13 gennaio 2014

Turizmi-Paloka: Duhet të punojmë për rritjen e standardeve gjithmonë i lidhur ose me turizmin e aventurës, ose me pjesën kulturoro-historike të vendit dhe jo me standardet që ofrojmë

Bregdeti Borsh Foto ARKIV ATSH
TIRANE, 13 Janar/ATSH/- Shqipëria është bërë shumë herë pjesë e promocioneve të destinacioneve turistike nga media prestigjoze ndërkombëtare, së fundmi edhe nga gazeta më e madhe amerikane, “New York Times”. Kjo duhet vlerësuar shumë, shprehet ekspertja e Turizmit, Franka Paloka, por thekson ajo, duhet të përmirësojmë produktin të cilin do t’u ofrojmë turistëve të huaj. Sipas saj, ky promocion është gjithmonë i lidhur ose me turizmin e aventurës, ose me pjesën kulturoro-historike të vendit dhe jo me standardet që ofrojmë.
Sipas Palokës, mungesa e një legjislacioni të konsoliduar për këtë sektor dhe mos funksionimi sidomos i kategorizimit të hoteleve në bazë të yjeve, ka ulur ndjeshëm dhe nivelin e shërbimit.
Promovimi i pasurive turistike shqiptare, shumë i rëndësishëm për të njohur turistët nëpër botë me vlerat e rralla të vendit tonë, ndër të paktat ende të paeksploruara në Europë, është shndërruar në një objektiv të rëndësishëm edhe të autoriteteve shqiptare. Prej vitesh vendi ynë është bërë pjesë edhe e panaireve europiane të turizmit, ku reklamohen resurset turistike të vendit.
Gazeta më e madhe amerikane “New York Times” në edicionin e fundit të Travel (Udhëtime), ka publikuar 52 destinacionet më të famshme të botës për t’u vizituar përgjatë 2014-ës, e Shqipëria është një prej tyre.
Nga Cape Town i Afrikës së Jugut në Christchurch të Zelandës së Re, apo Brigjet Veriore të Kalifornisë dhe e katërta në listë është bregdeti shqiptar i Porto Palermos, i përshkruar me kajak, në një foto të realizuar nga Mustafah Abdulaziz.
Autori Tim Neville, i cili shpesh ka përshkruar Shqipërinë turistike në udhëtimet e tij, citon në këtë artikull online më tej se, “Bregdeti i thepisur. Evropa është më e mira!”. Më tej Neville ka përshkruar brenda një loje fjalësh se, “ç’ndodh në se kombinoni bukurinë e brigjeve të thepisura të bregdetit dalmat të Kroacisë, e rrënojave të pazbuluara ende të Turqisë apo Greqisë. E të gjitha këto, të përfundojnë në një natyrë të butë karakteristike, si ajo e zonave rurale të Italisë. Rezulton se jeni në bregdetin shqiptar. Me përafërsi territori sa Maryland, e ndodhur midis Greqisë dhe Malit të Zi, rreth 45 milje në lindje të Italisë, të shfaqen plazhet gëlqerore, rrënojat e lashta të Butrintit apo bujtinat pranë bregut, ku mund të kalohet nata me veçse 50 dollarë”.
Neville përmend në komentin e tij se “një zhvillim i shfrenuar e ka kërcënuar betonizimin e këtij bregdeti pas komunizmit, por qeveria e re, që mori detyrën në shtator, ka premtuar ta mbajë atë autentik…”, përfundon komenti i gazetarit Tim Neville për “New York Times”.
Më tutje ai ka përshkruar fotografinë e realizuar nga Abdulaziz, duke thënë se “shumë pranë Qeparosë, pothuajse përballë Korfuzit, mund të vozisni mbi një kajak aty ku më parë strehoheshin në tunele nëndetëset e Luftës së Ftohtë. Do vozisni përmes kalave të braktisura, e që valët do t’ju hutojnë deri pasdite vonë, ku me kajak mund të lundroni drejt peshkut të freskët e të gatuar mirë, në hotel Riviera. Kjo është Evropa, e freskët dhe e lirë”. /a.gjonaj/s.s./ http://www.ata.gov.al/turizmi-paloka-duhet-te-punojme-per-rritjen-e-standardeve-17939.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate