05 novembre 2013

TURIZMI SHQIPTAR PREZANTOHET NË PANAIRIN E LONDRËS 11/2013

Permasat: x
  TIRANË, 4 Nëntor/ATSH/.- Shqipëria prezanton edhe këtë vit potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Londër "World Travel Market".
     Vendi ynë përfaqësohet në panairin e çelur sot, nga një delegacion i kryesuar nga Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Takimin e parë znj. Gjermeni e ka zhvilluar në stendën e Shqipërisë me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), Taleb Rifai.
     Ministrja Gjermeni e njohu z.Rifai me prioritetet dhe objektivat kryesore të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO premtoi ndihmë dhe mbështetje konkrete.  Gjermeni theksoi se shumë shpejt Ministria do të nisë konsultimet për të rishikuar ligjin aktual për turizmin, për të adresuar një sërë çështjesh dhe problematikash, të ngritura edhe nga operatorët turistikë dhe aktorët e tjerë të përfshirë në këtë sektor.
     
Ministrja u shpreh se në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të përgatitet një Strategji për Turizmin, për periudhën 2014-2020, e cila do të realizohet gjithashtu pas një procesi konsultimesh me ekspertët dhe aktorët vendas të turizmit, si edhe duke marrë ide dhe sugjerime nga ekspertiza e huaj. Gjermeni theksoi se Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të bëjë gjithçka për të promovuar Shqipërinë, duke shtuar numrin e turistëve të huaj, si edhe duke e kthyer turizmin në një sektor fitimprurës për ekonominë dhe gjenerues të vendeve të reja të punës.
     
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Rifai, u shpreh i gatshëm për ta ndihmuar Shqipërinë përmes kurseve të trajnimit të guidave dhe profesionistëve të fushës së turizmit, por edhe në kuadër të promovimit, duke organizuar vitin e ardhshëm një aktivitet të rëndësishëm për turizmin në vendin tonë.
     
Panairi i Londrës, së bashku me atë të Berlinit, vleresohen si dy më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit në kalendarin vjetor të panaireve të turizmit në Europë, ndërsa shërbejnë si një mundësi e mirë edhe për operatorët turistikë shqiptarë për  të vendosur kontakte, ose për të thelluar bashkëpunimin me operatorët turistikë të vendeve të tjera, apo me kompani që operojnë në fushën e turizmit.
     
Panairi i Londrës qëndron i hapur deri në datën 7 nëntor dhe në kalendarin e tij janë të përfshirë një sërë aktivitetesh, ku ndër më të rëndësishmit është Samiti i Ministrave të vendeve pjesëmarrëse, që mbahet ditën e nesërme./b.l/s.s./

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate