Në 2011-n në Durrës është zhvilluar një ceremoni përurimi për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha. Pritej që rikonstruksioni të përfundonte në vjeshtën e vitit 2012, në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, por tashmë ka kaluar dyfishi i kohës së kontratës dhe është bërë shumë pak nga ajo që u premtua. Si rrjedhojë që prej dy vjetësh muzeu nuk vizitohet më as nga qytetarët shqiptarë, as nga turistët e huaj.
“Këtë vit, fatmirësisht, është siguruar një buxhet, më i madhi në tërë historinë e vendit, për zbulimin, kujdesin, restaurimin e monumenteve të kulturës, që shkon rreth 20 milion dollarë”, u shpreh gjatë përurimit Berisha, duke shtuar se “në çdo rreth, Ministria e Kulturës së bashku me qeveritarët vendorë do të marrë vendimet për të ngritur muzetë arkeologjikë, arkeologjikë-etnografikë, të cilët duhet t’u dëshmojnë vizitorëve të gjithë udhëtimin tonë në shekuj e mijëvjeçarë”. Kështu tha atëherë ish-kryeministri Berisha, por festa e 100-vjetorit erdhi e iku dhe sot aty ku po ruhen rreth 20 mijë objekte të trashëgimisë, syri i vizitorit dhe turistit nuk sheh gjë tjetër veç plehra dhe ca inerte ndërtimesh. E për më tepër nuk kemi parë të ngrihet asnjë muze nga ato që ka përmendur me gojën e tij vet Berisha.
Problemin e këtij muzeu e sollën në qendër të vëmendjes deputetët e PS-së të hënën në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias, ku ministrja e kulturës Mirela Kumbaro iu ka dhënë përgjigje për çështjen e pezullimit të restaurimit të Muzeut Arkeologjik, duke përforcuar faktin se rikonstruksioni duhet të kishte mbaruar para dy vjetësh. “Ka një fond të konsiderueshëm të këtij projekti që është vënë në dispozicion, që parashikonte rikonstruksionin e Muzeut dhe ndërtimin e godinave për administratën në shumën 262 milionë lekëve të reja, për të cilat është tenderuar vetëm në fazën e parë 104 milionë lekë të reja për rikonstruksionin që duhet të kishte mbaruar në 2010”, tha të hënën ministrja Kumbaro.
Ndërkohë gazeta ka ndjekur vet problemin dhe sipas burimeve nga Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës ka mësuar se punimet për muzeun arkeologjik të Durrësit nuk kanë përfunduar ende, “ndonëse koha e parashikuar për punimet në kontratën mes palëve ishte vetëm tetë muaj”, shprehet një nga specialistët. Ndërkaq shihet se oborri i Muzeut Arkeologjik më të madh të vendit vazhdon të jetë i mbushur me gurë të hedhur pa asnjë rregull, duke lënë një imazh shumë të keq për kalimtarët. Aty ku sot janë mbeturinat, projekti parashikonte një minipark ku do të vendoseshin objektet e mëdha arkeologjike të ndërthurura me gjelbërim dhe pemë dekorative. Por tashmë përpara syve kemi vetëm këtë imazh dhe askush nuk e di me siguri se kur do të hapen dyert e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.
Pas dyerve të mbyllura
Një intelektual durrsak, thotë se “Muzeu Arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. Ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi”. Në të vërtetë ku muze është një thesar i madh kombëtar. Vetëm në katin e parë të godinës ndodhen rreth 2 100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4 të erës sonë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe Amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuara edhe nga specialistët e huaj. Por ndërsa Amfiteatri ka nisur të ndriçohet, ne nuk mund ta dimë se çfarë po ndodh pas dyerve të mbyllura të këtij muzeu.
Kur dhe si do të behej rikonstruksioni i Muzeut të Durrësit
Rikonstruksioni i Muzeut të Durrësit, sipas specialistëve parashikohej sipas një plani që kushtonte 102 milionë lekë dhe 240 ditë për rikonstruksionin. Vendimi i qeverisë shqiptare për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit daton në janar të vitit 2011. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve akordoi 102 milionë lekë për përmirësimin rrënjësor të situatës në muzeun e Durrësit. Kontrata e nënshkruar mes Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe firmës Murati shpk filloi të realizohej në shtator të vitit 2011.
“Godina me pamje kuadratike trekatëshe nuk ka pësuar ndryshime në fasadën e jashtme, përveç lyerjes dhe përforcimit të kolonave mbajtëse. Brenda saj ka patur shumë pak ndryshime nga projekti fillestar i vitit 1982 dhe theksi është vënë në instalimet hidraulike dhe elektrike”, shprehet një nga punonjësit e këtij muzeu. Duke shtuar se “Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, u ndje në vështirësi gjatë zbatimit të rikonstruksionit, që nuk ishte parashikuar në kontratë; të gjitha objektet e paekspozuara duheshin zhvendosur në një mjedis tjetër, për ndërtimin e të cilit në oborrin e pasmë duheshin financime të tjera.
Mësojmë gjithashtu se pas kësaj janë shtuar financimet, por punimet e sapofilluara për një godinë modeste njëkatëshe u ndërprenë që në themele për shkak të pretendimit të një familjari për pronësinë e truallit. Pas kësaj ndodhie asgjë nuk është bërë transparente nga punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës dhe MTKRS, sepse shumë rikonstruktime që janë bërë ndërkohë nuk janë parashikuar nga fondi prej 102 milionë lekë...
Shkrimi u publikua sot (6.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/muzeu-i-durresit-prej-2-vjetesh-me-dyer-te-mbyllura-185777.html#sthash.vsWdmG94.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento