DURRËS, 24 Janar /ATSH-Gëzim Kabashi/.- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, u shpreh sot nga qyteti i Durrësit se, “potencialet natyrore, trashëgimia kulturore dhe mikpritja, e bëjnë Shqipërinë një vend unik në ofertën turistike dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi në këtë sektor janë disa”.
Deklarata e Gjermenit u bë të premten, gjatë një takimi me përfaqësues të qarqeve të Durrësit, Fierit dhe Vlorës, ku në fokus ishte rishikimi i ligjit për turizmin, si një domosdoshmëri jo vetëm nga institucionet drejtuese të këtij sektori, por edhe nga përfaqësuesit e biznesit, universiteteve dhe shoqërisë civile.
Gjermeni tha se drafti që po përgatitet do të jetë pjesë e një diskutimi gjithpërfshirës. “Potencialet natyrore, trashëgimia kulturore dhe mikpritja, e bëjnë Shqipërinë një vend unik në ofertën turistike dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi në këtë sektor janë disa”, u shpreh ministrja Gjermeni.
Ajo theksoi se nevoja e turizmit gjithëvjetor, në një vend të pastër, përbën një sfidë, të cilën duhet ta përballojmë të gjithë.
Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të biznesit turistik dhe universiteteve folën më pas mbi mangësitë e ligjit aktual dhe problematikat e turizmit në rajonet e tyre.
Ndryshimet që do t’i bëhen ligjit për turizmin, do të jenë në qendër të diskutimeve të tjera. Ligji për turizmin është miratuar në vitin 2007 dhe ka pësuar disa herë ndryshime të pjesëshme.
Po sot, drejtues të ministrisë së Turizmit do të zhvillojnë një takim me drejtorin e Autoritetit Portual të Durrësit, me synim rritjen e numrit të krocerave dhe anijeve turistike, si dhe përmirësimin e kushteve të qëndrimit në portin e Durrësit./m.sh/
Nessun commento:
Posta un commento