Written by Flora Xhemani
on Monday, 03 September 2012
Të
flasësh për detin në të hyrë të gushtit, kur koha është akoma e nxehtë,
por vera po mpaket e nuk e ka më joshjen e korrikut, është njësoj si të
duash të kapesh pas kujtimeve të bukura, për të provuar sadopak
ndjesinë e magjishme që të kanë lënë kur i ke jetuar. Dhe vetvetiu në
mendje të vjen nëpër mend ndonjë plazh me rërë të butë e të zgjohet
dëshira për të shëtitur buzë tij. Një plazh i tillë “përkedhelës”, është
Spilleja, në bregdetin e Kavajës. Për të shkuar në Spille, ju duhet të
merrni në të djathtë të superstradës Kavajë-Rrogozhinë, aty ku nën
infrastrukturën e rregulluar tashmë, ju orientojnë tabelat rrugore dhe
turistike.
Vija
bregdetare e Spillesë, është e gjerë, nga pesëdhjetë, në dyqind metra
gjerësi dhe disa kilometra e gjatë. Rëra e plazhit, nuk është thjesht
qetësuese, ajo është edhe mjaft kuruese dhe shumë pushues vijnë aty
vetëm për të. Deti shtrihet pafund në pjesën jugore, deri në
grykëderdhjen e Shkumbinit, ndërsa në veri, ndahet me Plazhin e
Gjeneralit. Plazhi ranor përfundon pikërisht në veri, aty ku pastaj
vazhdojnë brigjet e përziera të plazheve që vendasit e quajnë Guri i
Lëmutë (i lëmuar), Plazhi i Gjeneralit, Gjiri i Forsilukut etj.
Megjithëse në verë tashmë Spilleja popullohet shumë, për shkak edhe të
rregullimit të rrugës, hapësira është aq e madhe sa ka vend të lirshëm
edhe për ata që duan të rrinë mënjanë, e të mos përzihen me njerëzit e
shumtë. Ndarja e masivit të pyjeve, me hapësira të vogla boshe, ku
përrenj të vegjël çajnë përmes fushës e derdhen në det, krijon mundësinë
që të zgjidhni vendin tuaj të preferuar. Në plazh nuk ka zhurma
ekstreme, nuk ka disko me altoparlantë shurdhues, ka vetëm përplasje
dallgësh dhe zhurma ere që futet mes pishave. Tek-tuk, bare të vegjël,
larg njëri-tjetrit mund t’ju ofrojnë në hapësira modeste pije e birrë të
ftohtë, ose ndonjë produkt zgare. Luli është ndër të parët që ndërtoi
hotelin e tij në Spille. Vitet e gjata në emigrim, puna e tij si
ndërtues (bashkë me dy vëllezërit e tjerë Paridin dhe Petritin, kanë
ngritur një kompani ndërtimi në Itali), dhe përvoja në perëndim, kishin
pjekur kushtet për të hedhur themelet e para të turizmit, duke filluar
nga më e rëndësishmja; mikpritja. Hoteli hodhi shtat shumë shpejt, ata
ishin ndërtues me përvojë dhe nuk u duhej shumë kohë për këtë, dhe që në
fillim shumë miq të tij të huaj, e përgëzuan, madje erdhën ta vizitojnë
në Shqipëri. Tani, ai çdo vit vjen në fillim të verës, e largohet në
fund të shtatorit. Përvojën e kuzhinës mesdhetare, e italiane, e ka
përshtatur në restorantin e hotelit, duke e gërshetuar me gatimet
tradicionale, për cilat nuk duhet të shkojë shumë larg; e ëma gatuan pa u
lodhur, për të gjithë pushuesit që e porisitin se për drekë duan
perimet e stinës në furrë, ndonjë pulë fshati apo byrekë të ndryshëm, që
ajo i “qan”, siç i thonë edhe pushuesit. Në oborrin e hotelit është një
parajsë e vërtetë e gjelbëruar, ku ta ka ënda të rrish edhe gjatë ditës
për të larguar vapën, por edhe mbrëmjeve të freskëta. Për
efekt edhe të përvojës në Itali, hoteli është pagëzuar me emrin “Tre
Fratelli”. Por nëse doni alternativa të afërta, rreth e përqark
Spillesë, mund të eksploroni plazhet që ju përmendëm më sipër, gjiret e
Plazhit të Gjeneralit, Falezën e Bardhorit, unike në Shqipëri, si një
monument natyre, Gjirin e Forsilukut, Plazhin e Carrinës, ku kilometra
të tëra shkëmbinjsh konglomeratikë hyjnë e dalin nëpër det, duke krijuar
thyerje të mrekullueshme. Ju këshillojmë ju që jeni koleksionistë, të
vishni një palë atlete e të shpenzoni pa u lodhur kohën e bollshme të
ditës akoma të gjatë, për të pasuruar koleksionet tuaja me zaje të të
gjitha ngjyrave, të shijoni bukurinë e “gurëve me xixa”, copëra
shkëmbnjsh me forma nga më të mahnitshmet, guaska të rralla, kuaj deti,
rrënjë shkurresh që duke u lëmuaj prej ujit të detit që i rreh
vazhdimisht, marrin forma të çuditshme zogjsh e kafshësh. Bota e pasur e
nënujit, e soditur me një palë syze të thjeshta e me një tub, do t’ju
falë kënaqësi të pamasë. Alga të shumta e të shumëllojshme, leshterikë,
copëra shkume deti, kërminj, oktapodë, gaforre të vogla e të mëdha,
gjthçka poshtë e ndanë ujit, do të pasurojë syrin dhe shpirtin tuaj. Po
deshët turizëm kulturor, lëreni pas Spillenë dhe dilni në rrugën
kryesore, të vizitoni kalanë e Bashtovës, aty ku tashmë komuna Gosë, në
bashkëpunim me ente të ndryshme kulturore apo ministrinë e kulturës, nuk
lë rast pa festuar e mbledhur njerëz të interesuar, për të promovuar sa
më shumë këtë monument kulturor mjaft interesant, pjesë e trashëgimisë
së fisit të Matrëngajve. Arbëreshët e këtij fisi e ndërtuan këtë kala në
mes të fushës, edhe si një fortifikatë por edhe si një qendër banimi të
shekullit XV. Ja pra se si ju që doni pushime, të cilat nuk janë vetëm
det, ose jo vetëm thjesht det, mund të vini e të zbuloni një e nga një
segmentet e bukura të plazheve të Shqipërisë, të cilat kanë zbuluar
mjaft kilometra të vëna në dispozicion të popullimit, urbanizimit e
teknologjisë, por gjithsesi ende ruajnë të paprekura me fanatizëm shumë
bukuri e të fshehta të natyrës. Ato ju presin juve, që të shkoni t’i
zbuloni e t’i shijoni.
http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/destinacione/item/spilleja-miresevini-aty-ku-deti-flet-me-gjuhen-e-zogjve
http://www.albaniantravel.info/AlbanianTravel/destinacione/item/spilleja-miresevini-aty-ku-deti-flet-me-gjuhen-e-zogjve
Nessun commento:
Posta un commento