14 luglio 2014

Berati, oaz i historisë dhe i mrekullisë së artit



Berati, oaz i historisë dhe i mrekullisë së artit-  FOTOTIRANE- Qyteti i Beratit, deklaruar Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare, iu shtua Listës së Trashëgimisë Kulturore të Unesco-s në 2008, si një shembull i rrallë i një qyteti të periudhës Otomane.

Berati është një qendër historike e fortifikuar, i cili dëshmon pasurinë dhe diversitetin e trashëgimisë arkitekturore të rajonit. Berati është vendosur në Lumin Osum, ndërmjet Malit të Tomorrit dhe luginës së Myzeqesë. Siti përbëhet nga tre pjesë : Kalaja e Beratit e ndërtuar mbi një kodër në anën veriore të lumit, lagjia Mangalem vendosur në këmbët e kodrës së kalasë, kalaja e Goricës dhe lagjia e saj vendosur në bregun jugor të lumit. Qendra urbane e qytetit ka dëshmi të jashtëzakonshme të llojeve të ndryshme të monumenteve dhe ndërtesa urbane që i takojnë periudhës Klasike Otomane.

Qyteti i Beratit ndodhet në Shqipërinë Jug-Qëndrore, 120 km në jug të Tiranës. Ai ka një popullsi prej rreth 64.000 banorë. Qendra Historike e qytetit është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s në 8 Korrik 2008 si ‘’ një shembull i rrallë i një karakteri arkitektural tipik i periudhës Otomane ‘’. Berati është shpallur Qytet Muze në vitin 1961 nga Qeveria Shqiptare.

Qyteti është ndër më të vjetrit në Shqipëri, fillimet e të cilit i gjejmë në një vendbanim në formë fortese -Kalaja, e cila ka ekzistuar që prej shekullit IV para Krishtit me një jetë të pandërprerë deri në ditët e sotme. Ai ka qenë vendbanim i fisit Ilir të Desaretëve ,të cilët ishin të parët që ndërtuan fortifikimet në qytet. I njohur si Antipatrea qyteti u pushtua prej romakëve në shekullin e II para Krishtit. Romakët e quajtën qytetin Albanorum Oppidum (Kështjella Shqiptare).

Gjatë periudhës Bizantine në shekullin e V qyteti njihet si Pulcheriopolis, nga Pulheria emri i motrës së Perandorit Bizantin Teodos i cili pushtoi qytetin. Emri Pulcheriopolis do të thoshte ‘’qytet i bukur, i pasur, i fuqishem’’ dhe jo rastësisht iu vu qytetit; ai po bëhej një qendër kyçe me rritje të madhe kulturore. Në shekullin e VII filluan invazionet Bullgare ,të cilat zgjatën deri në vitin 1018 duke e quajtur Beratin si Belgrad – Qyteti i Bardhe.

Me rënien e Perandorisë Bizantine, Berati u kthye në një nga qendrat më të rëndësishme për autoritetet fetare të Epirit. Ai ishte rezidenca e Mikele Angelo Komneno despoti i qendrës klerike të Epirit. Në shekullin e XIV, qyteti u transformua në kryeqendrën e një principate të madhe nën sundimin e familjes fisnike të Muzakajve.


Në vitin 1417 Berati u vu nën pushtimin Turk. Gjatë pushtimeve otomane, ai mbeti një prej qyteteve më të mëdhenj të Shqipërisë. Deri në fillimin e shekullit XX qyteti kishte një infrastrukturë solide, dhe ishte nyje lidhëse drejt Lindjes dhe Kostandinopojës por gjithashtu edhe në drejtim të Jugut për në Janinë –Greqi.

Qyteti është i njohur për trashëgimine e tij kulturore, arkitekturën historike dhe bukurinë natyrore dhe njihet si‘’Qyteti i një mbi një dritareve ‘’ për shkak të numrit të madh të dritareve të shtëpive të vjetra që shikojnë mbi qytet.

Është një qytet i mrekullueshëm skenik me ndërtesa të bukura shumë interesante nga pikëpamja arkitektonike dhe historike.

Berati mbart dëshminë e bashkëjetesës së feve të ndryshme dhe komuniteteve të shumta kulturore përgjatë shekujve.

Pjesa e vjetër historike përbëhet nga tre lagje të ndara nga lumi Osum: Kalaja, Gorica dhe Mangalemi. Qyteti ka gjithashtu Qendrën Mesjetare e cila përbëhet nga monumente të vjetra.

Kalaja përbën një nga pamjet më të mrekullueshme të qytetit. Ajo ka ruajtur të pandryshuar planin e saj original të shekullit IV para Krishtit. Me kalimin e kohërave ajo ka pësuar disa ndryshime gjatë shekujve VI, VIII, XV dhe XIX .

Ajo nuk është vetëm një nga Kështjellat më të mëdha të banuara, por një arkiv në gurë, e cila ofron një varietet stilesh dhe kontribute të epokave të ndryshme: Romako-Bizantine, Shqiptare dhe Otomane.

Ndërtesat brenda Kalasë janë ndërtuar gjatë shekullit të XIII dhe për shkak të arkitekturës së tyre karakteristike janë ruajtur si monumente kulture. Kalaja ka shumë kisha Bizantine si dhe disa xhami të ndërtuara gjatë epokës Otomane e cila filloi në vitin 1417. Kalaja e Goricës ka qënë një tjetër kala në qytet e cila i përket së njëjtës periudhe (IV para Krishtit) , e pozicionuar në kodrën përballë. Sot ekzistojnë vetëm rrënojat e kësaj kalaje.

Lagjet e vjetra të Mangalemit dhe Goricës pergjatë lumit, të lidhura me njera-tjetrën me Urën e Goricës ,janë zona të ruajtura mirë me ndërtesa me arkitekturë karakteristike me një numër të madh dritaresh , rrugica plot sharm dhe objekte religjioze.

Xhamia Mbret është një nga xhamitë kryesore të qytetit. Ajo është pjesë e kompleksit të Qendrës Islamike dhe është ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II në fund të shekullit të XV. Përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minareja.

Mendohet se është ndërtuar në shekullin e XV dhe është rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në 1782. Ajo i përket sektit të Helvetikëve. Përbëhet nga salla e faljes me planimetri katrore, një ambient i vogël për shërbesa fetare të veçanta dhe nga një portik i hijshëm i cili paraprin hyrjen për në sallë.

Tavani i sallës së lutjes është i ndërtuar me dru dhe i dekoruar me piktura të cilësuara si më të bukura të kohës. Ai është i dekoruar sipas stilit Barok të përshtatur në artin islam dhe është i veshur me fletë ari 14 c. http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/berati-oaz-i-historise-dhe-i-mrekullise-se-artit--foto-200568.html
(m.a/ata/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate