20 luglio 2014

Scott Goodson, themeluesi dhe CEO i StrawberryFrog, agjencia e marketingut me qendër në Madison Avenue në New York City, ka marrë përsipër të shpjegojë në këtë intervistë të parë ekskluzive për shtypin shqiptar eksperiencën e brandimit të Shqipërisë.

Scott Goodson, themeluesi dhe CEO i StrawberryFrog, agjencia e marketingut me qendër në Madison Avenue në New York City, tregon në një intervistë eksperiencën e tij shqiptare.“Shqipëri, ndiq rrugën tënde”, një strategji që jep një imazh tjetër për vendin 
Rudina HOXHA 
North_AlbaniaScott Goodson, themeluesi dhe CEO i StrawberryFrog, agjencia e marketingut me qendër në Madison Avenue në New York City, ka marrë përsipër të shpjegojë në këtë intervistë të parë ekskluzive për shtypin shqiptar eksperiencën e brandimit të Shqipërisë.
Ishte pikërisht StrawberryFrog, e cila u shpall fituese majin e kaluar në Tiranë me sloganin “Go your own way” (Ndiq rrugën tënde) për brandimin e Shqipërisë. Goodson është gjithashtu autori i librit më të shitur “Uprising: How to build a brand and change the world by sparking cultural movements”.

Sa e vështirë ishte eksperienca e brandimit të Shqipërisë?
Është gjithmonë një sfidë të brandosh një vend. Megjithatë, StrawberryFrog përdor një metodologji të testuar tashmë për të zhvilluar strategjitë e brandimit që quhet Lëvizje Kulturore. Kjo e fundit jepet e detajuar në librin tim më të shitur “Uprising – how to build a brand and change the world by sparking cultural movements”. Çdo gjë fillon me të kuptuarit e brandit kulturor, se ku konsiston ajo. Dhe më pas identifikohet dhe kuptohet se çfarë i intereson kulturës aktuale ose moderne. Kur realizohet lidhja midis njohurive kulturore dhe përfitimit të brandit, produkti final është një platformë e fuqishme për botën mbarë, ku media sociale mund të përhapë idenë me shpejtësinë e zjarrit.


Si ju erdhi ideja e “Shqipëri, ndiq rrugën tënde”? Ishte një proces i tërë? Shumë mendje së bashku apo thjesht një shkëndijë?
Scott Goodson
Scott Goodson
Ekipi im i StrawberryFrog u përqendrua te fakti se cili ishte brandi kulturor dhe e vërteta e brandit. Dhe më pas i lidhi këto dy aspekte me konsumatorët e kësaj kulture. Shqipëria nuk është Kroacia. Nuk është Italia. Është një destinacion perlë dhe origjinal. Në të njëjtën kohë, kur flisni me turistë dhe udhëtarë të huaj, kuptoni se ata janë të mërzitur me destinacionet tradicionale të udhëtimit. Bota ka ndryshuar dhe njerëzit janë më të pavarur dhe tani ata janë në kërkim të eksperiencave më origjinale. Ata duan të jenë në dijeni. Ata duan t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre. Kjo është një ide e madhe dhe shumë motivuese.

Të brandosh një vend kërkon ta njohësh atë së pari. A e njihni mirë Shqipërinë?
Unë kam hartuar strategjinë që ka përcaktuar qendrën e Dubait dhe motoja që ne realizuam me mjeshtëri ishte CENTRE OF NOW (Qendra e momentit), e cila i dha një pozicion krejt të ri këtij destinacioni me një zhvillim të shpejtë. Dhe ne kemi krijuar ide të mëdha për brande ikonë, si për shembull për Emirates Airline (Linjën Ajrore të Emirateve të Bashkuara). Unë prezantova moton globale të kësaj linje “Hello Tomorrow”. Ndërsa për brandin e famshëm “Jim Beam” moton “Make History” (Bëj histori). Në të gjitha këto eksperienca, duhet të kuptohet brandi dhe të bëhen shumë kërkime.
Por më pas duhet të shikohet se çfarë u intereson konsumatorëve të kësaj kulture. Nëse sot për sot kjo kulturë konsiston në faktin “ndjek turmën” ose “mos u lodh të provosh diçka të re”, ne mund të dalim me një strategji ndryshe nga ajo që kemi rekomanduar. Megjithatë, konsumatorët e kulturës moderne festojnë të qenët “në dijeni” dhe kjo është e kundërta “e ndjekjes së turmës.” Njerëzit duan të jetojnë në një botë më të madhe, ku ata duan të eksperimentojnë gjëra të reja gjatë gjithë kohës. Kjo ndodh falë internetit. Sot asnjë nuk do të jetojë në një botë të vogël, pavarësisht se ku jeton. Njerëzit kudo nëpër botë – në Brazil, Kinë, Indi, Europë dhe madje edhe në vendet dhe qytetet më të vogla në Shtetet e Bashkuara – të gjithë duan të jetojnë në një botë më të madhe. Ata duan të jetojnë eksperienca të reja sipas kushteve të tyre. Sot teknologjia dhe interneti u japin mundësinë njerëzve të gjejnë dhe të organizojnë udhëtime e eksperienca sipas nevojave të tyre, të kërkojnë eksperienca të reja dhe si rezultat, ata janë më tepër në kontroll të vendimeve të tyre. Të ndjekësh rrugën tënde është një distinktiv nderi.

Cilat ishin aspektet që më së shumti ndikuan te “Shqipëri, ndiq rrugën tënde”? 
Diçka domethënëse ka ndryshuar në kulturën tonë globale në këto vitet e fundit. Për këtë fajësohen presionet globale ekonomike, shqetësimi i përgjithshëm apo edhe lidhjet e shumta dhe të reja që u mundësojnë njerëzve të organizohen menjëherë rreth kauzave dhe çështjeve të nxehta. Ndoshta është një kombinim i të gjithë këtyre faktorëve, por rezultati neto është që ne, si drejtues biznesi, kemi të bëjmë tani me një popullsi që është më shumë e përfshirë nga ana sociale dhe koshiente se ç’po ndodh në botë, si dhe më e uritur për t’u përfshirë dhe për t’u dëgjuar mbi çështje të ndryshme dhe mbi të gjitha për t’i bërë gjërat vetë. E thënë më thjeshtë, asnjë tjetër s’e ka kuptuar këtë ndryshim të madh në kulturë. Njerëzit duan të ndjekin rrugën e tyre. Shqipëria po ndërton një platformë për ta diferencuar veten e saj, duke u vënë në një vijë me këtë ndryshim kulturor.

A mendoni se ky brandim i ri do të ndikojë në krijimin e një imazhi të ri për Shqipërinë kudo nëpër botë? Përse dhe në ç’mënyrë?
Reklama funksionon. Ne po ndërtojmë një strategji që ndryshon rrjedhën e deritanishme, si dhe një reklamim krijues të shkëlqyer. Pikërisht histori të mrekullueshme për të cilat njerëzit flasin. Brandet e mëdha bëjnë punë të shkëlqyer krijuese dhe pikërisht kjo është ambicia jonë. Punë e vlerësuar me çmime të famshme që del në pah kundrejt çdo gjëje që kombet e tjera po bëjnë. Dhe sot shumë vende po reklamojnë veten gjatë gjithë kohës. Puna jonë është të shënojmë shumë më lart, të jemi shumë herë më krijues, të thyejmë murin e indiferencës që ekziston atje tej dhe për t’u thënë disa vendeve të tjera që harxhojnë vërtet shumë për t’u vënë re se ne jemi këtu. Kjo është natyra e reklamimit më krijues që mund t’i bëjë njerëzit të dalin në pah kundrejt modelit të mërzitshëm të reklamimit që ndjekin shumë destinacione të tjera. Me moton “Ndiq rrugën tënde”, vetëm punë e mërzitshme që nuk mund të pritet.

A është qeveria shqiptare gati ta vërë në jetë idenë tuaj? Sepse ideja / strategjia juaj është shumë tërheqëse dhe premtuese, por a është qeveria gati të marrë masat e duhura për ta zbatuar idenë tuaj?
Ne po ecim përpara me punën tonë.

Kush është profili i konsumatorit tuaj? Audienca juaj?
Nuk është shumë një audiencë sesa një mënyrë e të menduarit. Ata kanë një mënyrë të veçantë të të menduarit dhe kanë vlera të caktuara që përputhen bukur me ne dhe me idenë tonë. Ka shumë njerëz si këta. Ata janë të mençur dhe të dashuruar pas eksperiencave të reja.

Si mund të matet suksesi i një projekti brandimi si ky i Shqipërisë? 
Ka shumë mjete për të matur suksesin. Kryesisht është e nevojshme të bihet dakord që në fillim për cilët tregues të performancës (Key performance indicators) ju dëshironi të matni dhe më pas i vihemi realizimit të punës dhe matjes së saj. Pjesa më e rëndësishme e punës bëhet para realizimit të reklamimit të brandit apo komunikimit në nivel marketingu. Nevojitet që ju të bëni detyrat tuaja të shtëpisë dhe të kuptoni pikërisht ato gjëra që do të vënë në lëvizje përmbajtjen që ne duhet të krijojmë.

A keni përcaktuar ndonjë nga këta tregues dhe cilat janë detyrat e shtëpisë që janë caktuar për vendin tonë para se të fillojë krijimi i përmbajtjes?
Ne sapo kemi filluar dhe shumë aspekte të punës sonë të mrekullueshme dhe të rëndësishme janë përpara nesh për shumë vite.

Shumë konsulentë, që merren me brandim vendesh, ndajnë mendimin se kur qeveritë inkurajohen për të përmirësuar imazhin e vendeve të tyre, ato nuk mendojnë tamam brandimin, por atë reklamimin tradicional, marrëdhëniet publike dhe një make-up kozmetik. E vërtetë?
Ajo që ka më rëndësi është ndërtimi i një brandi rreth një ideje që ju intereson njerëzve. Çfarë ka lidhje me jetën e njerëzve. Nuk flet marketingu, por ajo për të cilën ata ndihen të pasionuar në jetën e tyre të përditshme dhe në jetët e njerëzve për të cilën ata interesohen.
Kjo ka të bëjë me pasionet. Kjo është autentike. Kjo është një ide e fuqishme. Nuk është reklamim. Është krijim kulture. Është të kapësh imagjinatën e audiencës. Idetë e komunikuara, që reflektojnë kulturën, mund të jenë në fakt mjetet më të fuqishme të biznesit që brandet mund të kenë në dispozicion. Jo si pjesë e faktorëve që ndikojnë në shitjen e produktit, por si një mjet tregues i forcës.http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/07/18/scoot-goodson-shqiperia-nje-destinacion-perle-dhe-origjinal/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate