14 luglio 2014

Në perlën natyrore të Sazan Karaburunit

14 Korrik 2014 - 13:12 
Në perlën natyrore të Sazan Karaburunit
Lundrimi në hapësirën e gjirit detar të Vlorës edhe në një mot të papërshtatshëm dhe në kushte aspak të favorshme detare, është mjaft i këndshëm. Kjo jep mundësinë të njohësh dhe të prekësh nga afër, ato bukuri natyrore që për arsye të ndryshme kanë qenë “tabu” dhe për një pjesë të madhe të qytetarëve, vazhdojnë të mbeten të tilla.

Uji i kthjellët dhe ajo natyrë tërësisht e virgjër, të krijojnë ndjesinë se ndodhesh diku, larg, në një vend ku imagjinata të çon rrallë. Pas një deti me dallgë duhet të përballesh me një të papritur të jashtëzakonshme, me një plazh ku uji pothuajse fle, ndanë një bregu me guralecë një formësh, të bardhë e të butë. Nëse nuk do të jetë ajo ngrehinë me strukturë të lehtë druri dhe ato çadra të vendosura në mënyrë uniforme në atë plazh të jashtëzakonshëm, njeriut i duket sikur zbret në antikitet..(!!)

Gjiri i vogël detar i Shën Vasilit, ishte një nga destinacionet e një lundrimi 5-6 orësh që organizoi Instituti për Ruajtjen e Natyrës dhe Bashkia e Orikumit, në bashkëpunim më Agjencinë Kombëtare të Turizmit, në hapësirën detare të gjirit të Vlorës, me një grup gazetarësh të mediave të shkruara dhe atyre vizive të vendit. Ky lundrim u realizua me anijen turistike me një emër paksa ekzotik “Regina Blu”, pjesë e dimensionit të shërbimeve që ofron kompleksi turistik “Regina”.

Duke synuar të promovojnë vlerat e kësaj hapësire natyrore, organizatorët mendojnë se kjo është edhe një nga mënyrat efektive për t’i paraprirë pritshmërive në këtë zonë, për zhvillimin e turizmit. Kjo edhe për faktin se, tashmë, hapësira detare në fjalë, përballet edhe me risqe që mund të çojnë në deformimin e vlerave të saj. Prandaj dhe lundrimi në hapësirën detare të gjirit të Vlorës, i tejkaloi dimensionet e një shetitjeje të zakonshme, apo të një njohjeje të thjeshtë të bukurive që ka skalitur natyra.

-Parku Detar Karaburun-Sazan, një zonë e mbrojtur-

Parku Detar Karaburun-Sazan(PDKS), është shpallur si i tillë në vitin 2010, me vendim të Këshillit të Ministrave. Drejtori i Institutit të Ruajtjes së Natyrës, Zamir Dedej, thotë për ATSH-në se, ai është parku i vetëm në Shqipëri me këtë status. Sipërfaqja detare totale e zonës është 12570 hektarë, ku përfshihen sipërfaqja detare përrreth gadishullit të Karaburunit dhe ajo përreth ishullit të Sazanit, respektivisht 9.848 dhe 2.721 hektarë.

Ne perlen natyrore te Karaburun Sazanit Foto Harilla KoçiParku Detar karakterizohet nga një shumllojshmëri e jashtëzakonshme habitatesh, shpatesh nënujore, shpellash, kepesh, plazhesh të vogla. Në këtë hapësirë, janë të pranishme rreth 36 specie me rëndësi kombëtare, mes të cilave bari i detit, sfungjerë, knidarë, moluskë, krustace, peshq, reptilë dhe gjitarë detarë. Po ashtu, në zonë ka edhe shumë atraksione arkeologjike të periudhave të antikitetit grek, romak, të mesjetës dhe apokës moderne, të shtrira në bregdet dhe nën ujë.


-“Presioni” mbi këtë park, rritet në vazhdimësi-

Dedej thotë se, me zhvillimin e ri urban të qytetit të Orikumit, presioni ndaj Parkut Detar Karaburun-Sazan, po shtohet në vazhdimësi. Kjo reflektohet në ndërtimet pa leje, në shfaqjen e vatrave të zjarrit, peshkimit illegal, zhytjet pa leje dhe grabitjen e resurseve nënujore. “Moratoriumi i Mjeteve Lundruese, pengoi në një farë mënyre edhe lëvizjen e pakontrolluar të mjeteve detare në këtë zonë dhe njëkohësisht edhe aktivitetet e paligjshme”, shprehet Dedej. Sipas tij, dukuritë negative në tokë, veçanërisht në Gadishullin e Karaburunit, është më i dukshëm dhe lidhet kryesisht me zjarret e përvitshme për hapjen e kullotave, çka ndikon në dëmtimin e bimësisë së zonës. Gjithsesi, sipas tij, aktualisht në këtë zonë po zbatohen dy projekte që mbështeten nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia Orikum dhe që synojnë ruajtjen dhe ridimensionimin e vlerave të saj, duke i dhënë prioritet zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm.

-Prioritet, zhvillimi i turizmit-

Projekti, që është një nismë e Ministrisë së Mjedisit dhe zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP) mefonde të Fondit Botëror të Mjedisit(GEF), ka si synim mbrojtjen e biodiversitetit bregdetar dhe detar të Shqipërisë. “Ai parashikon përmirësimin e mbulimit dhe efektivitetit të menaxhimit të rrjetit të zonave detare dhe bregdetare të mbrojtura të Shqipërisë, si një element plotësues thelbësor në rrjetin e saj të Zonave të Mbrojtura”, shprehet për ATSH-në, Zamir Dedej, drejtor i Institutit të Ruajtjes së Natyrës. Sipas tij, rezultatet kryesore të projektit kanë të bëjnë me përmirësimin e përfaqësimit të zonave detare dhe bregdetare të mbrojtura dhe kuadrin e përmirësuar të menaxhimit të tyre, forcimin e strukturave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve,

Në bashkëpunim me qeverisjen vendore dhe atë qendrore janë realizuar vendosja e vrojtuesve, pajisja me mjetete e vëzhgimit dhe ato të kontrollit, si GPS dhe teleskopë etj.Projekti është pjesë e një një iniciative rajonale e udhëhequr nga Zyra e Programit për Mesdheun të Fondit Botëror për Jetën e Egër, i përqëndruar në zona të ndryshme të mbrojtura detare të Mesdheut, si në Libi, Tunizi, Turqi, Kroaci, Algjeri dhe Shqipëri, që zbatohet nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës(INCA).

“Projekti ka si synim zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si sektori më i rëndësishëm për zhvillimin dhe financimin e Zonave të Mbrojtura, si dhe gjenerimin e të ardhurave për komunitetin lokal, që përbën njëkohësisht edhe një mundësi punësimi dhe burim të ardhurash kundrejt shërbimeve turistike që ofrohen”, shprehet Dedej. Ai sqaron se, aktualisht Parku Detar Karaburun Sazan është i vetmi në Shqipëri, por në të ardhmen do të synohet që këtë status ta përfitojnë edhe hapësira të tjera natyrore.

-Gjiri i Shën Vasilit, një perlë e natyrës-
Ne perlen natyrore te Karaburun Sazanit Foto Harilla Koçi (4)Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme, ku të krijohet edhe ndjesia e ekzotizmit, por një ekzotizëm mesdhetar, madje… tipik shqiptar…(!) Plazhi me gurë të imët, ka nisur të frekuentohet nga qytetarë të shumtë, ashtu si edhe disa hapësira të tjera në këtë gadishull. Një strukturë e lehtë druri, bar restorant, disa aksesorë të tjerë dhe çadrat e thurrura, përbëjnë edhe bazën infrastrukturore të shërbimit. Ndërkohë, operatorë të ndryshëm ofrojnë shërbimin e transportit me mjete lundruese, si skafe komodë. Anija turistike “Regina Blu”, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, ofron veç transportit edhe mundësi të tjera, ku përfshihet edhe ushqimi me bazë prodhimet e detit.

Pas një dite të këndshme në këtë perlë të natyrës, pushuesit kthehen në Vlorë.
(m.a/BalkanWeb)http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/ne-perlen-natyrore-te-sazan-karaburunit-200956.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate