08 novembre 2013

Shën Mëria, fotot e shkatërrimit të kishës së 1600-ës

NGAFATMIRA NIKOLLI
08 Nëntor 2013 - 17:03 

Shën Mëria, fotot e shkatërrimit të kishës së 1600-ësAi ngrihet larg qendrave të banuara, rreth një orë e gjysmë nga Manastiri i Kakomesë. Fshati më i afërt është Nivicë-Bubari. Prej ndej hapet një pamje e gjerë dhe panoramike e bregut të Jonit dhe poshtë manastirit shtrihet një nga plazhet më të bukur të Jonit".

Profesor Pirro Thomo na e përshkruan me këto fjali vendndodhjen e Manastirit të Shën Marisë në Krorëz të Sarandës.

I përbërë nga disa ndërtesa, më e hershmja prej tyre daton në vitin 1762. Të gjitha godinat sot janë në gjendje gjysmë të rrënuar. "Kisha e manastirit është pikturuar në vitin 1672 dhe paraqet interes jo vetëm për vlerat ambientale, arkitektonike, por edhe artistike, të pikturës murale që vesh gjithë interierin e kishës. Duke qenë e braktisur dhe larg qendrave të banuara, piktura murale është dëmtuar rëndë nga gërvishtjet të bëra nga persona të papërgjegjshëm", thotë Thomo.

Ata që kanë shkarravitur mbi mure e mbi piktura kanë shkruar emra, mbiemra, vendin e origjinës e gjithçka tjetër. Pamja që të shfaqet parasysh është e frikshme. Kisha i ngjan tashmë një getoje, më shumë se sa një vendi ku njerëzit falen e i përulen Zotit. Fotografitë që po botojmë sot janë fiksuar nga profesor Pirro Thomo, disa kohë më parë. Mjerimi i monumenteve dhe i vlerave ka pikërisht këtë pamje, të dhimbshme, të prekshme, por nëse do edhe të kurueshme.

Monumenti
Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë Krorez Nivicë është një kishë me strukturë në formë kryqi me kupolë mbi katër mbështetje të lira, që ngjan me kishat bizantine.
Struktura e brendshme nuk shfaqet në çati, ndërsa mbulesa dyujëshe i jep asaj pamjen e një bazilike me kupolë në transept. Ka përmasa të brendshme 7,90 x 4,40 m. Ngritur në një breg shkëmbor piktoresk buzë detit Jon, rreth 2 km Veri-Perëndim të kishës së Manastirit të Kakomesë. Përbëhet nga një vëllim unik dhe ka në brendësi naosin, të ndarë nga ambienti i altarit nëpërmjet një ikonostasi prej muri të suvatuar. Naosi ndriçohet nga dy dritare të ngushta në muret veriore e jugore dhe dritaret e tamburit, ndërsa ambienti i altarit ka dy dritare të vogla.
Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka drejtkëndëshe dhe ka një rozete në pjesën nën kupolë me një yll 6 cepash në mes. Sistemi i mbulesës me harqe e qemerë mbështetet mbi 4 kolona me prerje rrethi dhe muret anësore. Çatia është mbuluar me rrasa guri dyujëse. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë të çrregullt e llaç gëlqereje, duke pasur në rreshtat e tyre tendencë horizontaliteti. Në anën perëndimore është shtuar një mur me një hapësirë të harkuar në mes, që mbledh ujërat e çatisë për të kaluar në sterrën e ndërtuar në anën Veriore të saj. Ndërtesa me çardak është dykatëshe dhe u ndërtua në vitin 1762. Çardaku është i mbuluar nga zgjatimi i plegmës së çatisë së pjesës tjetër të ndërtesës. Kisha është një abside, ngjason me kishat e tipit sallë me kupolë. Është e periudhës pasbizantine dhe është pikturuar në vitin 1672.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate