27 novembre 2013

Paganini i Çiftelisë Shqiptare dhe vështirsit të gjesh një mjeshtër të çiftelisë apo të fyellit

NGA: FATMIR LUARASI
Ndue Shyti, Paganini i Çiftelisë ShqiptarePUKE-Sot është e vështirë të gjesh një mjeshtër të çiftelisë apo të fyellit. Dikur e kishim. E kemi fizikisht edhe sot Artistin e Madh. E kemi harruar 80-vjeçarin Ndue Shyti, i cili njihet ndryshe edhe si Paganini i çiftelisë shqiptare. Askush si ai nuk dhuroi tinguj kaq të harmonishëm prej drurit dhe telave, apo fyejve; askush si ai nuk e solli artin dhe shpirtin e popullit në skenat më të mëdha të botës. E ky shkrim synon për të shlyer sadopak mëkatet tona të përditshme që bëjmë me të kaluarën e artë. Artisti i Popullit gjallon dhe sfidon me shpirt heshtjen tonë, duke sjellë kujtime që shumë prej të rinjve nuk i kanë dëgjuar kurrë; madje ato mund të duken edhe si legjenda…

Mrekullia në Dizhon të Francës

“Para se të niseshim për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të vitit 1970, në Dizhon të Francës, bëmë shumë prova në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë dhe ‘qepëm’ një koncert që do të zgjaste 80 minuta”, – thotë Artisti i Popullit, Ndue Shyti. Kur mbërritëm në Dizhon na ndryshoi plani…. Na thanë se koncerti ynë (si çdo shtet tjetër) do të reduktohej në vetëm 15 minuta. Pra, duheshin hequr pjesë të ndryshme të programit. Mua më thanë që ‘ta qethja’ melodinë time. Rashë në mendime se çfarë të hiqja? Atëherë vendosa të shpejtoj ritmin. Nga shtatë minuta duhet ta bëja tre. Më erdhi radha. Dola në skenë. Fillova të luaj në çiftelinë që më kishte bërë Gjin Shkoza (mësuesi im i parë si instrumentist). Gishtat lëviznin lehtë dhe me shpejtësi si asnjëherë. Duhet ta mbyllja në kohën e caktuar, ndryshe grupi skualifikohej. (Kështu ishte rregulli). Binte gongu, pjesa mbyllej. Unë që nuk e matja dot kohën, në ato momente emocionesh duke i rënë çiftelisë, fillova të tërhiqem nga skena. Gongu (topan i thotë Ndue Shyti) nuk po binte. Ndërkohë. kryetari i jurisë më bëri shenjë t’i afrohesha mikrofonit. U afrova dhe vazhdova t’i bie. Më ftoi të zbrisja nga skena për te juria. “Pasi këqyri bajagi çiftelinë, më shtrëngoi një dekik dorën dhe tha: ‘Bravo Albania! Fituat’.
Tish Daia ma përktheu. ‘Mersi boku’, – iu përgjigja unë (kështu na kishin mësuar të thoshim sa herë na lavdëronin)”.

Çiftelia asht shqiptare
“N’atë dekik m’u kujtua se dikur, në Turqi një fansi jem (politikan turk), kur u kënaq me melodinë e çiftelisë time e që mësoi se jam albanez, më tha: ‘Kemi kujtuar se çiftelia ka lindur në Anadoll, por njëtash u binda se e paska origjinën nga Albania. Po ku bie kjo Albania, axheba?’ Ndërsa sot Albaninë le ta marrë vesh e gjithë bota mbarë”.

“Aty në Dizhon morëm Gjerdanin e Artë (3 kg e 860 gramë) – jo unë, por grupi”, – thotë Ndueja me modesti. “Si mos fitonim na, tu pas në krye Besim Zekthin e Ibrahim Tukiçin?”

Ndueja përdor shpesh një shprehje mirditore: “Asht ma e mirë gjasa se kapucari”, – që do të thotë: “Më e saktë është ajo që ndodh, sesa kjo që thuhet”. Pra, nuk mund të rrëfehet ajo që ndodhi në Dizhon të Francës më 30 gusht – 4 shtator 1970. Çaste të bukura, të paharruara. Ansamble, të mbledhura nga e gjithë bota, do të parakalonin para personaliteteve kryesore franceze. Shqiptarët me Gjerdanin e Artë mbanin mbi supe shqiponjën e kërcimit, artistin Besim Zekthi. Bulevardi u bllokua 60 minuta sepse njerëzit që kishin mbushur dy anët e rrugës donin të përqafonin fituesit. Ata brohorisnin: “Albania… Albania!”. Në përfundim të parakalimit Ndue Shytit iu desh të përballej me pesë profesorë të muzikës franceze. Ata do të kontrollonin me rrënjë e degë instrumentin magjik. (Atë çiftelinë që kokën e kishte me dru mani e bishtin me dru ahu). Profesorët nuk i jepnin kënd si e qysh dhe çfarë magjie ka brenda vegla që lëshon ato tinguj të ëmbël.

Tinguj bjeshke
Artisti i Popullit, Ndue Shyti, lindi 80 vjet më parë në Gojan, në një fshat të Pukës. Ishte veçse 3 vjeç kur e mori çiftelinë për herë të parë në dorë. Teksa vitet kalonin telat e çiftelisë çdo ditë e më shumë prodhonin tingujt të harmonishëm dhe ngjyra mahnitëse nëpër gishtat që rriteshin. Artisti i vogël shoqëronte të rriturit me veglën muzikore. Kur dilte në stane, lart në bjeshkë, ai merrte me vete çiftelinë dhe fyellin; pjesën e pandarë të jetës së vet. Për herë të parë dha një koncert para grupeve vullnetare, që po ndërtonin hekurudhën Elbasan-Peqin, në vitin 1950. Ata e kishin marrë artistin 15-vjeçar që t’u binte veglave në orët e dëfrimit. Kaq deshi që tingujt e dalë nga çiftelia e tij të merrnin dhenë. Aty ndjeu dhe kënaqësinë e duartrokitjeve. Në ato vite të vështira Ndueja punonte me sharrëxhinjtë dhe në vaktet e drekës, çlodhte punëtorët me meloditë që krijonte nëpër telat e çiftelisë. Ai kujton se këtë kënaqësi e kishte ndjekur përgjatë gjithë viteve, edhe në kohën kur ishte në shërbimin ushtarak. Aty provoi diçka më tepër; provoi t’i binte çiftelisë para mikrofonit. Tani talenti i tij kishte rënë në sy. Çdo ditë njihej ndërsa dhuntia perfeksionohej. Një ditë ai do të përballej me vlerësimin e ekspertëve të muzikës. Me gjithë sigurinë që kishte në veten e tij, ende nuk i harron ato emocione që provoi.

Ishte viti 1958 kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të rrethit. Aty mori diplomën e parë për talentin dhe punën e akumuluar ndër vite mbi dy tela çiftelie. Rritej djaloshi, rritej dhe nami i tij.

Një ditë, nga skena e Pukës do të dilte në një ngjitej në një tjetër skenë, kësaj radhe më të madhe, do të shfaqte talentin e tij për artdashësit e kryeqytetit. “Ndihesha i gëzuar, por me më shumë përgjegjësi”, – thotë Ndueja. Përveç çiftelisë, aty i ra edhe bilbilit (instrument që e kishte përgatitur vetë). Në sallë ishte edhe Enver Hoxha. Ndueja thotë se Enveri i ngjit në skenë dhe iu drejtua: “Ndue, si quhet ky instrument?”. “Bilbil”, – iu përgjigj Ndueja. Më pas ai thotë: “Të lumtë! Në duart tuaja fishkëllen si pishat tona krenare”. Ndueja kishte me vete një grup me 104 instrumentistë popullorë pukjanë. Ata kishin për mësues Ndue Shytin. Teksa largohej nga skena, Enver Hoxha tha se “edhe Franca nuk ka një artist që të luajë si malësori ynë, me dy tela e një bilbil”. “Nji kjo çifteli e ky bilbil, – thotë Ndue Shyti, – më bënë të njohur dhe më kanë shtrënguar dorën burra shteti, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Ramiz Alia, e deri te Sali Berisha”. Ai kujton se tingujt e çiftelisë kanë mahnitur edhe Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, të cilët i kanë shtrënguar dorën.

Histori të rralla

Artisti i Popullit Ndue Shyti dhe çiftelia e tij i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai është bërë i njohur me interpretimet e tij nëpër skenat botërore, në Kinë, Francë, Turqi, Suedi, Jugosllavi etj. Kudo ka marrë duartrokitje e fjalë të ngrohta. Një gazetë franceze shkuan për të: “Ndue Shyti, një shqiponjë që luan me dy tela, por që tingëllon si një simfoni”. Ndërsa bashkëshortja e Mao Ce Dunit thoshte në një nga gazetat kryesore kineze: “Një shqiptar virtuoz i vërtetë”. Një media maqedonase në Ohër thoshte shumë vite më parë: “Ndue Shyti është një nga instrumentistët më të mëdhenj të Ballkanit”.

Fama e Ndue Shytit jehoi nga Bjeshkët e Tërbunit deri në Pekinin e largët. Ai interpretoi në sallën ku ndodhej udhëheqësi komunist Mao Ce Duni, një pjesë instrumentale kineze. “Salla gjigante më shoqëronte me këngë e thirrjet përsëritëse ‘ci go jo’, ‘ci go jo’”, – kujton me mallëngjim Artisti i Popullit.

Kujtime që nuk vdesin

cifteli
Në karrierën e tij artistike Ndue Shyti ruan shumë kujtime. Ai tregon se teksa luante në një skenë në Turqi, në mes të melodisë, i këputet njëri nga telat e çiftelisë. “Vazhdova me një tel deri në fundin e pjesës muzikore. Ndihesha keq, por u ngroha shumë nga duartrokitjet me ovacione të mëdha. Ambasadori ynë atje më tha: ‘Kur nuk e mora unë vesh se ti i re çiftelisë me një tel, edhe salla nuk e dalloi’”, – thotë artisti. Ai rrëfen një tjetër histori.

“Në Jugosllavi u fikën dritat në krejt sallën, por unë vazhdova t’i bija çiftelisë dhe dukej sikur tingujt shpërndanin dritë”. Ndue Shyti i njeh shumë mirë instrumentet popullore, sidomos çiftelinë dhe fyejt. Çuditërisht interpreton pa partiturë. Madje më mirë se artistët e mëdhenj që punojnë me partitura. Por ai ka edhe një gjeni tjetër të veçantë: Ndueja i përgatit vetë instrumentet, vetë kompozon, organizon grupin dhe dirigjon. Edhe këtu pa partiturë.

Arti dhe politika

“Tingujt e mi nuk kanë pyetur për politikën”, – thotë Ndue Shyti. Në atë kohë e kanë dëgjuar të gjithë ata që kishin veshë, si komunistët, ashtu edhe kulakët. “Çiftelinë time ma ka pëlqyer edhe Enver Hoxha, edhe Sali Berisha. Për mua, si njëri dhe tjetri janë dashamirës – fansa – njëherësh politikanë”, – thotë Artisti i Popullit. Ai kujton një koncert, bashkë me Fatime Sokolin. “Sa kishim dalë nga një koncert dhe takuam Sali Berishën, doktor me zë, dhe na ftoi për kafe”, – thotë Ndueja, i cili kujton fjalën që tha: “Me ju krenohet Malësia”.

Mjeshtri i çiftelisë thotë se e ka takuar edhe një herë tjetër zotin Berisha, kur u bë kryetar i Partisë Demokratike në qytetin e Pukës. “Rastësisht më takoi dhe më tha fjalë të mira”, – shprehet artisti i përjetshëm i malësisë.

Tri magjitë e çiftelisë 
Çiftelia e Ndue Shytit nuk ka një, por tri magji: Instrumenti i prodhuar nga kryemjeshtri Gjin Shkoza; melodia që buron në gurrën popullore dhe së treti, por mbi të gjitha, vetë dhuntia që i fali Zoti Ndue Shytit. Në karrierën e tij ka një mal me dekorata, diploma, certifikata etj. Janë të regjistruara mbi 450 koncerte brenda vendit dhe me dhjetëra të tjerë jashtë vendit. Sot. në moshë të thyer, është vlerësuar me titujt “Artist i merituar” dhe “Artist i Popullit”, “Krenaria e qytetit të Pukës” dhe me vlerësim në vendin e lindjes së tij.

Ai jeton dhe luftën në heshtjen e përditshme, me harresën e madhe, larg zhurmës dhe famës së dikurshme, në Lagjen Nr. 14 të qytetit të Durrësit. Prej 15 vitesh lufton me sëmundjen e paralizës. Shpirti prej artisti dhe familja e tij e ndihmojnë të sfidojë sëmundjet e moshës. Artisti i Popullit nuk ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për artin dhe talentin e tij. Gjithçka që Ndue Shyti bëri për artin popullor do ta bënin të meritueshme edhe titullin “Nderi i kombit”, pasi gjithë jetën ai e nderoi vendin e vet, në skenat brenda dhe jashtë vendit; sepse përçoi anembanë identitetin e shqiptarit. Heshtja e Artistit të Popullit është më e madhe sesa harresa jonë.


(d.b/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate