23/11/2013
“Nata e Bardhë” ose siç njihet zyrtarisht si festa e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë do të festohet këtë vit nën kujdesin e qeverisë shqiptare. Një traditë e vendosur nga Edi Rama kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës ky lloj organizimi në 24 orë në datën 29 nëntor me aktivitete të ndryshme deri në të gdhirë do të rikthehet sërish nga Rama, tashmë kryeministër. Ky aktivitet nuk u zhvillua vetëm vitin që shkoi. Dje kryeministria ka bërë publike vendimin për organizimin e kësaj feste duke ofruar bashkëpunim me restorantet dhe bizneset që do të bëjnë skonto në këtë ditë duke iu bashkuar festimeve. Në faqen e hapur në Facebook me emrin “Nata e Bardhë” shkruhet: “Ju kishte munguar? Asnjë problem! Nata e bardhë rikthehet në datën 29 Nëntor! Më e madhe, më e bukur, më e larmishme, më e gjatë! Koncerte, filma, shfaqje, muzikë dhe argëtim përgjatë një nate që nuk mbaron. Dhe mos harroni: Çdo restorant apo bar me tabelën “Këtu festohet Nata e Bardhë” do të ofrojë shërbim nën kosto në datën 29 Nëntor, nga ora 10 e darkes deri në 4 të mëngjesit.”
29 nëntori është një datë që i ndan çdo vit të majtët dhe të djathtët në Shqipëri megjithëse zyrtarisht kjo datë njihet si data e çlirimit.
Nessun commento:
Posta un commento