mes kurbave kodrinore si gjire vajzukesh. Ata që jetojnë aty, janë përpjekur të ndërtojnë një qytetërim tjetër,
gjithsesi larg atij të dikurshmit por gjithaq mikpritës. Ne erdhëm këtu për here të fundit në ditët e para të shtatorit, gjatë ditëve kur Xhunga përgatiste Shqip-in e saj të radhës. E mrekulluar edhe ajo prej të shkuarës së këtij ishqyteti, e kënaqur mes mikpritësve përprogramin e saj.

Kryetari i komunës Nexhipi, rrezaton vetvetiu një qytetari mbresëlënëse që në fakt nuk duhet të çudisë askënd. Ai na pret si miq, ashtu siç pritet çdokush që vjen në Voskopojë.
Agroni sheh me kënaqësi se si stafi i Shqip bën pregatitjet e emisionit që do të zhvillohet pikërisht në ambientet e hotelit të tij, që nuk mund të quhej ndryshe përveçse Akademia.
U bënë mëse dhjetë vjet që ai pret e përcjell miq e turistë në Voskopojë, të cilët ndoshta nuk gjejnë më asnjë pjesë të qytetit të dikurshëm, por gjejnë qytetërimin e tij.
Përvoja të reja kanë zënë vend në Voskopojë, si Agim Bulka me hotelin e tij, që është struktura më e re pritëse aty. Agimi vjen nga familja eshkrimtarit të njohur Nonda Bulka dhe ndoshta pak prej kësaj e pak sepse njëzet vjet përvojë artistike në Televizionin Shqiptar,
nuk mund të sjellin veçse dashuri për artin, ai ka dëshirë të rizgjojë vlerat e këtij vendi, duke ngritur pranë hotelit të tij një muze etnografik. Dhe do të mbledhë aty të gjitha gjurmët e mbetura që njerëzit të mësojnë për qytetërimin e djegur trefish.

Biblioteka e Voskopojës mund të ringjallet duke vendosurnë raftet e saj në radhë të parë librat e shumtë që janë shkruar për të. Dhe janë shumë, thotë Gimi, që ka filluar t’i mbledhë tashmë. Ai eka mbështetur me qejf botimin voluminoz të Prof. Stilian Adhamit “Voskopoja e Ilustruar”,
që do të jetë padyshim pjesë e fondit të bibliotekës. Voskopoja do të ketë një zyrë informacioni turistik, thotë kryetari, pasi e meriton të dihet më shumë për të. Vizitorët do të gjejnë aty çdo gjë, madje edhe guida që t’i udhëheqin përreth zonave të saj të mrekullueshme.
Kishat dhe manastiret e saj, që tashmë kurohen me dashuri nga At Thomai, tentojnë të reflektojnë pak nga shkëlqimi i dikurshëm. Voskopoja ka amvisa të mrekullueshme, fantazia e të cilave e kalon shumë herë numrin e produkteve me të cilat gatuajnë.
Me perimet e stinës ju mund të shijoni receta shumëformëshe e plot shije. Ju nuk mund të largoheni nga Voskopoja pa provuar lakrorin me dy petë, mishin e pjekur apo petullat e fshira.
Voskopoja ka një pistë skish, për të mos e lënë dimrin të jetë vetëm një kënaqësi ndanë oxhakut të ndezur, por edhe një vend plot jetë ku zhvillohen aktivitete e kampionate.
Pyjet e saj mbulohen nga veli i bardhë e kthehen në labirinthe të magjishëm ku çdokush do të humbiste me dëshirë.
Vjeshta e Voskopojës është ndër më të bukurat që mund të keni parë. Peisazhi fiton një numër ngjyrash që kthehen në një spektakël të vërtetë. E kaltra e qiellit të kristaltë, përzihet me ngjyrën e kuqërreme të pemëve dhe të gjelbrën e barit mbi lëndina,
duke ju shkaktuar një ndjesi trishtimi e kënaqësie njëkohësisht, përzierje që shkon gati-gati në lumturi. Çdo kthim koke nëpër kodrinat e saj falnjë panoramë të denjë për kartolinë. Ka më shumë se kaq arsye, për të shkuar të vizitoni Voskopojën…
Ka shumë hipoteza për ndërtimine Voskopojës, zanafilla e së cilës daton rreth shekullit XIV, nga banorë të fshatit të Voskopit, rrënuar nga dyndjet osmane. Kulmi i lulëzimit të qytetit të atëhershëm Voskopojës, shënohet në shek. XVIII,
ku ajo u shndërrua në metropol të krejt Ballkanit, e mjerisht po ky shekull ishte edhe periudha e shkatërrimit të saj. Shtypshkronja e ndërtuar në vitin 1730, ishte një nga të parat në Perandorinë Osmane dhe pati një ndikim të fortë në zhvillimin e vrullshëm kulturor të qytetit.
Në vitin 1744 ajo mori emrin Akademia e Re dhe në të mësoheshin të gjitha shkencat e kohës. Popullsia e qytetit numëronte mbi 20 000 banorë, kur edhe kryeqytetet e vendeve fqinje numëronin një populate të vogël. Kishat e manastiret, për të cilat thuhet se kanë qenë njëzet të tilla,
e rrënojat e të cilave ndodhen edhe sot në Voskopojë, madje disa prej tyre në gjendje shumë të mirë. Nga tri shkatërrimet e Voskopojës (si tri rrethimet e Krujës), kanë mbetur sot vetëm pesë bazilika e një manastir me kishën përkatëse, çka konsiderohet pasuri e rrallë, që dëshmon rrënjët e qytetërimit të shkurtër voskopojar
Nga : Flora Xhemani

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate