Tropojë, 13 janar /ATSH-R.Hoxha/ .-Rrezet e diellit, që shndrrisin nga mëngjesi, u hapin më tepër oreksin miqve të shumtë të Valbonës për të qëndruar edhe një ditë më tepër në gjirin e natyrës piktoreske, që aq shumë i ka bërë për vete.
E kthyer në një oaz çlodhës dhe përkëdhelës për të gjithë, në lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit, në këto ditë që të zgjojnë shijen e pranverës, dimri duket i largët, edhe pse jemi në zemër të tij.
Autostrada e Kombit dhe ajo “Ibrahim Rugova” kanë afruar ndjeshëm shqiptarët nga njëri cep i vendit, në tjetrin. “Janë dy autostradat që e kanë bërë Valbonën ndër vendet piktoreske më të kërkuara, si nga shqiptarët ashtu edhe nga turistët e huaj. Ndaj kërkojmë më tepër ndihmën për investime për të mbyllur ato vrima ende të hapura, që pengojnë përshpejtimin e hapit tonë në ecjen përpara”, thotë për ATSH-në kryetari i komunës së Margegajt, Rexh Biberaj.
Ai pohon se edhe këto ditë dimri, Valbona i ngjan një metropoli që bie në gjumë pas mesnatës e ngrihet herët në mëngjes. “I ngjan një metropoli të pagjumë, sepse turistët e ardhur këtu vazhdojnë të luajnë deri në mesnatë. Ndërsa në mëngjes herët, ata ngrihen për marshim në shtigjet e malit”, thotë kryekomunari.
Turistët e pranishëm janë nga të gjitha anët e globit. “Sot i kemi nga Gjermania, Polonia, Çekia. Kemi edhe 15 turistë nga Izraeli. Kanë qëndruar prej 4 ditësh.
Turistët e pranishëm janë nga të gjitha anët e globit. “Sot i kemi nga Gjermania, Polonia, Çekia. Kemi edhe 15 turistë nga Izraeli. Kanë qëndruar prej 4 ditësh.
E të mëndosh që vetëm pak vite më parë, këtu vinin aq pak vizitorë, e largoheshin shpejt. Ndërsa sot, gjithçka ka ndryshuar.
Sot, fshati i vogël i ngjan një metropoli. Këtë e pohojnë jo vetëm 300 banorët e tij, por edhe shumë të tjerë të këtij fshati që janë larguar vite më parë dhe që dalëngadalë po rikthehen.
Janë realizuar shumë punë, por edhe shqetësimet nuk kanë të sosur. Valbona shumë ka ndryshuar. Kjo u sjell kënaqësi banorëve të paktë të saj. “Edhe pak nuk jemi, s’ka ditë që të mos kemi miq nga Evropa. Kjo nuk është pak”,- thotë Estref Selimaj, një prej banorëve të fshatit, i cili ka ngritur një banesë me 12 shtretër në shërbim të turizmit. “Kështu nxjerrim të ardhura për të mbajtur familjen. Po duhet të ndihmohemi edhe nga shteti, kërkojmë kredi me interes të ulët dhe për këtë duhet të përkrahemi”,- thotë ai.
Vitet e fundit, në Valbonë nuk kanë munguar investimet, ndonëse banorët kanë ngritur shqetësimin se disa prej tyre janë lënë në mes. Brenda pak viteve, nga vetë banorët janë ndërtuar qendra turistike, fusha sporti, etj. Biberaj thotë se e rëndësishme është ngritja e një landfildi për përpunimit e mbeturinave.
Ndërsa për banorët e Valbonës, e domosdoshme është edhe asfaltimi i rrugës së Çeremit. “Duhet asfaltuar ajo rrugë, pasi gjithë kjo zonë po kthehet në zonë turistike. Në Çerem është edhe pika doganore me Malin e Zi”, thotë Rexhep Selimaj, një prej banorëve të fshatit.
Banorët e këtij fshati, në lartësinë e mbi 1600 metrave mbi nivelin e detit, qëndrojnë këtu vetëm në verë, ndërsa në dimër zbresin në qytetin e Bajram Currit. Rexhepi thotë se “edhe në dimër atje kemi blegtori. Këtë dimër kemi mbi 1000 krerë të imta. Ndërsa lëvizja është e lirë, rruga duhet ndërtuar për turizëm, jo thjesht për banorët e paktë të fshatit.
Turizmi si biznes fitim prurës
Dalëngadalë, turizmi është kthyer në biznesin më fitimprurës për banorët e kësaj zone. Në funksion të tij është rritur interesi edhe për të mbjellat e mbarështrimin e blegtorisë.
Një fenomen tjetër është se nga vetë banorët, vazhdon të ruhet me fanatizëm mënyra e jetesës, ku tradicionalja vazhdon të mos preket. Kjo i ka dhënë Valbonës namin e mirë, duke rritur interesin e të huajve për të vizituar të gjitha cepat e saj.
Por edhe qetësia, aq sa shumëkush nuk e beson se edhe nga trazirat e vitit ’97, Valbona doli e paprekur. Ajri i pastër, gurgullimat e zhurmshme të lumit që të shoqërojnë thuajse përgjatë gjithë rrugës, nga Bajram Curri, në Valbonë dhe majat e thepisura të maleve, krijojnë pejsazhin magjepës.
Por pavarësisht ngritjes së banesave turistike, ende Valbona nuk i plotëson të gjithë kërkesat që kanë turistët. “Ende nuk arrijmë t’u plotësojmë të gjitha kërkesat, pasi pritet që në verë të mbërrijnë deri në 1500 turistë në ditë. Ndërsa ne kemi mundësi të presim deri në 600 të tillë në ditë”,- thotë për ATSH-në Alfred Selimaj, i cili ka ka një shtëpi dy katëshe në mes të fshatit dhe disa hane të vogla në shërbim të turizmit.
Këtë e pohon edhe kryetari i komunës. “Është kjo arsyeja që kërkojmë investime të reja apo ndihmë përmes dhënies së kredive, pasi kërkesa për ndërtime të reja turistike kemi”,- thotë Biberaj.
Ndërsa kujtdo që nis e ndërton banesë në shërbim të turizmit i kërkohet që të zbatohet arkitektura vendase. Kjo ka bërë që në banesat e reja, thuajse të gjitha oreditë e shtëpive të jenë prej druri, që nga shtretërit e deri të karriget e tavolinat. “Është një kërkesë që na e sugjerojnë vazhdimisht turistët e pranishëm”, tregon Alfredi.
Tashmë, pranë çdo banese, vetë pronarët e shtëpive turistike kanë ngritur edhe fusha volejbolli e basketbolli, ndërsa për futboll shërbejnë livadhet e shumta.
Dy fjalë për guzhinën turistike
Banorët janë kthyer në guzhinierë të përsosur për t’u shërbyer turistëve. Thjesht, sipas kërkesës që kanë vetë turistët, të cilët parapëlqejnë mishin e thatë, çorbën apo gjizën me spec djegës brenda. “Këtë kërkojnë, këtë ua servirim për t’i kënaqur”, thotë Ismeti, një guzhinier i njohur në zonë.
Është kjo jeta në Valbonën turistike. Një jetë që gjithnjë e më tepër gjallon, duke tërhequr interesin e turistëve drejt këtij Parku Kombëtar, tashmë aq të njohur, edhe pse ende me jo pak mangësi./m.sh/
Nessun commento:
Posta un commento