FATOS LUBONJA
Mërkurë, 13 Nëntor, 2013 | 11:32 am
Tashmë kjo ka ndodhur, propozimi është bërë. Ndoshta ndonjë ditë do t’ia marrim vesh edhe emrin propozuesit, sepse ka gjithmonë një njeri të parë të cilit i shkon ndër mend. Një gjë di të them me siguri: cilido qoftë ai i huaj që ka propozuar sjelljen e armëve kimike siriane në Shqipëri, nuk mund të jetë mik i shqiptarëve. Në rastin më të mirë ai ka bërë thjesht pazaret më me leverdi për vendin e tij dhe karrierën e tij personale. Sidoqoftë, një racizëm ndaj shqiptarëve nuk duhet t’i mungojë, por do të thosha edhe më shumë se kaq. Qoftë amerikan, qoftë rus, qoftë europian, qoftë afrikan, kristian apo mysliman, qoftë agjent i CIA-s apo i KGB-së, ai duhet të jetë shumë i varfër nga ndjenjat humane dhe demokrate. Jo për gjë, por mjafton të kesh parasysh se Shqipëria është një vend i vogël dhe i varfër, me një histori aq të dhimbshme në të kaluarën dhe me politikanë aq mafiozë në të tashmen, saqë një individi me ndjenja humane dhe demokrate do t’i ngjallej ndjenja e ndihmës ndaj popullit të këtij vendi kundër kujtdo që kërkon ta fyejë dhe përdhunojë edhe më. Sepse ky është edhe një akt përdhunimi. Personalisht kështu e përjetoj dhe e shoh jo vetëm unë, por shumica dërrmuese e shqiptarëve. Na kanë gjetur të varfër, na kanë gjetur pa brekë dhe duan edhe të na përdhunojnë. Dhe, ironikisht, duke kërkuar të na mbushin mendjen se kështu mund të fitojmë ndonjë para dhe mund të fitojmë titullin “qytetarë të mirë ndërkombëtarë”.
Dhe meqë ra fjala: kush e ka thënë që Amerika është partneri ynë më i madh strategjik? Me sa di unë, ne kërkojmë të bëhemi shtet pjesëtar në Europën e Bashkuar, dhe jo shtet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftoj ata që merren me shifra të kontrollojnë se sa para ka dhënë Europa për Shqipërinë dhe sa SHBA-të. Nga sa di unë, Europa ka dhënë e jep shumë më tepër, kurse Amerika shumë më pak. Ne kemi po ashtu vendet fqinje që janë shumë më strategjikë sesa Amerika. E vërteta është se një Amerikë kësisoj, së cilës u dashka t’i themi “po” për gjithçka, na e kanë projektuar politikanët tanë për të na shpëlarë trutë, siç na ka pas projektuar Enver Hoxha dikur BS-në apo Kinën. Në fakt, Amerika ka të mirat dhe të këqijat e saj, ashtu sikurse ka edhe axhendën e saj, në të cilën, ju siguroj unë, Shqipëria zë një vend të papërfillshëm.
Por, tek e fundit, problemi nuk është Amerika dhe as politikanët, apo ambasadorët, apo spiunët amerikanë. Problemin ne e kemi me ata që jo vetëm nuk kanë turp të marrin kësi vendimesh, por që edhe kërkojnë të na mbushin mendjen se kjo punë nuk është përdhunim, por akt i lirë dashurie nga i cili duhet të ndiejmë kënaqësi dhe, madje, të jemi krenarë, sepse po na e fut Amerika.
Pyetja që shtroj unë, megjithatë, është një tjetër. Si ka mundësi që ne kemi frikë se kjo mund të ndodhë, ndonëse, siç duket sheshit kësaj radhe, nuk ka shqiptar normal, përveç një grushti shumë të vogël banditësh anormalë, që ta pranojë një përdhunim të tillë? Kam ndjekur me vëmendje reagimin në shtyp dhe në përgjithësi opinionin publik. Rrallëherë në historinë e këtyre njëzet vjetëve ka ndodhur që të shikosh bashkë, në të njëjtën mendje, tërë ato figura të njohura të jetës sonë publike në përgjithësi si shprehës të opinionit të gjerë publik. Dhe megjithatë, ne kemi frikë se banditët do të na i sjellin plehrat kimike. Atëherë pse e kemi këtë frikë?
Ka dy arsye kryesore, do të thosha unë, që ne kemi frikë.
E para është psikologjike dhe ka të bëjë me përvojën tonë historike. Që njerëz si Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta e të tjerë janë të gatshëm që për pushtet e për para të përdhunojnë e bashkëpunojnë me përdhunues, këtë e dimë prej kohësh. Në fakt, po të qetësohesh pak, do të kuptosh se në histori përdhunimi jemi ndoshta që në krye të herës, kur u formua shteti shqiptar. Prandaj dhe na ka hyrë thellë, deri në palcë, ajo ndjenja e pafuqisë dhe e nënshtrimit ndaj përdhunuesit. Dhe jua them unë se të njëjtën ndjenjë kanë edhe Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta me shokë. Në këtë histori ka edhe një sadomasokizëm të paparë. Me të njëjtën arrogancë dhe paturpësi me të cilën ata përdhunojnë të vetët që kanë poshtë, me të njëjtën paturpësi dhe vetënënshtrim përdhunohen nga krerët e Amerikës që i kanë sipër. Imagjinoi sikur Edi Rama të dalë e t’u thotë “jo” përdhunuesve që ka sipër, ne do të dalim ta brohorasim si shpëtimtar, ndërkohë që do të duhej t’i kishim kërkuar dorëheqjen vetëm pse na futi në këtë telash, pse ka kaq ditë që s’jep përgjigje e s’bën transparencë duke na rritur mjaft dyshimin se propozuesi mund të jetë edhe ai vetë. Ja, kaq poshtë jemi psikologjikisht për shkak të përdhunimeve të vazhdueshme.
Arsyeja e dytë është politike: ka të bëjë me parimet e demokracisë të tradhtuara këta njëzet vjet. Që një demokraci të funksionojë si demokraci duhet një minimum gjërash. Që të ndalosh një akt të tillë duhet të ketë një opozitë të fortë, për shembull. Ne kemi një opozitë që mezi po flet jo vetëm pse ka të njëjtën mendësi – për pushtetin dhe paranë mund të bëjë gjithçka – por që edhe është e komprometuar thellësisht me akte të tilla të turpshme. Kush ngrihet me avion nga Rinasi dhe hedh vështrimin poshtë, sheh një vend që duket sikur është bombarduar jo me bomba të thjeshta, por me bomba bërthamore. Janë rrethinat e fabrikave të çimentos që ka lejuar Berisha, që pasurojnë një grusht njerëzish dhe që po shkatërrojnë natyrën dhe tërë ekosistemin me një shpejtësi që mund të krahasohet vetëm me shpejtësinë e rritjes së barkut të këtyre të babëziturve. Të bashkohesh sot me këtë opozitë për të protestuar për ndalimin e mbetjeve kimike është sikur të bashkohesh me ata që të kanë përdhunuar deri dje, e për të cilën je i sigurt se sapo të vijnë në pushtet do të të bëjnë të njëjtën gjë. Sepse në këtë rast duhet të kemi parasysh edhe ata që, bashkë me Edi Ramën, ndoshta kanë filluar të bëjnë hesap se si do të vjedhin paratë e demontimit, siç kanë bërë me paratë e rrugëve e të tenderëve të ndryshëm. Por a mund të ketë kredibilitet një opozitë e demontimit të Gërdecit, e fabrikave të çimentove, e koncesioneve skandaloze të hidrocentraleve, e sjelljes së plehrave nga jashtë etj. në këtë luftë, që me shumë gjasa ka në prapavijë të njëjtët biznesmenë që bashkëpunojnë edhe me Ramën? Prandaj dhe duke qenë pa opozitë të vërtetë ne kemi frikë.
Por që të mos kishim frikë të ndalonim këtë akt, do të duhej të kishim pasur edhe një drejtësi të pavarur. Sikur të kishim pasur një drejtësi të pavarur, do të kishim bërë me kohë drejtësi ndaj Sali Berishës, Fatos Nanos, Edi Ramës, Ilir Metës e shumë bashkëpunëtorëve të tyre, dhe jo vetëm këta nuk do të kishin qenë në pushtet, por politikanët që do t’i kishin pasuar nuk do të kishin guxuar as t’u shkonte ndër mend të sillnin armët kimike siriane në Shqipëri. E pra, një drejtësi që të na mbrojë nga banditët ne nuk e kemi, përkundrazi, janë ata që e përdorin drejtësinë kundër nesh, prandaj dhe kemi frikë.
Por që të ndiheshim të fortë ne do të duhet të kishim pasur edhe një opinion të fortë publik me shoqëri civile dhe media të pavarur si zëdhënësin kryesor të saj. Ne as këto nuk i kemi, sepse të dyja bandat kanë punuar për ta ndarë më dysh opinionin publik, shoqërinë civile, mediat me filozofinë enveriste, kush nuk është me mua është me armikun tim, apo me filozofinë e zgjedhjes të së keqes më të vogël. Nuk keni asnjë shpëtim tjetër: o me Saliun, o me Edin. Kështu na thonë. Dhe “Edi është më i mirë se Saliu, se Saliu është malok, kurse Edi është qytetar”. Kështu na thanë ata që mbështetën të keqen më të vogël të radhës që, me këtë akt, do bëhet menjëherë më e madhja. Kanë dalë madje disa teoricienë që na thonë se edhe betonizimin e Tiranës nuk e bëri Edi, por e bënë malokët që zbritën nga veriu. Ja, këtë punë bëjnë mediat tona, intelektualët tanë, që u plaçin sytë më shumë se ç’u kanë plasur! Në vend që të punojnë për të vërtetën që i bashkon të gjithë, punojnë natë e ditë të përçajnë shqiptarët në emër të interesave të dy bandave, njëlloj siç vepronte dikur propaganda enveriste për interesat e një bande të vetme. E ky sistem përçarjeje, që kërcënon edhe me bukën e gojës ata që qëndrojnë jashtë tij, punon në mënyrë perfekte. Madje në harmoni edhe me amerikanët. E ku ta gjejnë amerikanët një vend të tillë të rehatshëm, pa opinion publik. A e patë se ç’ndodhi kur deshën të lançojnë sulmin mbi Siri? Ky i gjati ynë doli menjëherë me gaz në fytyrë të na tregojë se sa krenarë duhet të ndiheshim për sulmin ushtarak që do të bënim bashkë me amerikanët, pa pritur as të shohë se ç’do të bënin britanikët, partnerët superstrategjikë të SHBA-ve, që e votuan kundër. Sepse atje ka opinion publik që të dërrmon, kurse ne jo, jemi të frikësuar, pasi jemi të përçarë nga dy bandat që na kanë në dorë edhe bukën e gojës.
Me dy fjalë, ne kemi frikë se këta mund të na bëjnë të pabërën pasi pushtetin te ne nuk e ka populli, por bandat, të cilave u intereson një operacion i tillë ashtu siç i ka interesuar, për shembull, Kamorras në Itali të varroste mbetjet kimike toksike të Veriut të Italisë në Campagnia.
Megjithatë, thënë të gjitha këto, në këtë rast është me vend ajo thënia: “Çdo e keqe e ka një të mirë”. E mira e kësaj gjëme të mundshme është se ngjarja është kaq e rëndë, saqë edhe pa ndodhur, po e ndihmon opinionin publik të bëjë një hap të madh ndërgjegjësimi mbi atë se kjo klase politike duhet konsideruar si armike në bllok, se duhet krijuar një lëvizje përtej dhe kundër saj, nga i cila të lindë nesër edhe demokracia shqiptare, në kuptimin e vërtetë të fjalës si pushtet i popullit, dhe jo i përdhunuesve të tij. E provon këtë edhe fakti se njerëz të njohur si fanatikë apo partizanë të llogores së maxhorancës janë shprehur kundër apo kanë heshtur. Me këtë rast i ftoj lexuesit e mi, veçanërisht të rinjtë, të firmosin peticionin e Aleancës Kundër Importi të Plehrave https://secure.avaaz.org/ en/petition/ Peticion_ kunder_ pranimit_ te_ armeve_ kimike_ te_ Sirise_ nga_ Shqiperia_ No_to_Assad_Chemical_//////Weapons_in_Albania/?kocEbgb dhe t’i kthehen edhe një herë këngës “Mjaft më me ju”, të lançuar nga një grup të rinjsh në prag të zgjedhjeve, http://www.youtube.com/watch?v=6wIoT10S8Z8. Ka ardhur koha që ata të mendojnë seriozisht se duhet të dalin në skenë, të marrin në dorë të ardhmen e tokës së tyre, që, siç thotë kënga, “s’mban dot më”, në mënyrë që nesër të gjithë të kemi më pak frikë se banditët mund të na sjellin helmin në shtëpi.
http://www.panorama.com.al/2013/11/13/pse-kemi-frike-se-do-na-e-sjellin-helmin-ne-shtepi/
Nessun commento:
Posta un commento