05 gennaio 2014

Durrësi bizantin sipas arkeologes Lida Miraj dhe një apel për shpëtimin e amfiteatrit

05 janar 2014 15:31
Pas njëzet vjet përvojë arkeologjike në Durrës Lida Miraj shkruan “Durrësi në periudhën e hershme kristiane dhe bizantine”. Është studim jete, mbi rezultatet e gërmimeve që ka bërë ajo vetë dhe kolegët, i shkruar anglisht gjatë vitit akademik në Dumbarton Oaks, institut i rëndësishëm për studimet bizantine pranë Universitetit të Harvardit në Uashington. Lida Miraj jep një skicë të ngjeshur në 6 shekujt e parë mbas Krishtit ku kronikat përzihen edhe me mjegullën e historive për shenjtorët.
Në vëmendjen e këtij studimi janë mozaikët e bazilikave fshehur në themele banesash si mozaiku i Orfeut të cilit Miraj po i kushton një vepër më vete. Sa për kapelën e amfiteatrit e dekoruar me afreskë dhe më vonë me mozaikë shumë të bukur, sot është e zhytur në vegjetimin e lagështisë.
Durrësi i vjetër shtrihet pak e shumë në ata kufij ku shtrihet Durrësi sot, pra nga shekulli i 4 deri sot qyteti është zhvilluar aty. Humbjet që shkakton zhvillimi i qytetit të ri vazhdojnë dhe rregullimi ligjor për trashëgiminë mbetet i papërfillshëm.
Objekti më i madh arkeologjik që trashëgon Shqipëria, amfiteatri i Durrësit, i shekullit 2 pas krishtit vitin e kaluar u shpall një nga 7 monumentet më në rrezik në Europë. Si pjesë e ekipit të projektit për shpëtim në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës Miraj nuk e shikon pa shpresë rastin.
Restaurimi dhe vënia në evidencë e amfiteatrit kërkon vullnet politik. Megjithatë në janar Lida Miraj angazhohet në fushatën sensibilizuese për pastrimin e amfiteatrit dhe kjo do të vazhdojë për të gjitha monumentet e Durrësit.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate