17 novembre 2013

Ekologjistë nga Estonia dhe Kosova vijnë më 22 nëntor për pastrim gjeneral

17 Nëntor 2013
Lorina Mixha
ndotjeMë 22 nëntor, rreth 100 mijë aktivistë, vullnetarë, ekologjistë pritet të pastrojnë të gjitha zonat e papastra në vend. Bëhet fjalë për ato vende ku nuk paraqitet rrezikshmëri dhe pastrimi bëhet në kushte të thjeshta. Estonia dhe Kosova, që e kanë kryer aksionin e madh dhe kanë zbatuar projektin që pritet të realizohet edhe në vendin tonë, pritet të vijnë e të japin kontributin e tyre në mes të javës së re. Të rinj, të reja kryesisht, por edhe vullnetarë të të gjitha moshave, për një kohë të gjatë kanë ngritur rrjetin e parë të hartës së parë dixhitale, ku paraqiten zonat dhe vendgrumbullimet e mbeturinave më problematike. Këto të dhëna do t’i vihen në dispozicion qeverisë qendrore dhe asaj vendore për të marrë më pas vendime se ku janë zonat ku nevojitet ngritja e landfilleve me urgjencë dhe mënyra se si do të administrohet më tej pastrimi i vendit dhe kryesisht i zonave turistike.
Një autobus me 40 vullnetarë, për dy javë me radhë kanë shëtitur në zonat turistike dhe kanë evidentuar problematikat nga terreni, duke përfshirë në projektin e tyre përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, mbështetësi kryesor i këtij aksioni.
“Nëpërmjet këtij projekti ne duam të pastrojmë grumbullimet ilegale të mbeturinave nga zonat natyrore në të gjithë vendin në një ditë. Grumbullimet ilegale të mbeturinave që do të identifikohen dhe do të pastrohen gjatë kësaj fushate, janë ato të cilat janë hedhur në zonat natyrore nga qytetarët (shtetasit vendas apo turistë). Ne nuk do të ndërhyjmë në zonat ku mbeturinat janë depozituar në mënyrë sistematike (në këto zona do të pastrohet me ndërhyrjen e ushtrisë dhe strukturave të specializuara). Zonat që janë pjesë e targetit tonë mund të jenë në tokë dhe në ujë”, tha Ervin Shehaj, drejtuesi i lëvizjes në Shqipëri.
Vullnetarët shqiptarë kanë përkthyer dhe përshtatur programin e fotografimit, evidentimit dhe shënimit të zonave nëpërmjet punës së tyre në terren, nga vende që e kanë zbatuar planin e aksionit.
Ashtu si edhe në aksionin e organizuar në Estoni në vitin 2008 (vend i cili është iniciatori i lëvizjes botërore) dhe atyre të organizuar në 107 shtete të botës, aksioni në Shqipëri nënkupton përfshirjen e qytetarëve, autoriteteve qendrore dhe lokale, kompanitë private, ndërmarrjet e pastrim-gjelbërimit, operatorët e grumbullimit të mbeturinave legale, figura publike dhe mediat, në mënyrë që të mobilizojë të gjithë popullin dhe t’i ftojë të gjithë të dalin jashtë për të pastruar mbeturinat në ditën e caktuar sipas planit të përgatitur nga lëvizja “Ta pastrojmë Shqipërinë”.
Sipas Shehajt, objektivat afatgjata që projekti propozon lidhet me ndërgjegjësimin e qytetarëve, të cilët duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, në mënyrë që të gjithë së bashku të përmirësojmë infrastrukturën dhe sistemin e gjobave.
Të gjithë ata që nuk do të mund të përfshihen në aksionin e qytetarëve, nëse nuk u mungon dëshira le të dalin në rrugë, lagjet e tyre, komunitetin ku jetojnë dhe të pastrojnë, ashtu siç organizohej pastrimi edhe para viteve ’90. Kështu, ata që do të pastrojnë dhe do të bëhen pjesë e kësaj iniciative, do të jenë edhe më të predispozuar për të mos bërë pis në vazhdim…

“Shqipëria u gdhi
e qetë, por jo e pastër”
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” më 22 nëntor, si mënyra më e mirë për treguar përgjegjësi ndaj mjedisit ku jetojmë.
Veliaj deklaroi se pas debatit për lëndët kimike, Shqipëria mund të jetë gdhirë më e qetë, por nuk është gdhirë më e pastër, sepse 31 hot spot-et e rrezikshme që shkaktojnë sëmundje e vrasin çdo ditë njerëz, janë ende aty.
Fushata
Kjo fushatë e organizuar nga “Greenline Albania”, si pjesë e një nisme botërore e zbatuar me sukses në Slloveni dhe në shumë vende të tjera të botës, mbështetet fort edhe nga qeveria shqiptare, e cila tashmë është bërë pjesë e nismës që do të pastrojë Shqipërinë nga mbetjet me gjithë fuqinë vullnetare që ka qytetaria shqiptare në datën 22 nëntor.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate