25 novembre 2013

“Gërmimet arkeologjike, probleme në restaurim dhe konservim”

25.11.2013 | 11:21
Gjatë Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Arkeologjike Shqiptare arkeologët nga mbarë bota, radhitën zbulimet e reja në këtë fushë, por dhe disa nga problemet kryesore që hasen gjatë gërmimeve

Valeria Dedaj 
Para disa ditës në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Arkeologjike Shqiptare u diskutua mbi zbulimet në arkeologjinë shqiptare. Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë bëri një përmbledhje të të gjitha kërkimeve arkeologjike. Sipas tij, instituti që ai drejton, ka punuar në mënyrë sistematike për të bërë zbulime të reja si dhe për përqasjen e Monumenteve të Kulturës si zona të mirëfillta turistike. Ndër monumentet që kanë bërë jehonë sipas Përzhitës janë; qyteti antik i Grazhdanit të Maqellarës, zbulimet në Koman, Orik, Bylis, Hadrianopolis etj. Disa nga zbulimet e 15 viteve të fundit që Luan Përzhita radhiti ishin: “Në Shqipërinë Juglindore është zbuluar një qytet antik me sipërfaqe 40 ha, që ndodhet në fshatin Grazhdan të Maqellarës, Peshkopi. Ky qytet është rrethuar me mure rreth 5 km. Ku muret janë 3,5 metër të gjëra dhe ka tre porta me rreth 1200 metër katrorë secila portë hapësirë dhe rreth 40 e ca kulla të mëdha”. Ky zbulim sipas Përzhitës, është bërë falë Rrugës së Arbrit, ku evidentohet si zbulim arkeologjik. Zbulimi i përket fundit të shekullit të tretë dhe fillimit të shekullit të katërt, pas Krishtit.
“Mundësia për t’i kthyer këto Monumente të Kulturës në pika të vizitueshme janë të mëdha. Janë bërë përpjekje për zbulime të reja në monumentet dhe gërmimet e fundit që po bëhen në Koman të Pukës. Kjo është një nga qendrat më të mëdha nga ka marrë edhe emrin, “Kultura e Komanit” ose “Kultura arbërore shqiptare”. Aty përveç varrezave janë zbuluar një sërë kishash mesjetare”.
Gama e punimeve të Institutit Arkeologjik është e gjerë, pasi bëhen kërkime në të gjithë territorin e Shqipërisë, prandaj dhe mbulimi kohor i këtyre siteve është shumë i madh, që nga Paleoloti, rreth 40 mijë vjet më parë, në periudhën mesjetare pra atë të pushtimit Osman. “Që nga viti 2000 kemi bashkëpunime me Kosovën, me Maqedoninë, Malin e Zi pra kemi një shtrirje shumë të madhe edhe në aspektin gjeografik. Por prioritetet kryesore shkojnë në ato qytete tradicionale, që kanë në vazhdimësinë e tyre, si në Apolloni, Bylisi, Butrinti, Finiqi, Antigonea, Sofratika, në Vlorë për zbulimin e murit (rrethues të qytetit të vjetër të Aulonës) që ndodhet prapa Memorialit të Pavarësisë, në Durrës, ku bëhen kërkime të reja për murin rrethues, kërkime për qytetet e kohës ilire të Mbretit Gent, por dhe në qytetin e Shkodrës dhe Lezhës.
Pra, kemi një sërë kërkimesh që kanë në fokusin e tyre, përveç anës shkencore dhe historike edhe sistemimin e këtyre monumenteve për lejimin e turizmit në këto zona”. Këto gërmime janë që nga lashtësia dhe deri në kohët e sotme, kështu që falë zhvillimeve të vrullshme, këto monumente janë në fokusin e goditjeve të ndryshme dhe për to duhet një ndërhyrje emergjente. Kërkimet nuk kanë më si qëllim vetëm zhvillimin e arkeologjisë shqiptare, por dhe zhvillimin e projekteve të ndërkombëtarëve, nga Franca, Italia, Gjermania etj. “Zbulimet arkeologjike nuk janë vetëm pjesë e Shqipërisë, por e gjithë hapësirës së Europës. Kjo vjen mbas një sërë bashkëpunimesh që ne si institut kemi me një sërë institutesh të tjera europiane, ku këtë vit kemi dhe 100 -vjetorin e bashkëpunimit arkeologjik me Francën. Janë 22 projekte arkeologjike prej të cilave 90 për qind e tyre janë bashkëpunime me këto institucione arkeologjike”. Komuniteti i arkeologëve nuk është mbledhur në një kongres që prej vitit 1986. Që nga viti 1986 kur u mbajt Kongresi i dytë i studimeve ilire, nuk ka pasur një prezantim në nivel të tillë ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e studiuesve vendas dhe nga universitetet analoge franceze, italiane, gjermane, britanike, amerikane. http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=35388&kat=94

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate