12 gennaio 2014

Durrës: Muzeu Etnografik, banesa ku jetoi Aleksandër Moisiu


Durrës ,11 janar /ATSH-Gëzim Kabashi/- Banesa karakteristike e shekullit të 19-të, ku janë vendosur Muzeu Etnografik dhe shtëpia muze “Aleksandër Moisiu”, në Durrës vazhdon të jetë një nga shtëpitë më tërheqëse të qytetit bregdetar.
Në katin e dytë të godinës karakteristike, që nga viti 1982 bashkëjetojnë eksponatet e Muzeut Etnografik, si dhe një dhomë e veçantë kushtuar aktorit shqiptar me famë evropiane, Aleksandër Moisiu, i cili në fundin e shekullit të 19-të ka kaluar disa vite të fëmijërisë së tij në këtë shtëpi.
Ndërsa në pjesën përdhese kanë zënë vend zyrat e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe arkiva e fondeve të Galerisë së Arteve.
Banesa që mbështetet në muret mesjetare të periudhës bizantine, është një nga godinat përfaqësuese të arkitekturës së viteve ‘900. Prej kohësh ajo ka statusin shtetëror të Monumentit të Kulturës. Në librin e tij, “Reminiscenze durazzine”, mjeku 90 vjeçar Ali Sula, shkruan se ajo i takonte familjes së pasur Shallvari dhe në atë periudhë ishte seli e Konsullatës angleze. Banesa për disa vite u bë streha fëmijërore e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu”.
Durrës, Muzeu Etnografik
Durrës, Muzeu Etnografik
Skulptori Qazim Kërtusha, tha për ATSH-në se, pusi karakteristik që ndodhet në oborrin e banesës lidhet me një stere (depozitë) të madhe nëntokësore për grumbullimin e ujrave të shiut, çka përbën një vlerë kulturore tjetër të kësaj godine.
Banesa në lagjen “Kala”, ku ndodhet edhe Amfiteatri Antik i qytetit, është shpallur muze në shtator të vitit 1982. Këtu ka kaluar fëmijërinë e tij aktori Aleksandër Moisiu, në vitet 1884-1889, kohë kur ka kryer dhe vitet e shkollës fillore. Në një mjedis të veçantë shpalosen në stenda biografia e tij familjare e artistike bazuar në dokumenta autentike, si dhe paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh.
Në të njejtën banesë  janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Ekspozita përmban një koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqiperisë së mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuki, briri, bakri e guri.
Në mjediset e saj, gjatë viteve të fundit janë hapur një sërë ekspozitash me punime të artizanatit apo me vepra të krijuesve piktorë dhe skulptorë. Shtëpia muze ka qenë gjithashtu mikpritëse e veprimtarive të shumta kombëtare e lokale si, “Poeteka”, kolonive verore të piktorëve, etj./m.sh/http://www.ata.gov.al/durres-muzeu-etnografik-banesa-ku-jetoi-aleksander-moisiu-16205.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate