13 ottobre 2013

Album me vlerë shkencore e njohëse për rrugët dhe urat e Shqipërisë

13 Tetor 2013 - 05:45
Shqipëria e ndodhur në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme që lidhnin gjatë shekujve Lindjen me Perëndimin, ruan dëshmi të shumta për to, të cilat na paraqiten në nivel shkencor në këtë Album shterues nga Prof. Dr. Valter Shtylla. Libri është fryt i i dhjetëvjeçarëve kërkimesh e studimesh, në terren e literaturën shkencore e jo vetëm në të. Meritë tjetër e autorit është  se ai na jep dhe të dhëna për shumë prej tyre që rrebeshet e kohës nuk kanë  lënë dëshmi e që ndërkohë janë zhdukur. Veç tyre (rrugë dhe ura) në album paraqiten dhe vepra të tjera inxhinierike si hamame (banjat mesjetare), tombino, çezma, rezervuar e të tjera, duke plotësuar tablonë e ndërtimeve inxhinierike.

Albumi, si një punim përgjithësues, është ndërtuar  në mënyrë mjaftë të qartë, duke paraqitur një objekt për çdo faqe, të ilustruar  me fotografi apo dhe skica si edhe shpjegimet sqarues dhe datimin. Në këtë mënyrë bëhet mjaftë i dobishëm dhe me interes për lexuesit dhe jo vetëm për ata por edhe për studiuesit e historisë së ndërtimeve.
Puna e Prof. Dr. Valter Shtyllës paraqet në këtë mënyrë një tërësi kërkimesh që të shtjelluara e dokumentuara në këtë album dhe për këtë duhet vlerësuar për dokumentacionin që ilustron qartë çdo objekt, për klasifikimin e objekteve, ndërtimin e tyre, për kohën e ndërtimit dhe rrugën e monumentit gjatë shekujve (fazat e zhvillimit dhe ndryshimet që ka pësuar). Për secilin ndërtim jepet gjendja e tij e sotme, teknika e ndërtimit me të cilën është realizuar, punimet eventuale restauruese të kryera në të, si dhe propozime në këtë drejtim për sot apo për të ardhmen.

Materiali është paraqitur në pesë kapituj të ndarë sipas periudhave historike. Kështu pas Hyrjes dhe Parathënies në Kapitullin e parë jepen rrugët dhe urat gjatë periudhës së antikitetit, mbi bazën e mbetjeve të tyre, gjurmëve dhe të dhënave burimore historike. Kapitulli i dytë trajton rrugët dhe urat që nga pushtimi romak i vendit deri në shekullin e vi-të, një periudhë me gjurmë mjaftë të rëndësishme për të gjykuar mbi zhvillimin ekonomik të vendit dhe nivelin e ndërtimeve të kohës. Në Kapitullin e tretë paraqiten ndërtimet e shekujve VII-XV-të, pra të mesjetës së hershme dhe asaj të mesme, nga dyndjet  sllave deri në pushtimin osman të trojeve shqiptare.

Kapitulli i katërt shqyrton ndërtimet e shekujve XVI-XIX-të, që janë të shumta dhe ndodhen në gjithë vendin, sepse shumica e tyre kanë qenë në përdorim deri vonë. Së fundi, Kapitulli i pestë ka rrugët dhe urat nga fundi i shekullit të XIX deri në vitin 1939. Ky kapitull vijon me përmbylljen me titull “Rrugët dhe urat si faktorë historik në trojet tona”, ku autori na njeh me përfundimet shkencore  me mjaftë vlerë nga studimi i këtyre gjinive ndërtimesh të përhapura në gjithë trojet shqiptare gjatë shekujve. Duhet të pranojmë se tërësia e rrugëve si arterie të lëvizjes së njerëzve, ushtrive, mallrave tregojnë për realitete historike e shoqërore duke dëshmuar dhe zhvillimin  ekonomik të vendit.

Vëllimi, i cili për nga ilustrimet dhe tekstet shpjeguese, është më teper se një album, nuk ju drejtohet vetëm studiuesve të kulturës materiale dhe të historisë së shqiptarëve por edhe lexuesve të interesuar për të kaluarën e popullit  tonë, për pasuritë kulturore, sepse ofron të dhëna të sakta dhe me nivel shkencor prej një studiuesi të mirëfilltë, çka e bënë shumë të dobishme  albumin. Albumi ju vlen edhe personave që promovojnë njohjen e vendit dhe turizmin kulturor, duke venë kështu albumi tejet i dobishëm për të gjithë.

Duhet vënë në dukje se  tekstet shoqëruese të çdo ndërtimi si dhe pjesët hyrëse të përgjithshme të çdo kapitulli janë dhe në gjuhën angleze duke e bërë edhe më të dobishëm librin dhe ndihmon në realizimin e qëllimit të tij. Siç thuhet dhe në parathënien e Akademikut Emin Riza, Albumi do ti qëndroj kohës, sigurisht duke nxitur me përmbajtjen dhe të dhënat e tij kërkime të mëtejshme.


Tiranë 11 tetor 2013
www.aleksandermeksi.com

ura


Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)   - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/album-me-vlere-shkencore-e-njohese-per-rruget-dhe-urat-e-shqiperise---182057.html#sthash.l7G7svoo.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate