Le të hyjmë drejt e në temë; Çfarë po bën Juli me Agjencinë Kombëtare të Turizmit?
Detyrën time. Shndërrimin e këtij institucioni në një godine qendrore të promovimit të turizmit shqiptar. Institucionet janë të përbëra nga njerëz dhe rregulla dhe mbi këtë parim ne po ndërtojmë një filozofi pune, e cila, ndërthurur me një mjedis komunikues dhe me kushtet e përshtatshme, janë themelet mbi të cilat do të mbështetet puna jone e përditshme.
2. Ju keni filluar herët aktivitetet turistike për këtë vit, pa llogaritur ato të vitit që u mbyll, ndër të cilët më interesanti ishte Panairi i Turizmit Dimëror, si risi. Kur priten impaktet e këtyre aktiviteteve, që duhet thënë për hir të së vërtetës se kanëqenë të ngjeshura?
Impaktet e këtyre aktiviteteve pritet të ndodhin si në mënyrë graduale ashtu edhe në mënyrë më të shpejtë. Këto të fundit varen nga lloji i aktivitetit që ne kryejmë. Në rastin e organizimit të Panairit të Turizmit Malor, për vetë natyrën që ka zhvilimi i këtij lloji turizmi, efektet pritet të jenë graduale. E rëndësishme është sensibilizimi dhe hyrja në rrugën e zhvillimit edhe të ketij lloji produkti të rëndësishëm për industinë e turizmit në Shqipëri.
3. Duket se e ke filluar punën me ritme gare. Je mësuar në timonin e “Rally”-t? A mendon se pengesat e ndryshme, ta zëmë mungesa fondesh, burokraci, etj, do të ta ulin ritmin?
Mendoj se këto nuk përbëjnë faktorë për të penguar ritmin e punës. Agjencia Kombëtare e Turizmit ka sivjet në dispozicion një fond të konsiderueshm për aktivitetet e saj. Ne jemi shumë të angazhuar në programimin sa më të mire dhe efikas si te fondit në fjalë ashtu edhe të veprimtarive dhe mënyrës së punës. Nga ana tjetër, stafi ynë është plot energji dhe dëshirë të mirë për të punuar, ndaj këto elemente janë një garanci për një promovim sa më cilesor të turizmit.
4. Meqë folëm për fondet, si janë fondet e AKT-së sivjet? Të vogla?Të mëdha?Të mjaftueshme? Do të mund të bëni gjëra të veçanta, ndryshe, më efikase? Dmth që ndryshimi të dallohet lehtësisht dhe të mos mbetet thjesht si mbyllja me sukses e panairit të radhës?
Në fushën e turizmit, sidomos kur bëhet fjalë për të zbatuar politika të ndryshme dhe aktivte të marketingut dhe promocionit, fondet janë sigurisht të domosdoshme dhe disponimi i tyre krijon lehtësi dhe mundësi të shumta. Në këtë aspekt unë mendoj se nuk mund të jepet një përgjigje e prerë se sa fonde na nevojiten. E rëndësishme është që qeveria ka një sensibilitet real për fushën e turizmit dhe fondet për degën tonë janë më të mëdha këtë vit. Ne po përpiqemi të jemi sa më aktivë dhe mund t’ju konfirmoj se gjatë vitit në vijim ne kemi shënuar një rritje të aktiviteteve tona. Këto si në drejtim të pjesëmarrjeve në panaire ndërkombëtare turizmi, në organizimin e suksesshëm të disa udhëtimeve familjarizuese që pritet të kenë ndikim mjaft pozitiv për turizmin, si dhe disa aktivitete të brendshme, me fokus turizmin e qyteteve të ndryshme.
5. Si e shikon Juli tregun botëror të turizmit në lidhje me Shqipërinë, ku është tendenca dhe prej ku i presim prurjet masive?
Industria e turizmit është njëra prej industrive më të rëndësishme në rrafsh botëror. Së bashku me industrinë e ndërtimit të makinave dhe atë të naftës, turizmi radhitet ndër industritë kryesore të rëndësishme në ekonominë botërore. Shqipëria është në treg, e pozicionuar në njërin prej rajoneve më të rëndësishëm “incoming” në turizëm, sikurse është pellgu i Mesdheut. Në këtë kuptim unë mendoj se vendi do vazhdojë të përfitojë nga këto prurje. Ky avantazh i madh gjeografik duhet menaxhuar me mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që vendi të përfitojë në aspektin afatgjatë dhe mbi të gjitha të realizojë një turizëm të qëndrueshëm. Prurjet kryesore priten qoftë nga tregjet e zhvilluara të Europës Veriore e Perëndimore, ashtu edhe nga tregjet rajonale dhe ato të Europës Qendrore e Lindore. Ne po punojmë në të gjitha frontet, dhe asnjë front nuk është më pak i rëndësishëm se të tjerët.
6. Shpesh agjencitë turistike janë ankuar për pengesa burokratike që vështirësojnë masivizimin e prurjeve nga vende të caktuara. Fjala vjen, taksa aeroportuale, mungesa e platformave për chartera, ligji i turizmit për TVSH-në që favorizon avantazhin e fqinjëve etj. Kjo bën që reklama e AKT-së nëpër botë të rrezikojë tëkthehet në bumerang. A ka AKT-ja rol në zbutjen e këtyre problematikave apo roli i saj është vetëm marketingu?
Pyetjet tuaja ngrenë problematika të cilat janë të rëndësishme dhe që duhet të marrin zgjidhje. Agjenncia Kombëtare e Turizmit nuk është një institucion politikbërës por ka rol ekzekutiv lidhur me promovimin e vendit si një destinacion turistik. Megjithatë ne kemi qenë dhe jemi aktivë me subjektet private turistike të përfaqësuara nga shoqatat e tyre. Kjo me qëllim përcjelljen e problematikave të tyre ndaj Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit apo edhe ndikimin tonë direkt në rastet kur ne mund të kemi komptencë në zjgidhjen e problematikave të shtruara. Për problemet konkrete që ju ngrini, Agjencia Kombëtare e Turizmit, në partneritet të ngushtë me subjektet private të turizmit, i ka ngritur shqetësimet përkatëse pranë institucioneve shtetërore të kompetencës dhe është besimplotë se çdo problematikë do të marrë zgjidhjen e nevojshme.
7. Ti Juli ke thënë pak a shumë që kur të largohem nga ky pozicion si drejtoreshë e AKT, do të kem bërë patjetër diçka shumë të dobishme, që të mbetet edhe pas meje. Çfarë do të jetë kjo gjë? E ke menduar, po e bën apo e ke në plan?
Aktiualisht unë jam mjaft e angazhuar në ndjekjen e detyrave të ditës në Agjencinë Kombëtare të Turizmit. Ajo çka unë kërkoj është shndërrimi i këtij institucioni të rëndësishëm në një faktor aktiv në misionin e promovimit të vendit tonë si destinacion turistik. Sigurisht që në punojmë në bazë të një plani vjetor, të cilin e konsiderojmë të rëndësishëm dhe kërkojmë maksimumin prej tij. Efektet e punës do të jenë të dukshme dhe të matshme në kohën e duhur dhe gjithkush mund të dale vetë në përfundimet e tij.
8. Ministria e Turizmit shpalli konkursin për logon dhe slloganin e ri të Shqipërisë në turizëm nën emrin “Branding Albania”. Ti personalisht mendon se ka lindur nevoja për një imazh të ri, se imazhi i deritanishëm nuk është ai i duhuri apo se kjo mund të ndikojë në shtimin e interesit për Shqipërinë?
- Shqipëria ka nevojë për një imazh të ri, sepse imazhi i Shqipërisë po evolon dhe po përmirësohet çdo ditë. Gjërat nuk janë statike, por në lëvizje dhe si të tilla duhet që të kete një realitet ta pasqyrojme në dimensionet e tij aktuale.
9. Shqipëria ka qenë thuajse e përkëdhelur nga mediat botërore përsa i përket përcjelljes së një imazhi pozitiv turistik aq sa shpeshherë skeptikët mendojnë se ajo nuk e meriton. Por praktika të njohura nëpër botë tregojnë se shtete të ndryshme angazhohen enkas për imazhin e tyre, duke ftuar gazetarë nga e gjithë bota e duke u ofruar atyre një tur të gjatë që të njohin e të dërgojnë nëpër vendet respektive imazhin turistik të shtetit në fjalë. Pse Shqipëria nuk e bën këtë gjë?Mungesë fondesh?Apo mungesë organizimi?
Shqipëria dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit edhe më pare kanë ftuar si media ashtu edhe operatorë të huaj për udhëtime familjarizuese në Shqipëri. Këto janë zhvilluar me sukses dhe kanë patur impakte pozitive për turizmin. Unë kam kënaqësinë t’ju konfirmoj se gjatë vitit në vazhdim ne kemi arritur t’i shtojmë keto aktivitete dhe të trajtojmë me sukses një mori udhëtimesh të tilla si me media e gazetarë, ashtu edhe me operatorë. Këtë vit janë trajtuar me shumë sukses gazetarë japonezë, gazetarë të programit special britanik “Rick Stein” për turizmin e kulinarisë në Shqipëri, turin e Shoqatës së Operatorëve Turistike Turke (TURSAB ) dhe së fundmi edhe drejtorin për Europën të Shoqatës Ndërkombëtare të Turizmit të Aventures ( A.T.T.A), të cilët priten që të sjellin grupe të medha gjatë javës ballkanike, e cila do të zhvillohet në muajin gusht. Ne kemi gjithashtu edhe mjaft kërkesa të tjera nga subjekte të ndryshme të huaja, të cilat po i shqyrtojmë me kujdes.
10. Sipas teje, si është bashkëpunimi shtet-privat në sektorin e turizmit?
Eshtë një faktor mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen në fushën e industrisë turistike. Mendoj se gjithmonë ka vend për përmirësim dhe perfeksionim të këtyre lidhjeve.
11. Si e sheh Juli Shqipërinë pas katër vjetësh? Në të gjitha drejtimet e kam fjalën, por më së shumti në atë turistik.
E shikoj pozitive. Në aspektin e turizmit pres që Shqipëria të përfaqësojë një treg edhe më të konsoliduar, me profil turistik më të qartë dhe më të shprehur. Pas katër vjetësh mendoj se do vijojë rritja e numrit të turistëve që do të zgjedhin Shqipërinë si vend të pushimeve të tyre edhe për shkak të rritjes së cilësisë në shërbim, gjë për të cilën Agjencia Kombëtare e Turizmit po kontribuon me projektin “Hospitality Albania”, në kuadër të të cilit po trajnojmë të rinj të angazhuar në sektorin e Hotelerisë dhe të Turizmit. Po kështu pres një treg të turizmit të brendshëm shumë më të ndërgjegjësuar mbi mundësitë më mëdha që ofron atdheu i tyre për pushime.
12. Tani, një pyetje personale: Të mungon jeta jote e mëparshme kur e shkujdesur i bije Shqipërisë kryq e tërthor mbi 4 x 4? Dhe, do ta ndjekësh Rally-n apo nuk ka më kohë?
- Pasionet nuk shuhen asnjëherë, ato mund të kalojnë nëpër faza të ndërmjetme, por mjafton nje erë e lehtë që të ta rindezë zjarrin.
Nessun commento:
Posta un commento