Teatër, muzikë dhe art pamor gjatë një nate në Galerinë Kombëtare të Arteve

Dyert e Galerisë do të hapen dhe të gjitha sallat do të jenë në dispozicion të vizitorëve. Në sallën e ekspozitave të përkohshme vizitorët mund të shohin ekspozitën që vazhdon të jetë e hapur të artistit nga Kosova, Rexhep Ferri “Afër dhe larg”. Në ekspozitë paraqiten 50 vepra në pikturë, në teknikën vaj mbi pëlhurë. Veprat janë një pjesë e krijimtarisë së tij 50-vjeçare. Vepra më e hershme është e vitit 1967, me titull “Porosia”. Atmosfera e ekspozitës ndërtohet në idenë e titullit të saj: “Larg dhe Afër”, si një ndjesi e natyrshme dhe e gjeneruar nga hapësira e zhvillimit të arteve pamore në të dy vendet tona shqipfolëse, që në fillim të shek. XX. Një tjetër hapësirë që mund të vizitohet nga publiku është Linja Muzeore e Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve me 5 salla (Salla Fillesat e Pikturës në Qytetet Shqiptare 1883-1930; Salla Shkolla e Vizatimit; Salla Piktura/Skulptura akademike dhe tabloja me temë historike 1950-1986; Salla Realizmi Socialist, ndërtimi i modeleve të njeriut të ri; Salla Piktura Formaliste e Realizmit Socialist 1969-1974). Një kuartet harqesh me repertor klasik do të jetë në ambientet e brendshme të Galerisë. Nuk do të mungojë gjatë kësaj mbrëmjeje të gjatë dhe teatri. Regjisorja Arjeta Dhima dhe trupa e saj do të organizojnë performancën “Një pikë e kuqe”. Ermal Rodi, saksofonisti i mirënjohur do të performojë në sallën e realizmit socialist. Në orët e vona të mesnatës dhe deri ditën tjetër në mëngjes, Art Kontakt dhe TICA do të shfaqin punë artistësh bashkëkohorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë në video, në ambientet e jashtme/brendshme të Galerisë.
Nessun commento:
Posta un commento