23 luglio 2014

Saranda joshëse jo vetëm për pushuesit shqiptarë

foto 1Ditëve në vijim do tu njoftojmë për pushimet e sivjetme verore në rivierën shqiptare, filluar nga Shqipëria jugore. Më konkretisht nga qyteti i Sarandës, njërës nga 450 perlat e gjerdanit bregdetar shqiptar.  Ndryshe, qyteti i  Sarandës njihet edhe si «Porta e Shqipërisë Jugore». 
Rexhep RIFATI
Pa dashur të lëshohemi në lashtësinë e këtij qyteti, që nga dita në ditë po shndërrohet në një qytet modern dhe shumë të zhvilluar turistik, kësaj radhe do të ndalemi tek ajo pjesë që ndërlidhet me pushimet e sivjetme verore. Përndryshe, Shqipëria, përgjithësisht, tashmë është renditur si destinacioni i katërt turistik në botë për vitin 2014 nga e përditshmja e njohur amerikane, «New York Times». Por portali ynë: Dialogplus.ch, do të përpiqet që tu ofrojë lexuesve sado pak njohuri për verën e sivjetme turistike në disa nga pikat jugore të rivierës shqiptare.
Turistë nga shtetet skandinave deri tek ato ballkanike 
Një nga plazhet e Sarandës që administrohet nga bashkia e qytetit
Tri – katër ditët e fundit që kaluam në plazhet e këtij qyteti piktoresk, arritëm të shënojmë përmes objektivit disa  imazhe që vetvetiu flasin për bukurit joshëse që ka ky qytet, që gjithnjë e më tepër po e tërheq vëmendjen e shumë turistëve jo vetëm shqiptare nga trojet etnike e mërgata, por edhe të mysafirëve nga vendet e ndryshme evropiane , duke filluar nga shtetet skandinave, për të përfunduar tek ato ballkanike. Kjo  po shihet edhe këto ditë të ngrohta korriku, me një temperaturë të përballueshme, pasi që Saranda tash më është bërë një destinacion edhe për shumë turistë të huaj, jo vetëm shkaku i ujit tejet të kthjelltë të detit Jon, por edhe të natyrës së mrekullueshme, si dhe për vlerat e rralla historike dhe arkeologjike që ka qyteti me rrethinë.
Që të gjitha këto bien në sy që nga mëngjesi deri në mbrëmje, si në plazhet e vogla të qytetit ashtu edhe në shëtitoren e bukur që ndan plazhin prej pallateve moderne. Ndërsa lokalet e shumta që ofrojnë ushqime, përmes një kuzhine gjithnjë e më të avancuar, që për xhepin e të huajve është një çmim ende i volitshëm, krahasuar me qytetet bregdetare të Evropës Perëndimore.
Shëtitorja që ruan emrin e lirikut tonë të madh 
foto 2
Shëtitorja kryesore përball plazhit të qytetit, rrugë kjo që mban emrin e lirikut tonë të madh, Naim Frashëri, ofron një kënaqësi të veçantë jo vetëm me ajrin e freskët që vjen nga deti, por edhe me kulturën e shëtitësve të saj, që për dallim nga shumë mjedise tona, tërë bisedën gjatë korzosë e bëjnë në heshtje, si me dashtë që të mos ia prishin qetësinë valëve të detit. Tavernat e restoranteve janë zakonisht përplot mysafirë, sidomos ajo e restorantit me atraktiv «Limani», ku në mbrëmje është vështirë të gjesh një vend të lirë.
Ajo që bie në sy, por që dëgjojmë nga vendasit, është se nga viti në vit po shtohet interesimi (jo vetëm i shqiptarëve) për blerjen e apartamenteve brenda dhe jashtë këtij qyteti.
Blerës nga të huajt janë kryesisht shtetas suedezë dhe norvegjezë, vende këto që kanë shumë pak ditë me diell, ndërsa që Saranda paraqet zonën më të ngrohtë të Shqipërisë, pasi në te mbizotëron një klimë tipike mesdhetare, pasi   temperatura mesatare vjetore (sipas një guide që i ofrohet vizitorëve) është  16-17 gradë C, ndërsa mesatarja e muajit më të ftoftë sillet nga 10-12 gradë celsius. Kjo  klimë butë e bënë këtë qytet krejt të veçantë në krahasim me pjesën veriore të Shqipërisë apo përgjithësisht me trojet shqiptare.
Plazhe të vogla me gjuhë të shumta! 
foto 3
Pranë një skulpture në rrugën,«Naim Frashëri”»
Se si po e tërheq Saranda interesimin e shqiptarëve nga mërgata, por edhe të mysafirëve të tjerë joshqiptarë, kjo bie në sy çdo ditë edhe në plazhet e këtushme , ku dëgjon pushuesit duke folur në gjuhë të ndryshme, e kur kësaj i shtojmë edhe të folmen e shumë fëmijëve shqiptarë nga mërgata në gjuhë të huaj,  varësisht se ku punojnë dhe jetojnë prindërit e tyre, na del se një pjesë e mirë e mysafirëve komunikojnë në gjuhë të huaje.
Banesa të shumta dhe një kuzhine më e avancuar 
Aktualisht shumica e pushuesve janë vendosur nëpër banesa private, ku çmimet nuk dallojnë nga qytetet tjera turistike të Shqipërisë. Përgjatë tërë rrugëve të qytetit janë v arë njoftime për banesa të lira apo edhe pronarët e banesave përgjatë rrugëve me pllakate në dorë ftojnë mysafirët për tu vendos me qira në banesat e tyre. Zakonisht çmimet e  një dhomë sillen nga 20- 30 euro, ndërsa që në hotele varësisht nga kategoritë çmimet shkojnë edhe mbi 100 euro për një apartament.
Restorantet, krahasuar me vitet e mëparshme në masë të madhe e kanë ngritur cilësinë e gatimit dhe të shërbimeve dhe kanë një asortiment relativisht të pasur. Pronarët e një restoranti tejet ekskluziv na thanë se janë me prejardhje nga Berati dhe se disa nga vëllezërit në Gjermani e kanë përvetësuar kuzhinën perëndimore dhe se kjo ka bërë që sot të kenë edhe më shumë mysafirë nga jashtë.
Pas ngritjes se pallateve, zgjerimi i plazheve të reja 
foto 4
Pallateve të mëdha ua shtojnë bukurinë pallmat e shumta, që kultivohen e ruhen me kujdes
Marrë në përgjithësi nga ajo që pamë gjatë tri-katër ditëve, sa gjendemi në pushim në Sarandë me rrethinë, vërejtëm se këtu po punohet mjaft në zgjerimin e plazheve, pasi që deri më tash shumë më tepër i është kushtuar ngritjes së pallateve të banimit për nevoja të turizmit apo të tregut, sesa vet plazheve, që dallojnë nga ato të qyteteve bregdetare të Shqipërisë veriore dhe të mesme, e që ofrojnë edhe hapësirë e edhe akomodim më të madh. Përndryshe qyteti nuk mund të lavdërohet sa i përket ndërtimit të urbanizuar, sepse janë thye shumë kritere, thonë disa nga vendasit. Sidomos vërehet mungesa e parkingjeve, por edhe hapësirat e gjelbërimit.
Pos ditëve të vikendit, plazhet ofrojnë thuaja se vende të mjaftueshme, nisur edhe nga fakti se nuk ka edhe aq shumë pushues.
Ndërsa që çmimi i çadrave sillet zakonisht nga 400-600 lekë për një çadër me dy krevate, ndërsa që çadrat që administrohen nga bashkia janë dyfish më të lira, vetëm 200 lekë dhe gjenden brenda zonës së ngushtë të qytetit. Një Vështirësi në veti, për ata që nuk udhëtojnë me veturë, parqesin mjetet e  komunikacionit publik, ngase autobusët nga Saranda në drejtim të Ksamilit apo Butrintit , qarkullojnë vetëm një herë në orë. Ndërsa çmimi i taksive për dallim nga Kosova apo Maqedonia, është dukshëm më u shtrenjtë.http://www.dialogplus.ch/ne-vendngjarje/saranda-joshese-jo-vetem-per-pushuesit-shqiptare/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate