TIRANË, 23 Korrik/ATSH/-Udhëtarët italianë që do të vizitojnë këtë vit Shqipërinë kanë në dispozicion një mjet të ri dhe praktik orientimi, udhërrëfyesin e sapobotuar turistik ‘Tirana e Albania’.
I hedhur në treg nga Morellini Editore, udhërrëfyesi gjendet në libraritë kryesore të Italisë, por mund të blihet edhe online, në portalet e shitjes së librave.
Ai është punim i dy autorëve, antropologut italian Francesco Vietti dhe e gazetarit shqiptar, drejtor i Qendrës së Kulturës Shqiptare në Torino, Benko Gjata. Përmban mbi 180 faqe me informacione për historinë, kulturën, gjeografinë dhe klimën e Shqipërisë e mbi të gjitha përshkrime të detajuara të itinerareve dhe destinacioneve kryesore turistike, si edhe shumë të dhëna praktike, të dobishme për vizitorët.
“Guida është fryt i bashkëpunimit mes meje dhe antropologut Francesco Vietti. Të dy kemi punuar gjatë në fushën e turizmit këto vitet e fundit, në kuadër të disa projekteve, në Itali dhe Shqipëri. – tregon Benko Gjata, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe kemi vënë re një rritje të rëndësishme, cilësore dhe sasiore, të ofertës turistike shqiptare, që përkon me rritjen e numrit te vizitorëve të huaj. Ndër këta të fundit, italianët përbëjnë një prej grupeve kryesore, falë afërsisë gjeografike dhe vëllimit të lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
“Pavarësisht kësaj, në Itali nuk kishte ende një udhërrëfyes të mirëfilltë turistik të përditësuar, të realizuar enkas për lexuesin italian. Botimi i fundit i këtij lloji i përkiste vitit 1940, pra periudhës së pushtimit italian të Shqipërisë! Në këtë kontekst lindi ideja e realizimit të një guide të posaçme kushtuar vendit tonë”, shprehet ai./a.gegvataj/http://www.ata.gov.al/tirana-e-albania-udherrefyesi-me-i-ri-per-turistet-ne-librarite-italiane-146541.html
Nessun commento:
Posta un commento