Banesa Kikino në Gjirokastër"Prej vitesh ishin mbuluar nga shtresa të trasha gëlqereje në shtëpinë e shpallur monument i kategorisë së parë. Dy skulpturat që datojnë më 1825-n, janë gdhendur në gur dhe janë pikturuar me ngjyra. Specialistja e Institutit të Monumenteve, Edlira Çaushi, shprehet se është një shembull i rrallë i dekorimeve artistike"
Engjëll Serjani 24 Shtator 2012
Banesa Kikino
Banesa Kikino përbën një vlerë të rrallë të trashëgimisë kulturore kombëtare, shpallur dhe mbrojtur si monument i kategorisë së parë. Ajo ndodhet në lagjen Manalat të qytetit të Gjirokastrës dhe është e tipit “me një krah”, por që në vlerat e origjinalitetit të saj ajo shquhet edhe për pikturat murale të eksterierit. Qysh në hyrje të banesës, të bën përshtypje porta e madhe prej guri, harku i së cilës është i dekoruar mjaft bukur me elemente të ndryshme dekorative, floreale, peshq dhe motive të tjera zoomorfe. “Pikturat murale që dekorojnë muret e eksterierit shtrihen në të gjithë fasadën ballore të banesës, por më interesantet ndodhen në pjesën e harqeve që mbahen nga kolonat në katin e sipërm të saj, si dhe në fasadën veriore të zonës së çardakut. Në këtë vepër komplekse arti gjejmë dy datime të ndryshme të pikturimit të saj. Njëra fazë përkon me vitin 1825 dhe tjetra e mëvonshme me 1833-shin”, thekson Çaushi. Këto piktura paraqesin një interes të veçantë, jo vetëm për nga ana kompozicionale e tyre, por edhe për nga tematika që ato paraqesin. Në regjistrin e sipërm të saj, thotë Çaushi, paraqiten figura shpendësh të llojeve të ndryshme, dekorime floreale, si dhe elemente të ndryshme të peizazhit. Ngjyrat janë të gjalla dhe të freskëta, ku mbizotëron jeshilja, e verdha dhe vishnja. Figurat, nga ana e tyre, paraqiten të pikturuara thjesht, me një stil paksa naiv dhe jo të proporcionuara mirë dhe ku dallohet fare mirë dora e një “artisti” amator. Po kaq interesant, për piktoren restauruese, paraqitet edhe regjistri i mesëm, ku dallohet qartë një skenë e një rreshti të gjatë burrash të armatosur me pushkë në sup dhe shpata të gjata në brez, që nisen për në luftë. Ata janë të veshur me kostume kombëtare të krahinës dhe vargut të gjatë të tyre, ku shquhen disa luftëtarë që kanë hipur mbi kuaj dhe u paraprin një luftëtar prijës me fustanellë e me flamur të kuq në dorë. Kjo skenë i përket gjithashtu fazës së pikturimit në vitin 1825. “Zona e poshtme e kompleksit të pikturave murale të eksterierit të banesës së Kikinove, pjesë e cila ka dalë në dritë vetëm në vitin e kaluar, pasi, sikurse theksuam më lart, ka qenë e mbuluar me gëlqere, paraqitet vetëm me motive floreale. Ato kompozicionalisht janë të organizuara mjaft mirë dhe të pikturuara me ngjyra të forta, jeshile, të kuqe, të verdha, vishnje e bojë qielli”, përfundon Çaushi.
Restauruesit e rinj
Restauruesit e rinj të kampit ndërkombëtar të organizuar nga “Trashëgimia kulturore pa kufij” (CHwB), janë angazhuar në restaurimin e banesave gjirokastrite. Drejtuesja e kampeve ndërkombëtare të restaurimit, boshnjakja Lejla Haxhiç, thotë se historia e zbulimit nisi nga vetë administratori i banesës Kikino, i cili kishte kërkuar një ndërhyrje nga restauruesit e rinj të kampit të tetë ndërkombëtar të restaurimit, që u organizua në maj të këtij viti. Ai u kërkoi që ata të çlironin afresket nga shtresat e shumta të gëlqeres që i kishin mbuluar plotësisht dhe ndërhyrje në konsolidimin e pjesëve të shkëputura të suvasë së pikturuar. Kësisoj, gjatë kampit të nëntë të restaurimit, vazhdoi puna me restaurimin e kolonave të çardakut të kësaj banese, të cilat ishin shumë të dëmtuara në pjesën e poshtme të tyre, si dhe të deformuara nga ndërhyrje të mëparshme jo korrekte, duke rrezikuar kështu shembjen e tyre, si dhe afresket me vlera që ndodheshin në pjesën e suvatuar mbi to. Njëkohësisht u punua edhe për konsolidimin e suvasë së pikturuar që kishte pësuar shumë dëmtime, si pasojë e lëvizjes së kolonave dhe rrezikonte të shembej. “Në kampin e 10 të restaurimit nga ne dhe IMK-ja, parashikohet të pastrohet e gjithë sipërfaqja e afreskeve nga papastërtitë e depozituara në to gjatë viteve, si dhe do të diskutohet me specialistët e IMK-së për mundësinë e rifreskimit të kontureve dhe ngjyrave për t’u risjellë kështu bukurinë e tyre autentike”, përfundon drejtuesja e projektit, Lejla Haxhiç.
Opinion
Emin Riza: Pse banesa Kikino është origjinale
Sipas studiuesit të njohur të banesës gjirokastrite, prof. Emin Riza, banesa e Kikinos, e ndërtuar në vitin 1825, paraqet disa veçori dhe origjinalitete si në aspektet e zhvillimit kompozicional arkitekturor, ashtu edhe në disa elemente të zhvillimit të saj strukturor dhe funksional. Ndërsa për sa u takon aspekteve që lidhen me dekorimin e jashtëm, prof. Riza, në studimet e tij për këtë banesë, shkruan: “Në planin e dekorimit të jashtëm, banesa përbën një nga shembujt më të pasur. Këtu, në radhë të parë, duhet theksuar punimi i kornizës që përshkon dy ballët e kameries, si dhe sipër arkadave të ballit të çardakut, i cili paraqet një rast shumë të rrallë”. Origjinaliteti i dekorimit dhe pikturave murale në banesën Kikino, sipas prof. Rizës, është mjaft i pasur dhe përfshin krejt ornamentikën e njohur bimore të saj, skenat nga jeta e përditshme të faqes së jashtme që sheh nga tarraca e kameries. Ka shumë mundësi, nënvizon studiuesi i njohur Emin Riza, që edhe balli i odës së miqve, që është tjetërsuar kohë më parë nga familja, të ketë pasur dekoracione të tilla.
Viti 1825
Në banesën Kikino, kjo vepër komplekse arti, gjejmë dy datime të ndryshme të pikturimit të saj. Njëra fazë përkon me vitin 1825 dhe tjetra e mëvonshme me 1833-shin
Nessun commento:
Posta un commento