07 settembre 2012

Robert Budina rrëfen: 20 mijë shpirtrat e “Nave Dolce"



 07 Shtator 2012 - 12:35 Nga ROVENA RROZHANI
Nuk e imagjinoja që regjisori do të ishte aq i aftë sa të na bënte të udhëtonim për herë të dytë me anije. Kur pashë filmin mu duk sikur e bëra të gjithë udhëtimin nga fillimi deri në fund edhe njëherë tjetër” Flet Robert Budina, në ditët tona, i njohur nga të gjithë si kineast, por 21 vjet më parë ishte vetëm një student i Arteve që udhëtonte me anijen Vlora drejt Italisë për të realizuar ëndrrën e tij. Ajo kohë që dukej se kishte mbetur në kujtime rivjen bashkë me dramacitetin e një historie që ka tronditur edicionin e 69-të të Festivalit të Venecias. Minuta të tëra duartrokitje, ovacione, kritika pa fundi në shtypin italian dhe sidomos një recencë pozitive në revistën “Variety” janë jehona që shkaktoi dokumentari –film i Daniele Vicarit, një prodhim me shumë “aktorë” italianë e shqiptarë. Është koha që të gjithë të kthejnë sytë, mendjen dhe kohën tek “Nave dolce” e ëmbla anije tashmë një simbol koherent. Edhe ata që dikur lundruan me të sot reflektojnë. Robert Budina gjithashtu, në një intervistë, vetëm dy ditë pasi është kthyer nga Venecia rrëfen emocionet kujtimet dhe historinë e tij.

Budina: “Mund të them me modesti që ai udhëtimi ynë tani pas 21 vitesh e kuptova që ishte si udhëtimi i Mozesë me hebrenjtë në mes të detit. Kështu kemi ikur ne. Me imazhet që janë në film, me menyrën sesi servirën ato, është biblik dhe është aq i fuqishëm. Është një shembull energjie, dinjiteti, i këtij populli pak të vojtur siç jemi ne dhe ti e shikon në imazh atë. Sepse nuk ka mundësi që 20 mijë në të njëjtën kohë, në të njëjtën ditë, të marrin përsipër dhe të ikin në ato kushte çnjerëzore. Por aty kishte shumë besim, kishte shumë pozitivitet.

Kështu e ka trajtuar Daniele dhe kështu ka qenë e vërteta në atë anije. Unë nuk e shoh si një njollë të historisë sonë, por si një nga shembujt më gjigandë të fuqisë që kemi ne për ndryshuar gjërat. Dhe ajo ishte e tillë sepse ne ishim të mbyllur, kishim 50 vjet që donim ta preknim lirinë dhe për këtë nuk na ndalonte asgjë. Në e bëmë këtë, dhe ne e kapërcyem dhe shkuam pa asnjë të vdekur. Ky është leksion i jazhtëzakonshëm. Sa futet dikush që duhet të udhëheqë vdesin njerëz. Sa ikin njerëzit vetë arrijnë të orientohen dhe dalin tutje. Nuk na vdiq asnjë. Ne shkuam, vuajtëm, mbetëm pa bukë, u grindëm jo se deshëm ne, por sepse na futi politika italiane dhe do ta kuptoni kur të shikoni filmin. Ne ishim të vetorganizuar dhe kur ishim mes nesh kishim një energji pozitive, kur u futëm në kimi me një realitet që na refuzoi, na detyruan të bëheshim kafshë. Unë jam pak i irrituar nga fakti që ne i shohim gjërat politikisht në kuptimin që “si dukemi ne”, “Si tingëllojmë ne?” Ne dukemi për atë që jemi dhe nuk ka nevojë të dukemi ne, sepse në fund të fundit ne kemi shpirtin dhe ky shpirt njëherë është kështu e njëehrë ashtu. Ne duhet të jemi vetvetja dhe këtë filmi e kishte”.

Si u ndjetë pas fimit dhe cili ishte reagimi njerëzve në sallë?

U ktheva në kohë dhe kur mbaroi filmi mua më kapi aritmia. Aq shumë më tronditi, saqë nuk merrja dot frymë dhe mu bë terr gjithçka. U krijua një kimi me të gjithë njerëzit; me ne, me publikun, me producentët. Aty dukej që të gjithë jo e donin, por e dashuronin filmin. Mua më kapën njerëz pa fund, që më thanë se ky ishte filmi më i mirë i festivalit, më thanë producentët e indigos që bën gjithë filmat e Paolo Sorrentinos, që “ne jemi në një moment social që duhet të veprojmë dhe nuk veprojmë dot, dhe ju jeni shembulli sesi duhet të veprojmë ne. Domethënë ju vendosët që në një moment duhet të ndryshonit. Kjo na mungon ne. duke parë filmin tuaj populli italian do të mësojë sesi të ndryshojë” thanë ata . Filmi ka rritur jo vetëm të respektojë historinë ashtu siç është sepse Daniele nuk merr asnjë pozicion, nuk bën asnjë analizë, nuk interpreton por lë që të rrjedhin historitë për të ruajtur rrjedhën e saj por edhe për ta zhvilluar në kuptimin e dramës . Këto ia thashë regjisorit dhe kur mora shënimet e tij dhe i lexova më pas ai pikërisht ato kishte shënuar. Ndoshta ka menduar se unë i kam lexuar më parë.. më erdhi shumë inat.. (qesh) por kuptova se ai ia kishte vënë qëllim vetes të gjitha këto që unë I thashë. Kam parë edhe filma të tjerë të Danieles, por ky është më i miri që ai ka bërë. Pavarësisht se motohej të shtunë e të diel sepse ai po bënte “Diaz” me të cilin fitoi në Berlin.

Si ju ngjau vetja si personazh?

Nga personazhet më i keqi isha unë, më karagjozi sepse e kam treguar historinë shumë çlirët dhe komicitet… Më bëri shumë përshtypje një punëtor që fliste me një sinqeritet ë tillë që dukej sikur nuk po xhirohej fare. Pastaj kapiteni i anijes, një njeri fisnik dhe I jashtëzakonshëm që i flasin sytë. Edhe Kledi Kadiu që duke qenë vetvetja, bëhet aq i ndjeshëm saqë duket sikur kanë marrë një aktor hollivudi dhe e kanë vënë për të treguar historinë e Kledit. Është një grua, Eva Karafili, që është shumë e sinqertë në tregimin e saj. Dhe më e bukura është se ne të gjithë jemi intervistuar vec nga njëri tjetri por të gjitha dëshmitë tona korrespondojnë edhe me xhirimet që ata kishin. Ndaj tingëllonte film. Ah se harrova, edhe personazhin tjetër, policin e parë që ka kapur shqiptarë, ish shefi i policisë së Barit, që ka bërë një libër për shqiptarët. Gjithë jetën e tij I ka kaluar duke kapur shqiptarët, sa me drogë apo gjëra të tjera. Dhe sa më shumë i kapte aq shumë binte në dashuri me ta, sepse zbulonte shpirtin, se përsa e bënin dhe ku shkonin ata. Për të gjitha këto histori ka bërë një libër me një stil të lirë, të thjeshtë dhe me fakte konkrete. Dhe ai është një njeri i jashtëzakonshëm që pati gjithashtu dëshmitë e veta në film dhe që bënë shumë përshtypje në publik.

Atë ditë kur hipët në anije nuk besoj se e keni menduar në këtë këndvështrim si sot. E kujtoni atë ditë? Ishit vetëm?

Padiskutim. Unë isha me disa shokë dhe kemi ikur me ëndrrën e studimeve atje. Por duke iu kthyer kohës para ikjes, duhet të them se unë kam qenë shumë I përfshirë në politikë pas ikjeve të marsit. Bëmë rrëzimin e regjimit, bëmë zgjedhjet e para që i humbëm, por nga mënyra sesi po shkonte historia unë e kuptova që po vinim në të njëjtën skemë. U mërzita shumë dhe ika. Atëherë isha i ri, kisha forcat e mia, nuk doja ta ndërtoja jetën nga dikush tjetër, por vetë, siç desha unë. Kisha gjashtë muaj që rrija në peshkim të anijeve që do të iknin. Shkonim me shoqërinë një herë në dy-tri javë në Durrës, rrinim tre ditë atje, duke fjetur jashtë çuna e goca. Nuk më harrohet mamaja që dilte jashtë dhe shikonte apo vija apo jo, sepse e dinte që unë do të ikja. Më luste gjithmonë që të mos ikja. Domethënë dihej. Ishim në plazh tek Iliria. Unë isha me shokë dhe pamë anijen. Kemi ikur me vrap katër pesë kilometra deri tek anija. Të gjithë e prisnin atë anije. Madje Halim Milaqi thotë që i shkonin në shtëpi, e kërcënonin që të nxirrte anijen. Kjo anije erdhi me sheqer dhe nuk u shkarkua. Ne ikëm me gjithë sheqerin.

Kur hipët nuk e menduat rrezikun?

Jo vetëm që nuk e menduam, por unë kam qenë aq i gëzuar saqë nuk mbaj mend ditë më të gëzuar të jetës sime. Unë ikja nëpër natë dhe më dukej sikur po shihja filmin e jetës sime. As nuk më hahej, as nuk më pihej. Isha I eksituar dhe ky eksitim zgjati dy javë që unë mbeta pa bukë e pa rroba atje. Dhe prapë nuk më shteronin energjitë dhe luftoja të dilja. Më kapi tre herë polici teksa tentoja të ikja.

Cili ishte impakti i parë kur e patë që nuk donin t’ju linin të zbrisnit?

Ishte shumë kaotike. Nuk e perceptoje që nuk po të linin, se çfarë po ndodhte. Sepse edhe pasi u futëm ata na ndanin në grupe që të na ushqenin dhe nuk e zbuloje dot aty. Ne e kuptuam që diçka po ndodhte që nuk na futën në Brindizi. Pjesën tjetër e kuptova që ishte një përpjekje e tyre për të na sistemuar. Kur nuk e arritën dot këtë, ata na braktisën. Na lanë në stadium dhe na hodhën ujë e bukë me helikopter dhe ikën. Na bllokuan dyert dhe në fund ne i shklyem ndërsa ata u dorëzuan. 1500 veta arritën të iknin si klandestinë. Një pjesë i gënjyen duke u thënë se do i çonin në veri por në fakt i kthyen. Në fakt na vinin fjalë nga italianët që na ruanin se do të na kthenin. Ndërsa gazeta botonte që po ngriheshin kampe në Milano, në fakt po bëheshin gati kthimet. Ishte një super prerje në besë.

Ju u hodhët nga anija apo zbritët normalisht?

U hodha nga anija dhe mbeta vetëm me mbathje ndonjë javë dhe pastaj u vesha nja dy tre ditë. Dhe si unë ishin të gjihtë. Por po të më flasësh sot për vuajtje, unë nuk e mbaj mend këtë, nuk mbaj mend urinë sepse ëndrra i kapërcente të gjitha. Nuk pyeste ëndrra për këto gjërat e vogla. Mbase ai ishte udhëtimi i fundit për të ëndërruar sërish. U thye në fakt nga realiteti i tyre, sepse nuk kishte ndonjë ndryshim të madh nga shoqëria jonë, dhe ky ishte zhgënjimi im.

Pjesa e stadiumit ka qenë mjaft tragjike…

Shumë tragjike ka qenë, por ajo rrodhi si rezultat i mënyrës sesi policia veproi dhe sesi qeveria italiane vendosi. Pushteti lokal u përpoq të na ndihmonte me forcat e veta. Kur erdhi Cossiga, ata prisnin të falenderoheshin për atë gjigandizëm që kishin bërë, ndërsa ai tha se kishin të bënin me një kryetar bashkie të papërgjegjshëm. “Këta shqiptarë duhet të kthehen” ka thënë ish- presidenti Italian. Të gjithë mbështetjen e popullit italian politika e kishte sepse ishin pikërisht ata njerëz që na dhanë gjithçka, na ndihmuan, na veshën, na dhanë bukë. Personalisht për herë të parë kam kuptuar se përse duhet ndihmuar një njeri për tre muaj rresht. Politika italiane e kishte zgjidhjen, por nuk e deshi. Ata donin të na bënin shembull për t’i thënë popullit shiqiptar që nuk jeni të mirëpritur. Nuk ishte e vështirë të na mirëprisnin, ndërkohë që duke qenë njerëzit familjarë pjesa më e madhe do të kthehej. Faktikisht vetëm 1 mijë mbetën, dhe unë isha njëri prej tyre sepse vura bast me veten. Thashë: “Këta nuk më kthejnë dot”. Edhe në burg të isha futur, unë do ikja.

Si ia bëtë që qëndruat?

Unë ndihmova një barez që solli një kamion me ndihma. Pa në televizor që njerëzit po vuanin dhe me paratë e veta bleu një supermarket dhe e solli aty. Ai donte dikë që të fliste italisht. Dhe vajta unë. Aty vinin njerëz të uritur dhe njëri prej tyre më kërkoi lines. Pasi i mori të gjitha këmbëngulte të merrte edhe këtë gjë që nuk e dinte se për çfarë përdorej. Unë e pyeta nëse kishte motër apo grua dhe ai më tha që jo. Por i donte patjetër. Unë e shtyva. Kur mbaruam punë i futëm të gjitha plaçkat në një vend, ndërsa ai u fut me një thikë dhe më tha: “Ti s’do që të më japësh mua lines?”. Unë e lashë dhe ia shpjegova që nuk do t’i hynin në punë, por ai nuk më besonte. E lashë që të vidhte. Ndërkohë vajta u thashë mjekëve, të cilët kur e morën vesh u trembën shumë dhe vendosën të më nxirrnin që aty. Mora edhe tre shokë dhe dolëm me një ambulancë që nuk u ndaloi policëve dhe kishte ndezur sirenën. Dolëm dhe na lanë në stacionin e trenit. Na dhanë edhe 50 mijë lireta. Këto janë leksione të mëdha humanizmi. Njerëzit mes tyre e gjejnë gjithnjë gjuhën. Por jam tronditur nga filmimet dhe fjalët e Cossigës.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga fjalët e ish-presidentit Italian?

Fakti që i tha kryetarit të bashkisë që ishte i papërgjegjshëm e nuk mund ta falenderonte, që duhej persekutuar e dorëhequr. Ai futi ushtrinë kundër nesh. Do shihni disa pamje arkivi, kur erdhi ushtria, bllokoi derën dhe ushtarët që na qëllonin me shkopa gome. Kur i pa miku im, bashkëproducenti rumun i filmit tim, tha: “Holokausti është pak, në krahasim me atë që ata kanë bërë me ju”. Të shikoje shqiptarët e dobët dhe dy policë që iknin me vrap dhe marrin përpara 5 mijë veta. Janë pamje tronditëse.

Arritët të shpëtonit nga këto situata?

Jo absolutisht, nuk shpëtova. Ne u përleshëm si të gjithë. Njëherë na morën bukën që kishim marrë. Ishte një djalë i lagjes sime që u dukej si kriminel, por kur e mora vesh shkova dhe i futa disa shpulla e grushta dhe ia mora sërish bukën. Kur unë e rraha, të tjerët kujtuan se ne ishim grupi i ri i të fortëve dhe kështu pa dashje u bëmë edhe në klan. (qesh)

Ju mendoni se ishte një leksion nga Shqipëria për Italinë ajo që ndodhi?

Po, ne u dhamë një leksion njerëzor me të cilin ata për herë të parë na panë me simpati dhe jo si njerëz që shkuan t’i pushtonin. Ata thanë që shqiptarët na vunë në provë mirësinë dhe na nxorrën problemet që kemi. Për këtë e kemi ndihmuar shumë Italinë. Deri në atë kohë Bari kishte vetëm 1 mijë turistë, por pas vajtjes sonë atij iu shumëfishuan turistët. Vinin pa fund për të parë portin, stadiumin ku kishin ndodhur atë që kishin parë e dëgjuar. Ajo anije është simboli i emigracionit, simboli i ëndrrës që kanë njerëzit për të fituar lirinë. Një popull kaq i vogël që i dha një leksion gjithë botës. Për mendimin tim misioni ynë është mëse i arritur në të gjitha kuptimet.

Katër vjet në Itali… I bëtë llogaritë me ëndrrat?

Sigurisht që i bëra. Unë nuk lëvizja dot. I bëra dokumentat vetëm pas një viti e ca, por koha po ikte. Unë bëra çmos që të punoja në teatrin Petruceli si punëtor skene fillimisht falë një miku që më shpëtoi në stacionin e trenit. Ai bisedoi me ca miq që ranë dakord të më merrnin. Biseda u bë të enjten, ndërsa të dielën teatri u dogj. Kështu shkuan ëndrrat e mia për të bërë diçka. Ne ndryshuam imazhin për shqiptarët, në atë kohë. Ata të marsit u ndihmuan kurse nga ne u trembën dhe na shtynë. Unë shkova, gjeta, punë, erdha prapë, bëra kërkesën për leje qëndrimi, e mora, por kur shkova sërish e pashë që më iku koha për shkollë ndërkohë që kisha lënë studimet përgjysmë këtu. Erdha prapë, i mbarova dhe gjeta diçka tjetër për të kapur kohën e humbur. Hapa një fabrikë me vëllanë këtu dhe lejen e qëndrimit ia lashë në dorën policit të tragetit. Ai i çuditur më pyeti ndërsa unë i thashë që nuk e doja më. Pastaj më sugjeroi ta shisja, por unë i thashë që nuk është e ligjshme. Unë e lashë sepse nuk doja të më kthehej mendja që të shkoja prapë. Kështu që ndoshta unë nuk fitova ëndrrën time, por unë fitova një gjë shumë të madhe, fitova një dimension njerëzor që nuk e kisha para se të ikja. Ma dhanë ata njerëz atje që më ndihmuan, që bënë gjithcka për mua, që më ndryshuan këndvështrimin për botën dhe më dhanë një përvojë që asnjë shkollë nuk do të ma jepte dot. Kjo në art është super e domosdoshme. Ëndrrat nuk u realizuan, por u bënë ato lidhje që vazhdojnë edhe sot.
(Shkrimi u botua ne suplementin "FUNDJAVA" te gazetës Shqiptarja.com)(sg/shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate