30 luglio 2014

Një botë tjetër e shtrirë midis perlave më të bukura shkëmbore të fshehura thellë mes pyjeve në jug të Shqipërisë

- 2014-07-20 07:15:01
Berat, Çorovodë, Përmet – Nëntor Oseku pa pushim shkrep fotografi, derisa ndodhet në një botë tjetër të shtrirë midis perlave më të bukura shkëmbore të fshehura thellë mes pyjeve në jug të Shqipërisë. Gjendet mes kanioneve thuaja të virgjëra, sa të frikshme nga ujërat rrëmbyes e copëzat e vogla të qiellit që u japin shkëlqim mureve gëlqerore të vendosura thikë shtratit të lumenjve, aq mbresëlënëse nga pellgjet e shumta, ujëvarat e mëdha, zgavrimet gurore që u janë thurur legjenda dhe nga ekosistemi unik që ato kanë.
Pasioni që Nëntori ka për natyrën e ka shtyrë të vizitojë pjesën më të madhe të këtij zinxhiri monumentesh unike të natyrës. Ishte edhe fundjavën e shkuar. Për të gjashtën herë ai po e viziton “Koloradon Shqiptare”, epitet që kanë marrë kanionet e Osumit. Në këtë rrugëtim, sefte e ka bërë mbi lumin Vjosa, sipër të cilit ka realizuar rafting – një sport udhëtimi me gomone në një rrjedhë rrëmbyese, që të dhuron adrenalinë të pa përjetuar më përpara.
Dhe, nuk lë moment pa kapur me kamerën e tij, GoPro.
“Sa i kam krejt? Kjo i bie sikur të më pyesësh se sa yje janë në qiell”, përgjigjet Nëntori, kur i është kërkuar të tregonte numrin e përafërt të fotografive. “Shumë janë. Vetëm në këtë ekspeditë treditore janë mbi 3 mijë”.
Ekipi i “Kohës Ditore” ka qenë pjesë e ekspeditës turistike të realizuar fundjavën e shkuar në jug të Shqipërisë, organizuar nga Albania Rafting Group. Është kjo një organizatë që pasionin për natyrën dhe sportin i ka shndërruar në mision.
Nuk mund të mbërrish tek kanionet më të mëdha në Shqipëri, pa kaluar nëpër qytetin muze – Berat. Aty ka një vend ideal për t’u çlodhur nga rruga prej diku 400 kilometrash që bën nga Prishtina. Është një restorant i ngritur në një kodrinë ku banorët thonë t’i ketë dhënë Skënderbeu puthjen e parë Donikës, e që servon gatesa tradicionale. Dikush nga grupi lëpin edhe gishtat, pasi provon shijen e byrekut me koçkulla, një nga gatesat e trashëguara prej vitesh.
E Beratit nuk mund t’i kthehet shpina pa vizituar kalanë e vetme të banueshme në Shqipëri, e ngritur në një kodër diku 200 metra lart lumit.
Vëmendjen nuk ta tërheqin vetëm këto. Janë edhe dy lagjet e këtij qyteti të lashtë, Mangalemi dhe Gorica, të ndara nga lumi Osum dhe ku shtëpitë ngjitur njëra-tjetrës, kanë mbijetuar prej qindra vitesh. Prandaj, ka epitetin: “qyteti i një mbi një dritareve”.
Nga këtu bën edhe 60 kilometra në një rrugë të ngushtë e me plot kthesa. Kur je dremitur nga udhëtimi dhe mendon se autobusi me të cilin po udhëton po të shpie në fundin e botës, Blerina Ago ka një informatë që t’i hapë sytë. Tregon për mbërritjen në Çorovodë, qytezë me “arkitekturë komuniste”. Kureshtje zgjon e dhëna se ky vendbanim njihet për fabrikën e kallashëve, që dikur e kishte. Tash është kthyer në depo demontimi të mjeteve shpërthyese, por bën edhe prodhimin e fishekëve.
Blerina jeton në Tiranë, si shumë të rinj të kësaj zone të thellë. Por, fundjavat i kalon në rrethin e Skraparit, pjesë e të cilit është edhe Çorovoda. Ajo është zëvendëspresidente në Albania Rafting Group dhe është shumë e lidhur për lumin. Kureshtja për Osumin i ishte ngjallur në fëmijëri, pasi kishte dëgjuar sesi legjenda e krijimit të qytetit të saj lidhej me lumin e krijuar nga lotët e dëshpërimit të një zane të dashuruar. Në moshën 14 vjeçare kishte marrë guximin dhe kishte ndjekur djemtë e “krisur” të zonës, të cilët u kishin bërë të gjithëve përshtypje me makinat me katër rrota dhe gomonet plot ngjyra sipër.
“Kështu u gjenda buzë kanioneve të Skraparit”, tregon ajo. “Në buzë të lumenjve të gjitha gjërat kalojnë shpejt kështu që të jeni vigjilent dhe me këmbë në tokë, por edhe mos harroni se pavarësisht dinamikave lumi është i përjetshëm. Një ujëvarë, një rrëmbesë e shkumëzuar, një kthesë e heshtur, të gjitha në të njëjtin lumë”.
Afër kanioneve tani ndodhet edhe ekipi i kosovarëve. Ato shfaqen papritmas, sapo braktis Çorovodën dhe ngjitesh rrugës buzë rrjedhës së lumit Osum.
Një ueeee, si në kor, dëgjohet në autobus.
Janë ato kanionet, të shtrira në një gjatësi prej 13 kilometrash, të cilave brigjet e thikta mbi rrjedhën e lumit u shkojnë deri në 80 metra lart. Ato kanë nisur të gdhenden miliona vjet më parë nga ujërat që lëshohen me forcën e tyre gërryese e tretëse.
Hambull, është vendi nga nis kanioni. Pëson një ndërprerje, sapo kalon fshatin Lapan. Shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur “Mulliri i Babait” dhe prej aty deri në Vaun e Grepckes, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës, kanioni shfaqet madhështor. E pjesa më e bukur e tij shtrihet nga fshati Blezencke deri në fundin e fshatit Çerenisht.
Është kjo një panoramë nga lart.
Nga brenda ka edhe më shumë. Eksplorimi bëhet me River hiking, emërtim ky për ecjen në ujë. Distanca përshkohet me këmbë dhe jo me gomone, shkaku i nivelit të ujit që në fund të qershorit nis të ulet.
Për t’iu qasur, ka disa rregulla dhe kushte. Së pari, secili vizitor pajiset me një kostum që ruan konstante temperaturën e trupit, me një xhup termik, me jelek shpëtimi që të mban mbi ujë dhe me skafandër që duhet vënë në kokë.
Ortjon Vzhari është pjesë e guidës dhe komandon grupin që nis eksplorimin. “Urdhëron” që ecja të bëhet në rresht për një dhe që kurrkush të mos ndahet nga grupi.
Dhe nis zhytja në ujin që, me fuqinë e tij rrjedhëse, s’të lë të mbash ekuilibër.
Ka një njeri që nuk u përmbahet urdhrave. Është Nëntori. Ai që pareshtur shkrep fotografi.
“Fantastike”, dëgjohet të thotë, i rrëmbyer nga pamjet e kanionit që të dalin ngado që ngre shikimin.
Bëhet jo shumë udhëtim në ujë dhe në një sektor guror shfaqet ujëvara e parë. Rrezet që bien pingul nga ai pak qiell që e kufizojnë muret e larta shkëmbore, zbërthehen dhe formojnë një ylber. Janë tetë ujëvara gjithsej.
Ngushticat ia shtojnë ashpërsinë rrjedhës së Osumit dhe aty grupi detyrohet të kapet dorë për dore. Ka edhe sektorë ku shtrati i lumit ka qetësinë maksimale. Janë ideale për not.
Guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit, hasen përgjatë gjithë gjatësisë. Kureshtjen më të madhe e ngjall “Vrima e nuses”, e cila ndodhet diku një kilometër afër fshatit Bigazit. Është një galeri me gjatësi 7-8 metra dhe diametër rreth 2 metra.
Ka një legjendë për të, që përmbledhur e tregon Ortjoni i guidës: Një nuse po martohej pa dëshirën e saj. Krushqit po ktheheshin me të në fshatin ku e priste burri që nuk e dashuronte. Po sa kishte mbërritur në vendin ku ndodhet “Vrima e nuses”, iu kishte drejtuar shkëmbit të kanionit me kërkesën që të hapej për t’u fshehur. Dhe shkëmbi e dëgjoi.
Ka edhe një tjetër legjendë që rrëfehet, sapo grupi i ofrohet fshatit Dhores, diku 5 km larg qytetit të Çorovodës. Në shkëmba gëlqerorë janë krijuar forma të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Sipas legjendës, ato janë gjurmët e Abaz Aliut, për të cilin thuhet se kishte ardhur në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë.
Një pamje e rrallë e kanionit të del befasisht në afërsi të fshatit Blezencke. Aty ndodhet e vetmja urë që lidh dy brigjet. Po aty, ndodhet edhe ngushtica më e madhe e kanionit, ku arrihet lartësia më e madhe nga shtrati i lumit.
Diku pas katër orësh, ecja në ujë merr fund. Por jo rrugëtimi eksplorues.
Lumi Vjosa është destinacion i radhës. Është më pak se 50 kilometra distanca ajrore ndërmjet Çorovodës dhe Përmetit, në periferi të të cilit qytet është “shtegu” i raftingut. Eksplorimi në Vjosë bëhet me gomone.
Ka disa stacione, para se të mbërrihet në këtë pjesë.
Edhe këtu ka një kanion . Është ai i Langaricës, përmes të cilit me forcë rrjedh një degë e Vjosës.
Afër tij ndodhen banja termale. Ujërat me plot minerale burojnë rreze shpellave të kaltra dhe kanë një aromë të lehtë sulfuri. Çdo fillim sezoni, përreth burimeve termale, vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë stinës së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim.
“Ka tri vite që vij këtu. Është i shëndetshëm për reumë”, thotë një mesoburrë i ndodhur në banjë, por që nuk ka dëshirë t’i qitet emri në gazetë. “Bëj tri seanca në ditë. Qëndroj tri herë nga njëzet minuta në ujë dhe bëj plazh gjatë kohës së ndërmjetme. Të njëjtën e përsëris 13 ditë rresht përgjatë secilit vit”.
Kanioni dhe rrjedha e lumit të Langaricës, përbëjnë një nga degët më të mëdha që ushqejnë krejt zonën burimore të Vjosës. Për vendasit ky njihet si “lumi i bekuar”, i cili “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aos-n. Edhe peizazhi është ndër më pikantët.
Gilberto Jace, kryetar i Bashkisë së Përmetit, ka ftuar kosovarët të thyejnë rrugë kur të shkojnë për verime në Vlorë ose Sarandë, dhe të përjetojnë mrekullitë natyrore që ndodhen në territorin që ai administron.
“Rruga nuk është e largët nga Vlora është vetëm dy orë karg të jesh në rrugën e Përmetit. Dhe nga Saranda duhet vetëm edhe gjysmë ore”, ka thënë ai.
Vjosa ka mjaftueshëm rrjedhje përgjatë gjithë vitit. Dora e njeriut e ka lënë të egër ashtu, pa i vënë diga apo pengesa. Në korrik sasia e ujit bie në nivelin e dytë. I tillë nivel ishte edhe vikendin e shkuar, kur në një gjatësi disakilometërshe lundruan pesë gomone me kosovarë.
Një guidë profesionale bën gati barkat për rafting. Bëjnë maksimumin e tyre për t’i bërë udhëtimet e paharrueshme.
Ortjoni edhe këtu është pjesë e guidës. Ai tregon se si ky sport i lundrimit në rrjedha të shpejta lumi dhuron adrenalinë të madhe. Tregon që nuk është ai nivel uji i muajit maj, kur udhëtimet i bën ekstreme. Megjithëkëtë, paralajmëron eksperiencë që nuk shlyhet lehtë nga kujtesa.
Nëntorin e kishin rrëmbyer bukuritë në Osum, ndonëse për të gjashtën herë po i bënte vizitë. Në lumin Vjosa ai ndodhet për herë të parë. Thotë se përjetimi në këtë Rafting ishte më i veçantë, ngaqë për dallim nga lumenjtë e tjerë të Shqipërisë që i ka vizituar, Vjosa është shumë më i rrëmbyeshëm.
Në këtë eksperiencë ka shkrepur fotografi me një tjetër ritëm. Shumë më shumë.
Kur udhëtimi gati katër orësh përfundon, ky i ri nga Gjakova nis të mendojë për fotografitë. Ato i ndan me kosovarët nëpërmjet medieve sociale dhe formave të tjera të komunikimit. Dhe, ka dikush që mendon ta shpërblejë simbolikisht për këtë punë. Vjet, fotografitë e tij janë shpërblyer me çmime ndërkombëtare nga Wikipedia dhe Insta Kosova.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate