05 gennaio 2014

“Ëndrra e fundme” e një operatori turistik anglez: Trenat shqiptarë në guidën turistike të majit 2014



Treni i udhetareve Durres-Tirane. Fotografi nga Bob Cable, e publikuar ne faqen e operatorit turistik "Ffestiniog Travel"
Treni i udhetareve Durres-Tirane. Fotografi nga Bob Cable, e publikuar ne faqen e operatorit turistik “Ffestiniog Travel”
TIRANË, 4 Janar /ATSH- Edmond Prifti/.- Anglezët si ngaherë të tillë. Të çuditshëm në gustot, e po aq në gjetjen e mënyrave praktike të udhëtimeve, larg asaj mondanes që me sa duket janë lodhur, e të etur për aventura… Gazeta britanike “Daily Mail”, në destinacionet turistike të guidave ndërkombëtare, ka përfshirë edhe një udhëtim me tren “që kalon përmes Shqipërisë”, përgjatë muajit Maj 2014.
Në kategorinë “Travel Destinations” për vitin 2014, “Daily Mail”, , të cilës i referohet ATSH, theksonndër të tjera se, “është koha që të mendojmë se çdo bëjmë pasi jemi futur në një vit të ri, e për ata që s’duan ta harxhojnë kohën e tyre në palestra apo duke ngrënë më pak çokollatë, le të mendojmë diçka tjetër. Mendoni për aventurat që do të mbahen mend gjatë, si ato të një rrugëtimi jashtë Britanisë”, bën të ditur “Daily Mail”. Më tej gazeta britanike jep disa nga mundësitë e turistëve ishullorë për udhëtimet e tyre nëpër botë, duke filluar nga dhomat nënujore në Manta Resort të Tanzanisë, apo ishujt Cavallo off Corsica, Kalamota apo edhe udhëtimet me varka në Dubrovnikun e lashtë, duke dhënë edhe faqet online të operatorëve turistikë, të cilët i organizojnë këto udhëtime aventure.
Ndërsa për “Jetën e egër”, anglezët propozojnë vizitën në koloninë e pinguinëve Gentoo apo Zimbabve, ku zgjidhja është paketa turistike e ofruar nga operatori anglez expertafrica.com, në për kapitullin e “Udhëtimeve me tren”, gazeta “Daily Mail” propozon trenin e parë privat evropian, i cili udhëton drejt Iranit për 15-ditë përgjatë muajit Tetor 2014, nga brigjet e Bosforit drejt Persisë së Lashtë, në zemër të Teheranit.
Ndërsa, më tej në këtë artikull të gazetares Wendy Driver, propozohet edhe një guidë tejet e veçantë që kalon përmes Shqipërisë, nga operatori turistik anglez “Ffestiniog Travel” (ffestiniogtravel.com). Këta të fundit,  bëjnë të ditur se udhëtimi 13-ditor përfshin Maqedoninë dhe Shqipërinë, nga një kalim më parë, në shtetin më të ri të Evropës, Kosovën.
Sipas tyre, udhëtimi fillon nga Mali i Rugovës, me vizitë në manastiret e hershme, e më tej duke kaluar në resortet pranë lumit.
ATSH iu referua faqes zyrtare të operatorit turistik ffestiniogtravel.com, një tur operator anglez i krijuar nga disa specialistë hekurudhe dhe adhurues të udhëtimeve me tren që në vitin 1974; ku një program i detajuar përshkruan këtë udhëtim me tren, i cili kalon edhe përmes Shqipërisë.
Sipas tyre, në guidën turistike të titulluar “Të shkrijmë kufijtë –  Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria”, turi është parashikuar të fillojë më datë 7 maj deri më 19 maj 2014, i cili përfundon në Shqipëri.
Udhetimi i parashikuar nga operatori turistik anglez ne Kosove-Maqedoni-Shqiperi pergjate muajit Maj 2014
Udhetimi i parashikuar nga operatori turistik anglez ne Kosove-Maqedoni-Shqiperi pergjate muajit Maj 2014
Sipas ffestiniogtravel.com që i referohet ATSH, në guidën turistike të publikuar në faqen e tyre në internet, data e parë e këtij udhëtimi përshkruhet nga operatori i mësipërm: “Ndryshe nga programi jonë vjetor i rregullt, këtë vit kemi përfshirë destinacione të reja, siç është edhe shteti më i ri, Kosova; një shtet i njohur nga pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian e tashmë i hapur për të përfunduar së bashku, bashkimin e copëzave të këtij rajoni mjaft të bukur”.
-Guida e aventurës me tren përqark tre shteteve-
Dita e parë fillon me një fluturim me avion nga Mynihu drejt aeroportit të Prishtinës, ku operatori turistik përshkruan se në kryeqytetin e saj, Prishtinë, “gjëja e parë që do na habisë, është se sa miqësorë dhe mirënjohës janë kosovarët për të vizituar vendin e tyre, përpos ndihmës që i japim për zhvillimin e ekonomisë së këtij vendi”.
Më tej, dita e dytë vijon drejt Malit të Sharrit, por edhe në Prizren, ndërsa dita e tretë e këtij udhëtimi përfshin Manastirin e Graçanicës i vitit 1321 dhe Gazimestan, ndërsa pasditja do ti gjejë aventurierët anglezë me tren, në udhëtimin e tyre nga Prishtina drejt Pejës. Dita e katërt, një udhëtim drejt Grykës së Rugovës, Manastirit të Deçanit si dhe qytetit të Gjakovës. Dita e pestë i kushtohet pothuajse tërësisht Prishtinës, e më tej aventurierët do të udhëtojnë drejt Maqedonisë, në ditën e gjashtë dhe të shtatë të tyre. Sipas operatorit turistik “Ffestiniog Travel”, meqenëse i vetmi tren në ditë nga Prishtina për Shkup, niset në orën 07.10, “jemi të detyruar të ngrihemi herët në mëngjes”.
Në ditën e tetë dhe të nëntë të kësaj aventure, është udhëtimi me trenin malor drejt Manastirit (Bitola) dhe vizita në këtë qytet, ndërsa më tej drejt Kërçovës (Kiçevo). Prej terminalit të trenave, udhëtimi vijon drejt Ohrit, apo një prej 28 qyteteve në hartën e listës së mbrojtur të UNESCO-s, duke përmbyllur ditën e 10-të dhe të 11-të të udhëtimit. Më tej “qershia mbi tortë” në ditën e 12-të, i përket Shqipërisë, ku operatorët britanikë të “Ffestiniog Travel” përshkruajnë se “rrugët hekurudhore të Shqipërisë janë krejtësisht të izoluara nga pjesa tjetër e Evropës. Ndërsa, do na duhet të kalojmë kufirin me rrugë tokësore, deri në Librazhd, ku do të marrim trenin e mesditës drejt Tiranës. Një tjetër ditë e kaluar përmes një peizazhi mahnitës…”. Dita e 13-të, është edhe rikthimi nga Mynihu, drejt Anglisë.
Më tej, në përshkrimin e kësaj guide nga Alan Heywood , një prej liderëve të këtij turi turistik, ai ka rrëfyer në detaje ditën e 12-të, “e cila fillon” që nga kufiri maqedonas-shqiptar, kur shoferi “zhduket” për disa çaste dhe na çuditën teksa kthehet disa momente më pas… me pasaportat e vulosura. Alan Heywood, qe i referohet ATSH, “në rrëfimin e tij të provës”, që mban datën 24 gusht 2013, përshkruan se “kjo ndodhi, më kujtoi kufirin midis Amerikës dhe Meksikës”.
Përpos peizazhit mahnitës, Alan përshkruan gomerët dhe makinat e braktisura anash rrugëve, deri në stacionin hekurudhor të Librazhdit, por edhe hutimin e shoferit pasi nuk e dinte se ku ndodhej stacioni hekurudhor. E më tej, edhe çudinë e vetë banorëve vendas për udhëtimin e një turisti të huaj me trenat shqiptar…
Në rrëfimin e tij të detajuar, Heywood përmend ndër të tjera se pas afërsisht dy orësh ecejakesh në pritje të trenit drejt Tiranës deri në orën 11.55, përshkruan se, “treni ishte i përbërë nga dy vagonë të klasit të dytë Deutsche Bahn (ish-Gjermania Lindore) e të mbuluara përplot me grafiti, ndërsa lokomotiva një prodhim çek, ashtu siç pamë së shumti përgjatë udhëtimit tonë… Ndërsa shumë prej dritareve të krisura apo të thyera…por sediljet brenda ishin ende në gjendje të mirë”.
“Telegraph Travel Awards”, e ka konsideruar tur operatorin “Ffestiniog Travel”, si një ndër tre më të mirat në Angli, përkrah “Orient Express” dhe “The Rocky Mountanieer”. Në turet e tyre turistike, përfshihen udhëtime me tren pothuajse në mbarë botën./s.s./

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate