21 settembre 2012

‘Ecovolis’ aktivitete në Tiranë 21-23 shtatore: Mbroni mjedisin duke përdorur biçikletat

Tiranë - Në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizjes, Ecovolis, do të organizojë një sërë aktivitetesh sensibilizuese në vend. Ecovolis, një nismë, e cila që prej një viti e gjysëm ka rikthyer biçikletën në përdorim të qytetarëve të Tiranës, do të promovojë në Shqipëri mundësi alternative të lëvizjes, në atë mënyrë që të kuptojmë se mund t’ia dalim edhe pa makinë.
Gjatë fundjavës që përfshin ditët nga 21 në 23 shtator, aktivistët e Ecovolis do të suprizojnë banorët e kryeqytetit. “Mesazhi që duam të përcjellim është se tanimë makina duhet përdorur vetëm për rastet kur mjetet e tjera të transportit nuk na vijnë dot në ndihmë. Kosto e saj është shumë e lartë si për ambientin, ashtu dhe për xhepin tonë, prandaj duket absurde të shohësh kaq shumë makina në një qytet të vogël e të sheshtë si Tirana”- thotë Ened Mato, drejtues i nismës Ecovolis, i cili beson se këtë vit përveç mesazhit java europiane e lëvizjes (Europan Mobility Week) duhet të ofrojë edhe mundësi konkrete që qytetarët të kuptojnë se mbrojtja e mjedisit është çështje që na takon të gjithëve.
Për të gjithë qytetarët që atë fundjavë do të dorëzojnë në mënyrë simbolike por edhe konkrete çelësat e makinave të tyre pranë stacioneve Ecovolis, për ata do të ketë një abonim falas vjetor për përdorimin e biçikletave Ecovolis në qytet. Organizatorët sqarojnë se, megjithëse në dukje, absurde, kjo kërkesë u bëhet qytetarëve me qëllim tu rikthejë ata atë kohë, liri e kënaqësi, që e kanë humbur nëpër trafikun frymëmarrës të Tiranës, e cila, kur e përshkon me biçikletë, nuk të duket dhe aq mbytëse, përkundrazi.
Në stacionin e Ecovolis pranë Parkut “Rinia” dhe në stacionin e Rrugës së Elbasanit, pedaluesit do mund të lyejnë gomat e biçikletave me bojra fosforeshente në atë mënyrë që të lenë gjurmët e tyre të shndritshme nëpër rrugët e qytetit, një formë artistike dhe e mençur kjo për të na kujtuar bukurinë por edhe të mirat shëndetësore që të fal pedalimi. Kjo është një mënyrë simbolike për të treguar se biçikleta duhet të ketë vendin e saj të pamohueshëm në rrugët e qyetit, jo vetëm si mjet ekologjik ose argëtues, por mbi tëgjitha, në këto kohë të vështira, si një mjet kursimi aspak indiferent.
“Në konceptin tonë, përdorimi i mjeteve të transportit publik nuk duhet parë vetëm si një mënyrë për të reduktuar ndotjen mjedisore në qytet, por duhet të fillojmë ta konceptojmë edhe si metodën për të kursyer kohë, energji, stres edhe para. Biçikleta nuk duhet të jetë mjeti i të varfërve. Ai është mjeti i qyteteve të zgjuar dhe të kulturuar”, thotë Ela Hyseni, aktiviste e Ecovolis. Ndotja e Tiranës është një realitet i pamohueshëm, por gjurma e makinave nëpër qytet prek nivele të konsiderueshme edhe në financat e qytetit dhe të secilit prej nesh. Nuk bëhet fjalë vetëm për karburantin apo shërbimet e automjeteve që prekin shifra të papërballueshme shpesh herë, por edhe për kostot mbi shëndetin.
Nga një sondazh në nivel europian rezulton se përdoruesit e dyrrotakut rrezikojnë 40% më pak të vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare apo nga obeziteti dhe 40% më pak të shpenzojnë shuma të rëndësishme për kurimin e tyre. Surprizat, sidomos për frekuentuesit e jetës së natës do të kulmojnë me aktivitetin “Bicycle for Beer”. Në bashkëpunim me tre lokale të njohura të kryeqytetit: “Si n’shpi”, “Radio”, “Birra Stela” Ecovolis do t’u mundësojë pijen e parë falas të gjithë atyre që do i frekuentojnë këto lokale me biçikletë. Pra të gjithë ata që në këto lokale do të shkojnë jo me makinat e tyre, por me biçikleta, atëherë do të mund të konsumojnë birrën e parë falas, me shpresën se do ngrejnë një dolli për një Tiranë më të bukur, të sigurtë dhe të shëndetshme.
/IDEA/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate