VLORË - Parku Kombëtar i Llogarasë mbetet ndër pikat më të preferuar për qindra familje, që kaluan aty, natën e ndërrimit të viteve. Përgatitjet në lokalet që ndodhen në Llogara nisën përgatitjet prej ditësh. Atmosfera festive ka qenë e dukshme.
Ndonëse dëbora këtë vit pothuajse nuk është shfaqur fare, moti i ftohtë të shoqëron gjatë gjithë kohës së qëndrimit në këtë zone malore. Pothuajse të gjitha lokalet që funksionojnë këtu, janë në pritje të qytetarëve që do të kalojnë natën e ndërrimit të viteve.
Prej vitesh, Llogaraja është shndërruar në një destinacion për ata që preferojnë një mjedis të tillë për natën e ndërrimit të viteve. Kjo, për ndjesinë që krijon kjo hapësirë malore, me lartësi deri në 1050 metra mbi nivelin e detit, për bredhat simbol të festës së Vitit të Ri.
Në fakt, Llogaraja është shndërruar në një ikonë të Festës së Vitit të Ri. Bredhat e kësaj zone i kemi parë prej vitesh në objektivat e fotografëve. Nga fëmijëria na kanë mbetur në kujtesë, kalendarët që mbusheshin me pamje nga Llogoraja në dimër, e mbuluar nga dëbora.
Por, qilimi i bardhë këto ditë mungon. Ai është i fshehur në lartësi pak më të mëdha, në thellësi të pyllit të pishave dhe të bredhave, aty ku rrezet e diellit depërtojnë me mjaft vështirësi në dimër dhe për një kohë shumë të shkurtër. Por, gjithsesi edhe kështu është shumë bukur.
Brenda mjediseve te nje lokali, pranë oxhakut që ngroh shume, klientët ndihen mirë. Vera e kuqe e zonës shijon edhe më shumë. Edhe për këtë është e veçantë Llogoraja. Moti këtu nuk mund të parashikohet. Brenda pak minutash këtu mund të përjetosh dimrin e ashpër, por edhe pranverën me diell.
Nikoja, njeri nga pronarët e fshatit turistik thotë se, si çdo vit, janë dhjetëra qytetarë që erdhën aty, në një atmosferë sa më të këndshme. Nuk është vetëm tryeza e mbushur plot dhe muzika e zgjedhur, por këtu ka edhe diçka tjetër…është pishina.
Në mes të dimrit, në një lartësi mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, ku temperatura shkon edhe nën zero, klientët mund të notojnë në ujin e pastër të pishinës dhe te ngrohtë. Menyja e gatimit në këto njësi shërbimi, bazohet tek mishi i qengjit, që vjen nga tufat që mbarështohen në zonat përreth.
Por, për festën tradicionale të 31 dhjetorit ajo është pasuruar edhe me asortimente të tjera. Gjeli i detit ka qenë pjesë e tryezave për klientët që kanë festuar aty.
Redaksia Online
(atsh/mag/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/llogaraja-ikone-e-preferuar-e-festes-se-vitit-te-ri-per-vlonjatet-194005.html#sthash.M9TbLdVn.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento