12 settembre 2012

Borshi – një det me histori dhe kroje zanash…

Nga shqip.al
 Të gjitha sa do ju thami më poshte, besojmë se mjaftojnë që t’i kushtoni Borshit një apo dy ditë nga pushimet tuaja, nëse për të pushuar keni zgjedhur Sarandën. Borshi është jo vetëm kufiri mes Vlorës e Sarandës por edhe kufiri mes reales e ireales, të lashtës e modernes, butësisë dhe ashpërsisë, blusë së detit dhe të gjelbrës së malit… gjithçka që do t’ju bënte të lumtur, nëse kjo lumturi do të varej nga e bukura.
Po të themi se e njohim Borshin, me siguri kemi parasysh atë hapësirën e pamatë blu që të shfaqet para syve në të djathtën e xhamit të makinës, sapo ke kaluar edhe kthesën e fundit të Qeparoit. Por ta njohësh shumë mirë Borshin, duhet sigurisht më shumë se kaq.
Në vetvete Borshi është një vend i pasur me histori – ai akoma ka një kala në gjendje shumë të mirë që dëshmon për rrënjët e tij të hershme – dhe gjurmët e tij të ekzistencës shtrihen shumë thellë, gjë që e bën të vlefshëm jo thjesht si një destinacion të freskët pushimesh por si një pikë të mirëfilltë turistike që ka se ç’tju ofrojë

Në fillim ishte deti
Gjiri i mrekullueshëm disa kilometra i gjatë, nuk na mahnit vetëm neve që shkruajmë për të, ai le pa fjalë çdo vizitor, i huaj apo vendas qoftë ai. Nuk ka një njeri të vetëm që të ketë shkelur plazhin me zaje të bardhë të Borshit e të mos ketë thënë të paktën : – “Çfarë mrekullie…!” Bukuria akoma e virgjër e plazhit, fton vazhdimisht pushuesit e verës të kridhen në ujrat e pastra të Jonit, të shijojnë një koktejl në baret e vegjël ekzotikë të plazhit, të ulen e të bisedojnë me banorët që hapin bujarisht shtëpitë e tyre për miqtë e verës, me nga një gotë raki apo verë përpara…
Krah shtëpive të pritjes që janë të gjitha në dispozicion të pushuesve, po ngrihen edhe hotele të vegjël shumë të këndshëm, sepse ky plazh ka shumë vizitorë, ata duan të pushojnë bukur dhe kërkojnë tashmë çdo ditë e më shumë…

Por ishte edhe Ujvara, ose burimi i zanave…
Të gjithë keni ndaluar të freskoheni në atë lokalin e këndshëm buzë rrugës për në Sarandë, ose kur ktheheni nga Saranda, poshtë këmbëve të të cilit zbret me zhurmë një burim i fuqishëm nga rrugë të shumta. Ky burim quhet Ixuari i Borshit dhe është një nga 697 monumentet natyrore të Shqipërisë. Burimi zbret nga lart, ku ndodhet ujvara e fshatit, e cila përveç bukurisë së rrallë që i
ka falur vendit, i shërben edhe dobishëm banorëve për ujin e kulluar që ka. Sot më së miri ky vend është kthyer në një pikë të vërtetë pushimi, ku mund të pini një freskuese të ftohtë akull, të shijoni kuzhinën e vendit, prodhimet italiane apo edhe gatimet shqiptare.
Klajdi, i zoti i këtij vendi pohon jo pa njëfarë krenarie se do ta shndërrojë këtë vend shumë shpejt në një destinacion të vërtetë turistik, duke pasur parasysh bukuritë e shumta të zonës.
“Njerëzit nuk duhet të vijnë këtu thjesht për të ngrënë, apo për një pije freskuese, për të marrë forca për udhëtimin e gjatë që i pret. Ata duhet të ndalen këtu për më gjatë, të ngjiten lart, të vizitojnë kalanë, ujvarën, fshatin e vjetër’ – thotë ai duke treguar me dorë lart, ku ndodhet kalaja. – “Sivjet këtu u organizua prej nesh panairi i pranverës. Të gjithë të ftuarit erdhën, doli një festë shumë e bukur. Përse të mos e kthejmë në një traditë? Këtu ke pse vjen. Ne do të vendosim një stendë në mjediset e lokalit, me produkte turistike, kartolina me pamje nga vendi, broshura informuese për Borshin, gjithçka që do t’i bëjë vizitorët të kthejnë sytë nga ne. Nuk mjafton vetëm të thuash që Borshi është i bukur, duhet edhe t’ua tregosh të tjerëve këtë”.
Klajdi në fillim e nisi nga vetja. E rikonstruktoi plotësisht restorantin, me qëllim që t’u ofronte klientëve një shërbim më të mirë. Pastaj i vuri theksin shërbimit. Klienti duhet pritur me dashuri e përkushtim. Ai duhet të shijojë këtu çdo gjë, edhe bukurinë e ambientit, edhe freskinë edhe gjelbërimin e rrepeve shekullore, edhe shërbimin e mirë. Vetëm kështu do të çlodhet vërtet. Pastaj mund të kërkojë më shumë, por edhe këtë do ta kërkojë vetëm nëse e merr vesh që ne e ofrojmë.

Kalaja e Borshit
Ajo quhet edhe “Kalaja e Sopotit” ose “Kalaja e Grekut”, dhe sipas studiuesve, e ka zanafillën diku në shekullin e XII-të. Është përdorur për qëllime lufte a fortifikimi deri buzë shekullit XIX-të. I fundmi sundimtar i saj ishte Ali Pashë Tepelena, ndoshta sepse për vlerat e shumta që kishte si strateg, e konsideronte këtë kala një pikë të fortë mbështetjeje buzë Jonit, me Korfuzin përballë, që mund ta vëzhgonte si në pëllëmbë të dorës.
Kalaja është ndërtuar mbi rrënojat e qytetit antik të periudhës së lashtësisë, i cili atëherë quhej Meandria. Gjurmët e qytetërimit tregojnë se vendi është vlerësuar nga banorët e atëhershëm, që vendosën të ngrenë aty vendbanimet e tyre, gjë që e bënin vetëm kur ishin të sigurt për pozicionin e favorshëm gjeografik të zonës. Muret rrethuese të qytetit ishin shumë të gjatë e të fortifikuar. Ato rrethonin të gjitha ndërtesat urbane të atëhershme, duke u dhënë siguri banorëve nga pushtuesit.
Në kohën e pushtimit turk, në kala u ndërtua një xhami, gjurmët e së cilës kanë mbetur ende edhe sot, kur kalaja ruan një gjendje shumë të mirë dhe është plotësisht e aftë të tregojë historinë e saj. Nga pika të ndryshme të kalasë, mund të shijoni panoramat e papërsëritshme të Jonit, që do t’ju lënë pa frymë.
 
Muzikë live në plazh
Vitet e fundit muzika live është spostuar ndjeshëm në bregdet kur bëhet fjalë për verën. Dhe nuk kishte si të bënte përjashtim plazhi i Borshit. Dj të shumtë vijnë në diskot verore që argëtojnë pushuesit e shumtë dhe luajnë muzikë përgjatë të gjithë natës. Besojmë se nuk ka mënyrë më të mirë për të mbyllur ditën sesa të freskohesh nën tingujt e muzikës, me një pije përpara e me valët e detit që të shushurijnë në vesh.

Një vizitë në Borshin e vjetër
Por mund ta organizoni edhe ndryshe ditën. Vishni një palë atlete, ose sandale praktike, pantallonat e shkurtra, një bluzë pambuku për djersën, mos harroni çantën e shpinës ku patjetër duhet të ketë ujë, dhë nisuni lart burimit, për tek fshati i vjetër. Gjurmët e fshatit ndodhen mbi një shkëmb në lartësinë 300 m mbi det. Do të kënaqeni duke shijuar vlerat e ndërtimeve karakteristike, të gjitha në gur, ku nuk mungon fantazia dhe prakticiteti. Ky sigurisht është i njëjti itinerar që ju rekomandojmë edhe për të vizituar kalanë. Nuk është keq të merrni një informacion më të saktë te Ujvara, ndonëse rruga është e lehtë për t’u gjetur. Gjithsesi mirë është të takoheni me djemtë e Ujvarës, sepse aty mund të ktheheni për të ngrënë drekë.
 
Lugina e Borshit
Lugina e Borshit është një nga vendet më të bukura e më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Ajo fillon në Qafën e Dërrasës, që e lidh me luginën e Shushicës. Është e gjatë 12 km dhe e zhvilluar përgjatë shkëputjes mbihipëse të gëlqerorëve mbi flishin. Shtrihet nga niveli i detit deri në rreth 500 m. Dallohet për energji të madhe të relievit dhe pjerrësi të ndjeshme të shpateve. Në afërsi të Borshit ngushtohet shumë sepse ndërpret gëlqerorët. Pas këtij ngushtimi hyn në fushën e Borshit. Edhe kjo fushë është formuar nga prurjet e shumta të ngurta të lumit të Borshit, të cilat kanë mbushur gjirin e dikurshëm detar. Peizazhet e mrekullueshme janë të shumta, ato do t’ju mahnisin në çdo stinë e jo vetëm gjatë verës. Në luginën e Borshit shtrihet edhe plazhi i tij i kristaltë. Në këtë zonë gjejmë edhe një tjetër monument natyre të Shqipërisë që quhet Shkëputja tektonike e Borshit. Në gjuhën gjeografike kjo shkëputje quhet e llojit shtytje.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate