12 gennaio 2014

Plazhi në dimër, me pasionantët e moshuar të futbollit

Çdo të shtunë disa grupe pasionantësh të futbollit zhvillojnë ndeshjet e tyre në bregdetin e plazhit tradicional të Durrësit Foto Gezim Kabashi ATSH
grupe pasionantësh të futbollit në bregdetin e plazhit të Durrësit. Foto Gezim Kabashi ATSH
-Reportazh-
DURRËS, 11 janar /ATSH-Gëzim Kabashi/.-Çdo të shtunë disa grupe pasionantësh të futbollit zhvillojnë ndeshjet e tyre të përjavshme, shumë pranë njëri tjetrit në bregdetin e plazhit tradicional të Durrësit.  Shumica e tyre i kanë kaluar prej kohësh 40 vjeçët, por në të gjitha ekipet nuk mungojnë edhe ata që i kanë kaluar të 60-tat.
Është një traditë shumëvjeçare, e cila ripërsëritet rregullisht gjatë gjithë stinës së dimrit. Mot i mirë apo i keq, ftohët apo diell, shi apo fortunë, në rërën e ngurtësuar nga valët e detit, 50-vjeçarët e futbollit nuk mungojnë asnjëherë.
-Në fakt, më shumë se dashuria për futbollin, është dëshira për të lëvizur dhe për të mos iu dorëzuar moshës-thotë për ATSH-në Rajmond Todhe, me profesion avokat. Me një pasion të vjetër për basketbollin, që e bart nga shkolla e mesme, Mondi, që i ka kaluar 57 vjeçët, nuk mendon se duke ardhur çdo të djelë në plazh po humbet kohë. Përkundrazi- vlerëson ai. Me siguri që të gjithë fitojmë shumë dhe jemi të ndërgjegjshëm për këtë.
Dhe në fakt nuk janë pak. Dy grupe, me nga 12 apo 14 vetë, në varësi të mungesave me “arsye madhore” ,djemtë me mesatare moshe 50 vjeç, zenë vend vetëm pak qindra metra larg njeri tjetrit, në sektorin Hekurudha.
Si një herë e një kohë, kur ishin gjimnazistë, ata vendosin nën strehën e lokalit më të afërt biçikletat (mjeti më i përdorur i lëvizjes për pasionantë të sportit si puna e tyre) dhe bashkë me to edhe rrobat e bëra palë.
Dikush sjell portat e vogla metalike, gati njëlloj me ato të hokejit, që shohim në TV dhe më pas monton rrjetat. Pas portave mblidhen gjithmonë kureshtarë që ndërpresin shëtitjen buzë detit, për të ndjekur pasionantët veteranë.
Bujar Çorapja është 62 vjeç. Edhe ai vjen nga Durrësi me biçikletë. Ish-mundës, ai nuk ka munguar në asnjë rast, megjithëse është i mbytur në punë. Bujari drejton një grup të vogël hidraulikësh dhe është shumë i kërkuar.
Megjithatë, në ndeshjen e së shtunës nuk mungon kurrë. “I kërkova të më bëjë një shërbim në shtëpi-më thotë Ilmiu. E di si mu përgjigj: Deri në fund të javës jam i zënë. Shohim e bëjmë javën që vjen!
Futbolli për amatorët e së djelës në plazh është një arsye shumë e mirë për të lëvizur; për të kaluar dy orë ndryshe dhe për të vënë në lëvizje trupin, i cili tashmë ka një moshë tjetër. “Unë i mbusha 60 vjeç – thotë Ilmiu, me profeson jurist, i cili ka vendosur të luajë në të ardhmen në palestra të mbyllura.
Në grupet e futbollistëve të fundjavës gjen nga të gjitha profesionet. Viktor Dhëmgjini është një nga arkitektët më të zotë të qytetit, por njihet po ashtu për pasionin e tij “të çmendur” për sportet, e bashkë me të tjerat edhe futbollin. Nuk janë të pakët ata që pyesin se ku e gjen kohën-thotë Tod Mançe, inxhinjer ndërtimi, edhe ai 60 vjeç, pasioni i të cilit për futbollin është i njohur në Durrës.
A e ndërprisni ndonjëherë takimet e së djelës? – i pyes. Vetëm gjatë verës, më përgjigjen. Në atë periudhë nuk luajmë dot për shkak të pushuesve të shumtë. Megjithatë, edhe në sezonin veror të gjithë gjejnë alternativat për të mos e ndërprerë stërvitjen.
Ndjehemi shumë më mirë dhe e kemi të pamundur ta mendojmë veten pa ndeshjen e së djelës-më thotë Viktori. Zhvillojmë ndeshje me dy pjesë, që zgjasin nga 45 minuta secila, dhe ndonjëherë lodhemi shumë.
Sigurisht që kujdesen edhe për shëndetin. Bëjmë ato që quhen vizitat shëndetsore të moshës, pasi ngarkesa ndonjeherë i tejkalon kufijtë. Po shyqyr Zotit, deri tani jemi mirë-thotë Bujari.
Do të shkruash për ne? – më pyet Todi. Mos harro, se nuk jemi të vetmit. Ka shumë të tjerë, të cilët luajnë basketboll në palestra, të tjerë që vrapojnë çdo mëngjes apo pasdite, edhe këtu në plazh. Janë grupet e notarëve, të cilët “rizgjohen” sapo ngroh moti, që në fillim të prillit.
Mos janë më shumë të moshuarit se të rinjtë që ushtrohen – e ngacmoj. “Jo, jo – më përgjigjet. Puna është se të rinjtë nuk i shohim. Ata “fshihen” nëpër palestra, ndërsa ne kemi mbetur tradicionalistë. Na pëlqejnë mjediset e hapura, e mbi të gjitha, na pëlqen plazhi, që është palestra më e madhe në botë”-përfundon pasionanti i futbollit./m.sh/http://www.ata.gov.al/durres-plazhi-ne-dimer-me-pasionantet-e-moshuar-te-futbollit-16419.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate