|
GJIROKASTER - Përgjatë 3 ditëve në pazarin e vjetër të Gjirokastrës u zhvillua panairi i Trashëgimisë dhe Artizanatit, në të cilën morën pjesë mbi 150 artistë dhe artizanë nga shumë troje të Shqipërisë. Ky aktivitet i organizuar nga Fondacioni Gjirokastra me mbështetje të gjerë bëhet për të shtatin viti radhazi në qytetin e gurtë, duke e kthyer në një traditë të vyer dhe një vend ku artizanët shkëmbejnë idetë dhe përvojat e tyre. Spikasnin punimet me gurë, dru, piroteknika, punimi i figurave artistike në lëkurë, por edhe produkte artizanale mbi baza riciklimi. Ndërsa vizitorët e shumtë që bëri për vete artizanati ja shtuan edhe më shumë rëndësinë këtij eventi për trashëgiminë, si vlerë që duhet të jetojë gjatë ndër breza.
75-vjeçari Muhedin Makriu punon si gurgdhendës në Gjirokastër dhe ndodhet në panair për të prezantuar punimet e tij. Ai ka qenë ish-axhustator në uzinën mekanike të Gjirokastrës dhe menjëherë pas prishjes së sistemit ndoqi rrugën e prindërve të tij, në punimin me finesë të gurit. Në dorë ka një gur të cilin po e zbukuron. Ky gur do të shërbejë si një mulli që do të dalë shpejt në shitje. Pas viteve ‘90 dhe deri më sot Muhedinin e gjen duke i dhënë forma të ndryshme gurit dhe duke e zbutur sadopak ashpërsinë e tij. Ai na tregon se punët e tij kanë kaluar edhe kufijtë, pasi prej disa kohësh ka punuar edhe në shtetin fqinj si artizan me emër.
“Gurin e punoj që kur u ndërrua sistemi. Damarin e kam nga guri, babai , stërgjyshi dhe gjyshi me gurin kanë punuar. Punova katër pesë vjet nëpër fshatra në Gjirokastër dhe më pas më shpunë në Greqi. Pasi punova 10 vjet në Greqi u ktheva këtu.”- deklaron Muhedin Makriu.
Megjithëse këtë zanat e kanë trashëguar të 3 djemtë e tij, Muhedini thotë se ky profesion është në rrezik, pasi të rinjtë nuk e duan dhe as nuk shfaqin interes megjithëse si profesion është jetik për qytetin e gurtë.
“Të tre dejmtë më bëjnë këto punë. Njëri bën kokat e dhive, tjetri bën pllakata. Edhe djali tjetër që kam në Janinë me gur punon. Artizanati do të thotë të jesh arstist, por këtë zanat nuk e dashurojnë të rinjtë. Të gjithë kërkojnë të venë në shkollat e larta, por se kush do ta ndërtojë Gjirokastrën, se kush do ta punojë fushën, nuk merret vesh kjo punë.”- shprehet ai.
Tematika e preferuar që Muhedini bën më me dëshirë është kalaja e Gjirokastrës, por edhe shtëpitë muze. Të gjitha këto bëhen në përmasa të vogla, pasi pesha e gurit vështirëson transportin e blerësve që duan të marrin një copë Gjirokastre me vete.
“Unë zakonisht bëj ato artikuj që më shkojnë. Përpiqem t’i bëj sa më të vogla, por prap është gur dhe peshon nuk ka dhe aq tregje. Prandaj bëj kafshë, pjesë nga natyra, pjesë të Gjirokastrës. Interes ka më shumë ëpr kalanë, për Gjirokastrën dhe këto kafshët që bëj unë.”- shprehet Makriu.
Një tjetër artizan gjirokastrit është edhe 53-vjeçari Anastas Petridhi, i cili prej 30 vjetësh derdh pasionin e tij mbi dru dhe njihet si një ndër drugdhendësit më të mirë të zonës. I rritur në Gjirokastër me ëndrrën se do bëhej një ditë profesionist në gdhendien e drurit, megjithëse nuk e kishte trashëgimi nga familja, ai sot është krenar për çka ka arritur së bashku me gruan e tij. Frymëzimi i marrë nga shtëpitë karakteristike të zonës, të cilat drurin e kishin një ndër elementët bazë në mobilim, por nuk përjashtohej as tavani i dekoruar bukur dhe me shije nga artizanët e kohës, ai vijon edhe sot ëndrrën e tij.
“Janë rreth 30 vjet që punoj në këtë profesion, pra në profesionin e drugdhëndësit. Temat janë të ndryshme, që nga trashëgimia e qytetit, këtu në Gjirokastër. Shtëpitë muzeale kanë shumë elementë të gdhendur.”- shprehet Anastas Petridhi
Anastasi i cili punon së bashku me gruan në punishten e tij tregon se çdo gjë që ndodhet në dyqan është punim dore dhe jo stampim. Ndërsa shpreh shqetësimin e tij se ky profesion është në zhdukje e sipër. Sipas tij, ndoshta braktisja apo mungesa e interesit vjen edhe nga problematika e tregut për këto produkte në Shqipëri.
“Nuk e kam të trashëguar, por prindërit më kanë ndihmuar që unë të eci në këtë profesion, mos ta kisha vetëm si amator. Ishte si ëndërr për mua që një ditë të bëhesha profesionist në këtë punë. Ky profesion është në rrezik, duke parë dhe fëmijët tanë, unë nuk mendoj se do ta trashëgoj. Në panair këtu shiten gjëra më tepër të përmasave të vogla, produkti më i shitur është shqiponja në përasa të vogla. Ndoshta për lehtësi transporti dhe kostoja e ulët. Çdo produkt këtu në dyqan e kam nga duart e mija dhe të bashkëshortes, punim artizanal.”-shprehet ai.
Edhe në këtë profesion duket se motivet patriotike të gdhendura në dru janë ato që preferohen më shumë, ndërsa punimet artistike me përmasa të vogla janë kërkesat më të shumta nga shqiptarët, por edhe nga të huajt të cilët nuk kanë ankesa për çmimet e favorshme që blejnë.
Këtij panairi nuk kishte si t’i mungonte edhe kuzhina tradicionale e zonës, e cila është e famshme në të gjithë Shqipërinë. Gatimet e bëra nga gratë gjirokastrite u prezantuan me sqimë dhe me mjaft thjeshtësi duke ngjallur kureshtjen edhe të vizitorëve të huaj. Kuzhinierja gjirokastrite Eli Zhulati thotë se bazë për gatimin e ushqimit në Gjirokastër është drithi. Llojet e format e ndryshme të gatimit, të bëra me dashuri, u shpërndanë për të gjithë artizanet në stendat e tyre, duke bërë një lloj pikniku me ushqim tradicional në trotuaret e gurta.
“Shpalosen gatime të vjetra të kuzhinës së Gjirokastrës. Konkretisht kemi bakllavanë, lakrori me themër, kabunia, kemi hasudenë, qoftet, qifqitë e famshme. Ajo që nuk mungon është edhe shapkati me kungull të kuq. Një tjetër e veçantë është bukëvalja, për evente më të rralla se viti i ri.”-shprehet kuzhinierja Eli Zhulati.
Panairit këtë vit nuk i munguan artizanët dhe artizanet edhe nga Tirana, Shkodra por edhe Kosova. Një ndër artizanët që punon në fushën e pirro teknikës është edhe Zija Karini nga Shkodra. Trashëgimtar i një prej familjeve që ka pasur zdrukthtari prej vitit 1925. Ai në këtë panair vjen për herë të gjashtë dhe shpesh është nderuar me çmime të para. Ai për publikun sjell 13 lloje teknikash të punimit në dru. Ndërsa një nga teknikat që është më e vështirë, por që 72-vjeçari e bën me më shumë qejf, është portreti me anë të djegies në drurin prej bredhi të Malësisë së Madhe.
“Familja jonë ka qit 9 marangoza. Unë jam një prej tyre. Me ardhjen e demokracisë unë kam një repart zdrukthëtarie dhe mësoj rininë me punu.”- deklaron Karini.
Por edhe në këtë stil të punimit të drurit mbetet evident shqetësimi i trashëgimisë së këtij zanati brez pas brezi. Fëmijët e Zijait nuk dinë ta punojnë këtë art në dru, por për 72-vjeçarin përpjekjet nuk reshtin pasi ai në zdrukthtarinë e tij, zanatin po ua transmeton të rinjve shkodranë që nuk janë vetëm djem, por edhe vajza shumë të talentuara.
“Më vjen keq se skemi asnjë trashëgimtar. Unë jam tu ja dhuru rinisë në Shkodër dhe kam një kënaqësi që po ja transmetoj atyre.”-tregon 72-vjeçari.
Shkodrani tjetër Pjeter Vukaj ka një tjetër lloj arti që paraqet për vizitorët. Punimin e portreteve të figurave patriotike por edhe të femrave gjysmë të zhveshura realizohen në lëkurët e kafshëve. Vukaj këtë talent tregon se e ka zbuluar rastësisht teksa po provonte të bënte një portret në një lahutë pak vite më parë dhe prej asaj kohe nuk ka reshtur së hedhur idetë e tij në lëkurat kryesisht të dhive.
“Kam bërë prova rastësisht në një lëkurë lahute, më ka dalë pa dashje një portret. Fillohet me qethje, pasi tendoset, pastaj rruarje, pastaj gërvishtje për ti dhënë dritë hijet. Duhet larë e tharë disa herë ka disa procese.”- shprehet Pjeter Vukaj.
Punimi mbi lëkure është arti ndoshta më unik në këtë panair, i cili ngjallte edhe interes. 47-vjeçari thotë se për shqiptarët më shumë interes kanë figurat patriotike si Adem Jashari dhe Skënderbeu, ku edhe çmimet janë më të ulta, ndërsa të huajt preferojnë trupa gjysmë lakuriq të cilat i gjejmë dendur në stendën e Pjetrit.
Këtij panairi që zgjati 3 ditë nuk i munguan as konferencat dhe nxjerrja në pah e problemeve që shqetësojnë artizanët shqiptarë. Por as vlerësimet nuk munguan. Tre gra sipërmarrëse të artizanit Margarita Lackaj nga Pogradeci, Florinda Vuca nga Kukësi dhe Artenca Kruja nga Shkodra do të trajnohen nga organizatorët e panairit më tej për të shtuar dhe mbështetur biznesin e artizanatit, si një trashëgimi që duhet të jetojë në breza. Ky panair është siguria që ofrohet se trashëgimia e artizanatit është një potencial që premton për të ardhmen.
(er.nu/news24/BalkanWeb)
Nessun commento:
Posta un commento