DISCOVER and LOVE ALBANIA. KRIJUAR për t'ju lehtesuar kerkimet e informacioneve rreth Shqipërinë Turistike .... MENDONI sikur i njihni bukurit qe ofron Shqiperia, KENI DèGJUAR për te dhe vendet e saja përrallore. Shqipëria nuk kujtohet vetëm në zemër, NE ju japim mundësin qe te njihni arteriet HISTORIKE & KULTURORE qe shtrihen ne token Shqiptare .
14 luglio 2014
Pezullohen gërmimet ilegale në ishullin e Maligradit
KORCE - Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Korçë në bashkëpunim me Inspektoratin e Ndërtimit në komunën e Pustecit kanë ndërprerë gërmimet arkeologjike të nisura disa ditë më parë në ishullin e Maligradit në Prespë nga një ekspeditë shqiptaro-greke. Sipas specialistëve të kulturës, shkak i pezullimit të punimeve është bërë mungesa e lejes për gërmime. Drejtues të Monumenteve të Kulturës, por edhe vendorët e Pustecit, dje deklaruan se gërmimet janë duke u bërë ilegalisht, ndërsa pak kohë më parë projekti i ekspeditës në fjalë është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë. Nga ana tjetër, banorët e zonës kërkojnë largimin e arkeologëve grekë, pasi sipas tyre duke ju referuar të kaluarës kanë frikë për shtrembërimin e realitetit. Mësohet se gërmimet nga grekët të udhëhequr nga arkeologët shqiptarë kanë nisur në pjesën e sipërme të ishullit të Maligradit.
PEZULLIMI
Pas sinjalizimeve për gërmimet në një ndër zonat më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, Drejtoria e Monumenteve dhe Kulturës në Korçë ngriti një grup pune për verifikimet në terren. Nga inspektimi rezultoi se ndonëse në mungesë të plotë të dokumentacionit, ekspedita greko-shqiptare ka hapur në ishull 4 gropa me një gjatësi prej 5 metrash dhe thellësi prej 1 metër. Gërmimet janë konsideruar të paligjshme, ndaj janë pezulluar menjëherë. "Gjatë një kontrolli rutinë në ishullin e Maligradit konstatuam disa gërmime që bëheshin pa leje. Aty nuk kishte njeri për momentin, ne bëmë menjëherë një relacion dhe ua dërguam instancave përkatëse. Një ditë më vonë shkuam sërish dhe pamë që punonin njerëz pa njoftuar më herët komunën, për më tepër kur bëhet fjalë për një vend të një rëndësie të veçantë, siç është ishulli i Maligradit. U kërkuam dokumentet, por realisht ata nuk kanë pasur asnjë lloj dokumenti. Më pas në bashkëpunim me Drejtorinë e Monumenteve, specialistët e së cilës mbërritën menjëherë në terren, bëmë edhe pezullimin e punimeve", tha Ilia Themelko, inspektor i INUK në Komunën Pustec. Ndërkohë, historiani Spase Mazenkovski, njëkohësisht dhe banorë i Pustecit u shpreh i shqetësuar për gërmimet arkeologjike në zonë, të cilat sipas tij janë duke u kryer ilegalisht nga pala greke. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Mazenkovski pohoi se i trembet së kaluarës së Maqedonisë me Greqinë. Sipas tij, grekët shtrembërojnë realitetin e Maqedonisë. Ai apelon që instancat përkatëse të bashkëpunojnë me ekspertë maqedonas për kryerjen e gërmimeve, pasi grekët do të fshehin të vërtetën.
Kur kanë filluar gërmimet në ishullin e Maligradit?
Gërmimet e këtij viti në ishullin e Maligradit kanë pak ditë që kanë filluar. Edhe këtë vit, sikurse ndodhi dhe dy vite më parë, një grup arkeologësh grekë, pa njoftuar komunën vijnë dhe gërmojnë në një ndër sitet më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë, në ishullin e Maligradit. Komuna këtë herë ka reaguar dhe punimet janë ndërprerë.
Çfarë ju shqetëson ju më tepër?
Gërmimet duhet të pasqyrohen dhe të etiketohen ashtu siç janë, sipas periudhave që u përkasin dhe në fund të fundit të pasqyrojnë të vërtetën. Por këtë të vërtetë nuk mund ta paraqesin grekët. Ne reagojmë fuqishëm, pasi nëse arkeologët shqiptarë duhet të bashkëpunojnë me homologë, ata duhet të jenë maqedonasit, pasi vetëm kështu pasqyrohet e vërteta.
Për çfarë të vërtete e keni fjalën?
Greqia gjithmonë ka shtrembëruar realitetin Maqedonas. Greqia gjithmonë ka mohuar çdo gjë maqedonase dhe që i përket popullsisë maqedonase. Greqia ka arritur deri aty sa mohon dhe emrin e Maqedonisë. Nisur nga kjo situatë, ne kemi frikë se edhe në këto gërmime arkeologjike do të shtrembërohet realiteti.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e Pustecit reagojnë ndaj ekspeditës greke?
Ne jemi një fshat minoritar i Maqedonisë dhe natyrisht që i frikësohemi Greqisë. Për më tepër, referuar edhe historisë apo të kaluarës në tërësi. Greku fsheh të vërtetën gjithmonë kur bëhet fjalë për maqedonas, ndaj dhe reagojmë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/pezullohen-germimet-ilegale-ne-ishullin-e-maligradit-200685.html
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento