19 luglio 2014

Kreu i Parkut të Apolonisë: U dëmtua imazhi, asgjë më tepër




Kreu i Parkut të Apolonisë: U dëmtua imazhi, asgjë më tepërTIRANE-Shumë zhurmë për asgjë! Shumë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës e shohin në këtë mënyrë debatin që u bë mbi spektaklin e organizuar në Apoloni (zonë e mbrojtur nga shteti), skena e të cilit u ngrit me skela metalike.

Marin Haxhimihali, drejtor i Parkut Arkeologjik, vjen në një intervistë në "GAZETA SHQIPTARE", ku hedh poshtë akuzat (se aktiviteti do dëmtojë monumentin) duke krijuar idenë se ato qenë tendencioze dhe se dëmtuan imazhin e Apolonisë. Intervista e mëposhtme është realizuar me e-mail. "GSH" nuk i ka shkurtuar përgjigjet e tij, qoftë edhe në rastin kur del kundër njërës prej fotove (me nr. 4), duke thënë se këndi i fotografimit në këtë rast është i gabuar dhe se këndi i saktë është ai në foton nr.2, realizuar prej zyrtarëve të ministrisë.

Ku është ndryshimi? Që skelat janë mbi muret e monumentit, kjo nuk ka dyshim, sepse fotoja është reale dhe këtë nuk e kundërshton as Haxhimihali, por sipas tij, ndryshimi është se skela nuk ka rënduar mbi muret e monumentit. Po e lëmë në gjykimin e secilit lexues të shohë e të krahasojë! Ndërkaq, Haxhimihali tregon disa prej përfitimeve të Parkut Arkeologjik nga marrëveshja, siç është shumë monetare dhe pajisjet e marra në këmbim të disa orëve përdorim të parkut.
Z.Haxhimihali, si shkoi aktiviteti në Apoloni? A u arrit të mos dëmtohej monumenti?
Eventi i organizuar nga firma "Bankers Petroleum Albania" me rastin e 10-vjetorit të krijimit u zhvillua pa asnjë problem, në përputhje të plotë me të gjitha rregullat e vëna nga ana jonë. Kjo do të thotë që monumentet nuk u prekën fare, madje gjithçka ishte konceptuar në mënyrë të atillë që monumentet të dilnin sa më shumë në pah. Sikurse paraqitet edhe në fotot që po bëjnë xhiron e rrjeteve sociale e gjithë skenografia, ndriçimi madje dhe ekranet gjigantë ishin në funksion të nxjerrjes në pah të vlerave arkeologjike të Apolonisë. U bë një punë e madhe nga ana jonë për ofrimin e fotove dhe videove, që më pas u shfaqën në ekranet gjigante në të dyja anët e Agonotetëve, një risi e vërtetë kjo. Edhe fakti që eventi ishte elitar dhe të ftuarit ishin të zgjedhur (aksionerë apo inxhinierë nafte) ua thjeshtoi shumë detyrën organizatorëve. Por nëse në terren nuk u konstatuan dëme, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për imazhin e Apolonisë, që mori një goditje të madhe. Vetëm dy ditë pas përfundimit të eventit, në ceremoninë e festës Kombëtare të Francës në Muzeun Historik Kombëtar, konstatova se deri në ç'shkallë ishte keqinformuar publiku. M'u desh që përgjatë disa orëve të sqaroja të njohur e të panjohur, shqiptarë e të huaj se asgjë tragjike nuk kishte ndodhur në Apoloni. Se kujt i intereson përhapja e këtij imazhi kaq negativ tani në kulmin e sezonit turistik, kjo merret me mend lehtë. Dhe ata që e krijuan këtë tymnajë duhet t'i vrasë sadopak ndërgjegjja, sepse kinse kujdesen për trashëgiminë kulturore.
Media ka përdorur disa foto të realizuara nga Ministria e Kulturës dhe disa të realizuara nga Forumi i Trashëgimisë, por në fakt mes tyre kishte "përplasje" sepse tregonin anë të ndryshe të medaljes. Ju keni pasur pakënaqësi për fotografitë, çfarë mund të sqaroni për çështjen? U krijua një zhurmë e madhe mediatike, thua se e gjithë Apolonia po gjymtohej me saldatriçe. Ende sot nuk e kuptoj se ç'e bëri bashkë gjithë atë aradhë heteroklite, kujdesi për trashëgiminë nuk do të ishte përgjigjja e duhur, pasi shumë syresh kanë qenë në poste të larta drejtuese të kulturës dhe të arkeologjisë kur kanë ndodhur katastrofa të vërteta si shembja e Teatrit Antik, gërryerja e Murit të Amforave e këta jo që s'janë bërë të gjallë, por në disa raste edhe kanë justifikuar fajtorët. Por përtej këtyre personave, për shumicën e publikut gjykoj se ishte një problem komunikimi. Mënyra sesi u servir ishte shokuese. E kësaj nuk i shpëtoi as gazeta juaj. Në numrin e datës 11, faqe 19 aty ku shkruhet "Foto e dt. 9", të krijohet me të vërtetë ideja se tubat e aluminit kanë prekur strukturat e monumentit. Në fakt nuk është ashtu. Kemi provuar tashmë edhe me foto (ballore e jo tërthore si fotoja e botuar nga ju dhe që ende qëndron në profilin e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë) se në asnjë pikë nuk ka pasur kontakt fizik me monumentet. Për të mos e lodhur lexuesin me detaje, i ftoj të gjithë të vizitojnë faqen e Parkut Arkeologjik Apolonia në "Facebook", ku janë të paraqitura me hollësi të gjitha.
Specialistët thanë se spektakli mund të bëhej në pjesën e barit në zonën e Apollonisë, në mënyrë që të mos dëmtohej monumenti. U pa kjo si mundësi? Po të shihet me gjakftohtësi skema e organizimit, do të vihet re se shumica dërrmuese e aktivitetit është e përqendruar pikërisht mbi bar. Aty ishte vendosur platforma për vallëzim si dhe tribuna me shumicën e të ftuarve. Vetëm një pjesë fare e vogël rreth 30-40 vetë (aksionerët VIP) u sistemuan në tribunën e ngritur brenda hapësirës së Odeonit, mbi një konstruksion alumini, që e theksoj, mbështetej tërësisht mbi tako druri dhe copa gome. Ishte hera e parë që zbatonim një skemë të tillë, e cila e eliminonte kontaktin fizik të spektatorëve me shkallaret dhe skenën e Odeonit. Si rrjedhojë, jo vetëm që nuk u shkel në shkallare dhe në skenë siç kishte ndodhur rëndom në të kaluarën, por edhe pesha e ushtruar mbi Odeon ishte më e vogël sesa në rastin kur shkallarja pushtohej nga disa qindra njerëz që hipnim në mënyrë të pakontrolluar edhe mbi mure.
Çfarë parashikonte kontrata me kompaninë private? A pati klauzola në rast dëmi dhe cilat qenë përfitimet e Parkut nga ky bashkëpunim?
Ministria e Kulturës ka tashmë kontrata tip për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në zonat monument kulture. Ky është një standard i ri, që na e lehtëson punën në terren. Në rastin konkret, falë kësaj kontrate firma organizuese e eventit derdhi për llogari të Parkut Arkeologjik të Apolonisë shumën prej 360 000 lekësh të reja. Në dijeninë time është një rekord për një event disaorësh në një park arkeologjik. Pati edhe një klauzolë për rast dëmtimesh, por kjo u shfuqizua nga procesverbali i hartuar në përfundim të eventit, pasi nuk u konstatuan dëme. Nga ana tjetër ka filluar një partneritet afatgjatë midis firmës "Bankers" dhe Ministrisë së Kulturës, i cili pritet të shpallet zyrtarisht me ardhjen e presidentit të "Bankers" nga Kanadaja. Për momentin në terren ne kemi përfituar disa pajisje të mekanizuara pune dhe mendoj se ky është vetëm fillim. Si përfundim, mund të thuhet se u fitua një partner strategjik në të shumëpërfolurin partneritet publik-privat, u organizua një event elitar, u promovuan vlerat e trashëgimisë në Apoloni dhe mbi të gjitha asgjë, absolutisht asgjë nuk u dëmtua.

(a.n/GSH/BalkanWeb)http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/kreu-i-parkut-te-apolonise-u-demtua-imazhi-asgje-me-teper-201663.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate