14 luglio 2014

Pushime në Kolonjën e paqes dhe të Fan Nolit


“Sa vend i bukur! Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”, ishte shprehur Fan Noli para se Revolucioni i tij i Qershorit 1924 të triumfonte provizorisht.

Gjatë gushtit të 1923-ës, Noli bëri një shëtitje elektorale në Shqipërinë e Jugut, si kandidat për deputet i Partisë Liberale në Korçë, (që fitoi në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare atë vit) e ku, përgjatë udhës në Leskovik e Gjirokastër, i la mbresa të pashlyera vizita në rrethin e Kolonjës. Mezi priste të shihte truallin e të parëve të tij, Nolëve, tek sodiste nga Qafa e Qarrit pamjen e hatashme të Pllajës së Kolonjës, Gramozin madhështor nga njëra anë dhe peisazhin e errët të kreshtave të Malit të Zi, në anën tjetër. "Ku është Qyteza?", pyeste dhe Halil Mesini, një “vatran” nga Qyteza, që e shoqëronte, kur mundohej t’i tregonte ku ishte fshati përtej kreshtave të zeza, mbuluar me pisha.

Të tillë e bëjnë bukuritë natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, trashëgimia e pasur kulturore, ngjarjet e festat lokale me interes për vizitorët, që përbëjnë arsye për të udhëtuar drejt Kolonjës. Monumentet e përfshira në guidën turistike të përgatitur nga Bashkia e Ersekës janë të shumta: Çuka e Peçit në vargmalin e Gramozit, kanionet e Virkës, Borovës, Pagomenit, Ujvara e Rehovës, Pishat e Pogonicës, mali i  Koziakut, liqeni karstik akullnajor i Gramozit, Sheleguri, korija e Shën Kollit të Vodicës, shpella karstike e Podës, Urat e moçme të gurta të Postenanit dhe Radovës, Llixhat e Sarandaporit, vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik, kala, tuma, kisha e teqe shekullore etj.

Kolonja, 1.100 metra mbi nivelin e detit, me dy-tre muaj verë e nëntë muaj dimër, i ka nxitur kolonjarët të zhvillojnë blegtorinë, pylltarinë, bletarinë, pemëtarinë, grumbullimin e përpunimin e bimëve medicinale e, së fundi, turizmin agrar.  Për ta bërë sa më tërheqëse krahinën për turistët, kolonjarët kanë hartuar një plan konkret për zhvillimin e turizmit, që nis nga çdo familje, në Bashki e rrethinat e që përfshin dhe harmonizon dëshirat për udhëtime, çlodhje, argëtim, vizita ose biznes për çdo kategori udhëtarësh.

 Banorët vendas, nisur nga fakti se turistët e huaj bëjnë pushime të shkurtra me udhëtime të përshkallëzuara në vende të gjetura përmes internetit, si dhe falë gjeografisë së zonës në afërsi me udhën nacionale, që lidh Korçën me Ersekën, Leskovikun, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën, Gjirokastrën, Sarandën e dhjetëra të tjera piktoreske, kanë mësuar ta shfrytëzojnë si mundësi. Popullsia lokale po nxitet të investojë në sektorin e turizmit me ndërtim hotelesh të vegjël në qytet e pika turistike, bar-restorante e biznese të tjera shërbimesh dhe lehtësira për vizitorët. Ndër to janë Hotel “Devi” në hyrje të Ersekës, Hotel “Shazo” në jug të saj, Hotel-restorantet “Inxhujo”, “Gërmenji”, “Zisi”, kompleksi “Sotira”, tavernat me kuzhinën tradicionale kolonjare: “Prodani”, “Bilo”, “Mejdis”, “Alnedi”, bar-kafe “Gramozi”, “Fresku” etj, kanë nisur garën e  konkurrencës si me njëri-tjetrin edhe me kohën.

Mjaft prej pronarëve, pasi punuan në emigracion, kanë sjellë në vendlindje përvojën, duke ia shtuar mikpritjes.  “Ne po sjellim në Kolonjë, jo vetëm ata që kanë qenë njëherë, por edhe vizitorë të tjerë të huaj”, thotë shefi i kuzhinës kolonjare Thoma Milo. Dy vëllezërit Gentian e Ali Xhaferri nga fshati Gjonç, pas 10 vjet emigracion në Patra të Greqisë, kanë investuar një qendër relaksimi për rininë, një kështjellë e vogël me oborr të madh e të bleruar. "Kur e ndërtuam, u konsultuam me arkitektin pogradecar Rako Konstandini. Ai, me sytë drejtuar nga fshati qindravjeçar i Rehovës, me shtëpi të gurta e çati me plloça, tha: Kështu do të bëhet. Ashtu bëmë dhe shihni, gumëzhin si zgjua bletësh nga rinia. Traditë, shije, art", tregon Gentiani.

E rëndësishme është që këta njerëz, që jetojnë këtu mes maleve, e dinë se tërheqje turistike nuk sjell vetëm natyra me bukurinë që afron, por edhe çfarë afrojnë vetë banorët. Ndaj ata janë bërë më të vëmendshëm për ruajtjen e natyrës dhe zakoneve tradicionale e trashëgimisë kulturore.
Dinë se mungesat në shërbime apo cilësia e dobët përcaktojnë nëse turistët do të qëndrojnë, apo jo, për një kohë më të gjatë për të pushuar dhe për t’u rikthyer më pas, thotë djaloshi Rinald Kasko, duke sjellë shembull vizitën e disa italianëve, apo një grupi danezësh.

Kolonja ka muzikën, vallet e veshjet tradicionale të ruajtur në breza dhe grupin karakteristik të këngës kolonjare, të njohur me emrin “As e vogël, as e madhe”; është monument i madh artistik i njohur në këtë trevë me histori, ideologë të shquar, poetë, mësues e studiues të përkushtuar ndaj gjuhës e arsimit shqip, luftëtarë e kapedanë trima me emër për heroizmat e tyre
Dinë kolonjarët krenarë, punëtorë e me kulturë, që të çojnë përpara krahinën, me gjithë vështirësitë që hasin. Kryetari i Bashkisë së Ersekës A. Laho është një menaxher që, përmes qeverisjes lokale dhe stafit, promovon vlerat materiale dhe kulturore, krijuar nga banorët e qytetit. 

Kuzhinën, gratë kolonjare e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të identitetit dhe kujdesi për ta trashëguar brez pas brezi është sot vlerë e madhe për turizmin.
E ka thënë edhe Fan Noli më parë, gjatë vizitës së tij në shtëpinë e Kristo Kirkës në Korçë, ditën e 28 nëntorit të vitit 1923. “… Hirësia e tij hante nga pak, por i provonte të gjitha dhe shprehte kënaqësinë e gatimit korçar: shumë të shijshme!"-  thoshte. Tek provoi byrekun, tha me shaka: “Si byreku i Kolonjës”. Qeshën të gjithë. – E ku e ke provuar byrekun e Kolonjës? – e ngacmoi Kristoja. – Në Amerikë, tha Noli.

Kolonja e sotme, veç historisë dhe bekimit, që natyrës i ka dhënë Perëndia, pret në çdo ditë të vitit vizitorë të ndryshëm.
Pak larg nga Tirana dhe qendra të tjera të mëdha urbane, por ia vlen të vizitohet. Në pyjet e saj gjen qetësinë dhe parajsën, ndaj mos humbisni rastin ta përjetoni. Kolonjarët po ju presin!...

kolonja

























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/pushime-n--kolonj-n-e-paqes-dhe-t--fan-nolit-226208.html#sthash.N9zmKcNL.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate