17 gennaio 2014

Antigone, qyteti antik që nuk i shterojnë thesaret


Gjirokaster-Gjate germimeve arkeologjike ne qytetin antik te Antigonese Foto Telnis Skuqi
Gjirokaster-Gjate germimeve arkeologjike ne qytetin antik te Antigonese Foto Telnis Skuqi
GJIROKASTËR, 17 Janar/ATSH-Telnis Skuqi/ – Thesare të reja zbulojnë arkeologët nga nëntoka e pasur e Antigonesë antike, që për drejtorin e këtij parku, Engjëll Serjani, ka qenë i suksesshëm për vitin e kaluar.
Sipas tij, gjatë ekspeditës që u zhvillua në fundvitin e kaluar, është bërë e mundur që në 16 kuadrate gërmimi, të zbulohen rrënojat e një insule (lagje) të re, ndërkohë që poshtë shtresës së hirit, gjatë punimeve u gjet një inventar i madh objektesh me interes të madh studimor.
“Këto objekte kanë vlera të jashtëzakonshme ekspozimi”, thotë Serjani. Në inventarin e pasur të gjetjeve përfshihet një enë bronxi, një ndriçues, dhjetra monedha, si dhe pjesë metalike të aksesorëve të dyerve të mbetura pas djegies, që të gjitha bronxi dhe në gjendje të mirë.
“Antigonea ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e udhëtarëve dhe dijetarëve që në shekujt e kaluar”, thekson Serjani. Qëllimi i tyre ishte zbulimi i monumenteve të ndryshme dhe studimi i shtresave kulturore, me objektiv identifikimin e rrënojave.
Drejtori i Parkut Arkeologjik, tregon se gërmimet u përqëndruan në sektorin e Agorasë, në Varrin Monumental dhe në Stoan me mur poligonal, që ndodhet jashtë mureve mbrojtës të qytetit antik.
Ilir Lluri, specialist për Promocionin dhe Shërbimin Turistik, i vlerëson gërmimet në Antigone një histori suksesi, veçanërisht për planin e ri të menaxhimit.
“Qyteti antik i Antigonesë, me një vendim të Këshillit të Ministrave, nga viti 2006 ka marrë statusin “Park Arkeologjik” dhe menaxhohet si i tillë nga Zyra për Administrim dhe Koordimin”, thotë Lluri.
Prej 8 vitesh është ngritur një infrastrukturë dhe disa sisteme shërbimesh për vizitorët vendas dhe të huaj. “Falë mirëmenaxhimit, sot Antigonea ka një hartë guidë në shqip dhe anglisht, si dhe pajisje elektronike audio në gjashtë gjuhë të ndryshme, ndërsa rruga që në çon drejt parkut është krejtësisht e asfaltuar”, pohon Lluri.
Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar 6 projekte restauruese, ndërkohë në Antigone ekziston një qendër informacioni për vizitorët.
Antigonea shtrihet në shpat të malit të Lunxhërisë, në vendin e quajtur Jermë, vend i djegur, me një sipërfaqe prej 95 ha. Qyteti antik mban emrin e gruas së parë të Pirros, Antigonës, vajzës së mbretit të Egjiptit, Ptolemeut.
Ky qytet, i ndërtuar në vitin 297, ka një arkitetikturë që i ngjan fushës së shahut. Nga jugu në veri janë rrugët primare, 7 m të gjera e me trotuare në të dy anët e saj.
Në vitin 1966, nisën gërmimet e para të arkelogëve tanë, derisa në vitet e tranzicionit gjithçka u la në mëshirë të fatit. Brenda parkut janë zbuluar tri kisha të periudhes Paleokristiane dhe një kapelë martirium, ku gjendet një mozaik mjaft i rëndësishëm, që i perket antikitetit të vonë, ku paraqitet Shën Kristofori me palmën e martirit në dorë, një nga ikonografitë më të hershme në klasifikimet globale./m.sh/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate