19 novembre 2013

Kongresi i Studimeve Arkeologjike me gjetjet spektakolare të mijëvjeçarit të ri, Mblidhen nga mbarë bota më 21 dhe 22 nëntor studiuesit e kësaj fushe

19 nëntor 2013 13:16
Komuniteti i arkeologëve nuk është mbledhur në një kongres prej vitit 1986. Më 21 dhe 22 nëntor studiuesit e kësaj fushe mblidhen nga mbarë bota dhe prezantojnë zbulimet me të veçanta të mijëvjeçarit të ri në territorin e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. 
Kjo dorë që mban një aurorë, e bërë prej fildishi, 60 centimetër e lartë, e shekullit të gjashtë, e zbuluar në pallatin peshkopal në Butrint është nga gjetjet më spektakolare që janë bërë në 20 vitet e fundit. Objekti është zgjedhur si simbol i Kongresit Ndërkombëtar i Studimeve Arkeologjike Shqiptare që mbahet më 21-22 nëntor në Pallatin e Kongreseve. 
Bëhen 65 vjet që kur u krijuan institucionet e arkeologjisë që kanë mbajtur peshën e studimeve dhe kërkimeve në fushën e trashëgimisë dhe historisë së lashtë të shqiptarëve. Që nga viti 1986 kur u mbajt Kongresi i dytë i studimeve ilire, nuk ka pasur një prezantim në nivel të tillë ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e studiuesve vendas dhe nga universitetet analoge franceze, italiane, gjermane, britanike, amerikane. 

Imazhet që po përcjellim për herë të parë janë nxjerë nga albumi i zbulimeve që janë kryer në njëzet vitet e fundit, të dhënat të cilat kanë përcaktuar për shembull rishikimin e kronologjisë në prehistorinë shqiptare apo që përforcojnë të dhëna të tjera të mëparshme në çështje të etnogjenezës, bilance në kërkimet epigrafike, numizmatike apo ikonografinë dhe teknikën e mozaikëve në Shqipëri, po edhe në Kosovë e Maqedoni.

Studiuesit kanë nevojë të masin fjalën për t’u shprehur njëherë në tridhjetë vjet e për ta trashëguar në botime, por kjo bukuri që sot duket e ngrirë dhe e akullt ka nevojë të njihet e të përcillet në muzetë e mbyllur, të varfër e të shfrytëzueshëm vetëm si hapësira turistike ekzotike.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate