DURRËS, 5 Tetor 2013
ATSH-Gëzim Kabash
.-Turistë të huaj kanë mbushur qytetin e Durrësit edhe në fundjavën e parë të tetorit, duke dëshmuar interesin në rritje për qytetin bregdetar.
Specialisti i turizmit, Edmond Basho, tha për ATSH-në se gjatë muajit shtator numri i turistëve të huaj, jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të tjera me interes muzeal si Kruja apo Berati, ka qenë dy herë më i lartë se sa në sezonin e kaluar. Sipas Bashos, vjeshta tashmë është një stinë mjaft e lakmuar për lëvizje turistike, edhe për shkak të çmimeve më të ulta, por në rastin e vendit tonë, vizitat lidhen me rritjen e sigurisë si dhe me publicitetin pozitiv nga kompanitë më të mëdha të turizmit. Vizitorët mbërrijnë në Durrës me të gjitha format, me avion, me kroçera, apo edhe të organizuar me autobuzë. Tashmë gjeografia e prejardhjes është mjaft e gjërë dhe në listën e vendeve janë shënuar thuajse të gjitha kontinentet-thotë Basho. Monumentet antike të qytetit po vizitohen sot nga dy grupe turistësh nga Gjermania, njëri prej të cilëve pranoi edhe ofertën për të vizituar një nga kantinat e prodhimit të rakisë dhe të verës. “Është një pratikë e re, mjaft interesante", tha inxhinieri Bashkim Laknori, i cili përfundoi guidën në kantinën më përvojë 50-vjeçare. Në bashkëpunim me agjencinë turistike ne organizojmë pas vizitës në repartet e prodhimit edhe një koktej me pijet e fabrikës, çka bëhet shkak edhe për shumë blerje që kanë edhe vlerën e dhuratave nga qyteti ynë, tregon ai. Të shumta janë vizitat në amfiteatrin antik, ku janë rikthyer edhe koncertet me muzikë klasike, një mënyrë e mirë për të tërhequr interesimin e vendasve dhe të huajve për monumentin më të madh të antikitetit në vendin tonë. "Galeria veriore po shfrytëzohet për herë të parë në një destinacion artistik", thotë Nevila Kalaja, violiniste dhe organizatore koncertesh, e cila shpreh edhe përshtypjet pozitive të instrumenstistëve austriakë, protagonistë në njërin prej koncerteve të amfiteatrit. Në hotelet e zonës së plazhit, që prej një muaji akomodohen për periudha 1-javore qindra nxënës të shkollave të mesme të Kosovës, një turizëm i qëndrueshëm gati 15-vjecar për qytetin e Durrësit. Sidoqoftë vazhdon të mungojë skema për grumbullimin e të dhënave që lidhen me numrin e turistëve në qytet, shprehet Edmond Basho. Vetëm sot në sheshin përballë shëtitores “Taulantia” janë vendosur 15 autobuzë me turistë, por numri i përgjithshëm i tyre apo vizitat që ato kryejnë nuk regjistrohen ende dhe shifrat nuk kalojnë në një web sajt qëndror. Sidoqoftë, ditët me diell të kësaj jave, pavarësisht nga parashikimet e zymta të fillimit kanë sjellë në Durrës qindra turistë, të cilët janë bërë pjesë e jetës së përditshme të qytetit antik./m.sh/s.s./
Nessun commento:
Posta un commento