22 ottobre 2013

Lida Miraj: Nuk ka prona mbi monumentet, të anulohet vendimi


Ka mjaftuar një deklaratë e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro për “pezullimin  e dhënieve të lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore” dhe specialistët e Trashëgimisë Kulturore kanë nisur të shpresojnë se shteti do ta lërë ligjin të veprojë për të gjitha denoncimet që kanë bërë herë pas here në media.

Ministrja e Kulturës deklaroi dje në një konferencë për median marrjen e nismës për hartimin e planit të Përgjithshëm të territorit, dhe pezullimin  e dhënieve te lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Sot kemi një pamje fort të cenuar, të dëmtuar,  të kësaj hapësire, jo vetëm si pasojë e lejimit të ndërtimeve abuzive rreth, apo brenda tyre, por edhe si pasojë e shkeljeve të ligjeve e rregullave ekzistuese, të cilat ndalojnë shprehimisht ndërtimin në zonat e mbrojtura me ligj si qendra historike, zona arkeologjike, kala etj. Pezullimi i dhënieve të lejeve zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore do të frenojë këtë cenim me pasoja shpesh të pakthyeshme, që i rëndojnë fort kulturës së sotme dhe kujtesës së ardhshme".

monumente kulture

Arkeologia Lida Miraj duket entuziaste pas kësaj deklaratë. Ajo është një nga ndër specialistet që kanë ngritur zërin për dëmet që i janë bërë trashëgimisë kulturore në gazetën Shqiptarja.com krahas specialistëve të tjerë si Gjergj Frashëri, Lorenc Bejko, Skënder Muçaj, Moikom Zeqo,etj, etj, por edhe përkrah forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që ka denoncuar të gjitha dëmet dhe shkeljet në media. Të gjithë së bashku kanë qenë kundër ndërtimeve pranë Monumenteve të Kulturës, kundër vendimit të qeverisë së mëparshme për dhënien me qira të monumenteve, si dhe kundër denatyrimit dhe restaurimit të gabuar të Monumenteve të Kulturës.

Arkeologia Lida Miraj rrëfen se si i ka ndeshur këto probleme gjatë punës së saj dhe si ka bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare gjatë fazës kritike të trashëgimisë, ku qeveria e mëparshme sipas saj “kishte hequr dorë”. Përveç probleme të mbartura të trashëgimisë, afresket e zhdukura të kapelës bizantine 1400-vjeçare në amfiteatrin e Durrësit nga djegia e një gome, janë pengu më i madh i arkeologes.

monumente kulture
 
Zonja Lida, ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro deklaroi në një konferencë për shtyp se do të pezullohen lejet zhvillimore që prekin zonat e Trashëgimisë Kulturore, ku dihet që janë dhënë edhe leje për ndërtime. Si specialiste e arkeologjisë sa shpesh e keni ndeshur këtë problem në qendrat e trashëgimisë kulturore?
-Duhet falënderuar ministrja e Kulturës për këtë reagim të shpejtë menjëherë pas marrjes së postit ministror. Është e domosdoshme që të gjitha ndërtimet të bëra pranë ose mbi monumente duhet të prishen. Duhet të vihet me ligj prishja e tyre, ose të ndryshohet ligji i trashëgimisë kulturore, sepse edhe banesat private të cilat janë të shpallura monumente kulture nuk mund të bëhen, sicc ka ndodhur deri më sot, sipas dëshirave të secilit pronar. Gjithmonë për restaurimet duhet të ndërhyjë shteti me rregullat e sakta të njohura botërisht të restaurimeve, sepse një pronar mund të bëjë ndërhyrje për ta bërë banesën të jetueshme. Por nëse këto ndërhyrje janë bërë jashtë kritereve, këtu kemi të bëjmë me mosfunksionimin e shtetit. Për këdo që ka bërë një ndryshim, ose restaurim në kundërshtim me të gjitha rregullat që duhet të ishin për restaurimin e një banese të shpallur Monument Kulture shteti duhet së fundi të kthejë vëmendjen e të zbatohen ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

monumente kulture
 
Te cilat banesa janë bërë ndërhyrje restauruese të gabuara?
-Janë disa banesa në Berat, janë disa banesa në Gjirokastër, etj. Te ato, në vend që ta bënin çatinë me rrasa guri e kanë bërë me tjegulla. Banori ndoshta nuk e di që duhet ta bëjë vetëm me rrasa guri dhe nëse shteti vendos ligjin që të gjitha banesat të mbrohen dhe të restaurohen sipas rregullit, çfarë nuk është bërë si duhet prishur. Kjo të çon edhe tek një problem tjetër, tek problemi i restaurimeve. Janë bërë restaurimeve të monumenteve që datojnë nga kohët antike legjendare. Janë bërë restaurime të gabuara dhe këtyre restaurimeve duhet t’ju vijë fundi. Një restaurimi i gabuar është bërë në Kishën e Shën Mërisë së Apolonisë.

monumente kulture

Çatia e kishës është bërë në mënyrën më skandaloze që mund të jetë, apo edhe në amfiteatrin e Durrësit, ku tashmë e kanë degraduar monumentin. Kanë përdorur llaçin me përbërjen  gabuar, kanë përdorur llojin e tjegullave gabim. Nëse restaurohet një monument antik ose edhe i kohëve më të vona, bëhet më parë analiza e llaçit, bëhet analiza e gurit, në mënyrë që të mos ndryshohet ekosistemi i ndërtesës. Për shembull më parë ka qenë një furrë në Apoloni që përdorej për tulla për restaurime.

Në çdo tullë kishte mbrapa vulën e Institutit të Monumenteve të Kulturës, IMK, dhe datën e prodhimit të tullës. Në këtë mënyrë, kjo tullë, kur të vihej në  mur duhet t’iu tregojë brezave të ardhshëm se është pjesë e restaurimit. Ajo vërtetë bëhej shumë e ngjashme me tullat, por për brezat që do vinin duhet lënë një shënim i saktë. Sot në restaurimin e amfiteatrit që unë e njoh mirë si problem, ndërhyrjet restauruese nuk janë bërë sipas parametrave, dhe në muret rrethuese bizantine të Durrësit janë zhdukur shumë gjurmë. Në këto mure është prishur konfiguracioni i elementeve të materialeve ndërtuese që janë përdorur për ndërtimin e këtyre mureve.
 
Zonja Lida, për një pjesë të ndërtimeve që janë bërë ose sapo kanë nisur pranë monumenteve të trashëgimisë janë marrë leje shtetërore, ku disa prej të cilave kanë bërë bujë në media siç rasti i ndërtimit të familjes së ish- ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Çdo të ndodh pas kësaj me këto leje të firmosura nga ministra të qeverisë së mëparshme?
-Unë kam dhënë një përgjigje edhe më parë në gazetën tuaj kur janë shfaqur raste të tilla dhe po e theksoj edhe njëherë se: private mbi monumentet e kulturës nuk ka. Në qoftë se shteti ndërhyn dhe jep pronës private mbi monumentet e kulturës, qoftë edhe me leje, shteti ose i ashtuquajturi shtet ka vepruar gabim dhe duhet ta dimë se ka rregulla të tjera që e ndalojnë këtë gjë.

monumente kulture
 
Gjithashtu, qeveria e mëparshme ka vulosur vendimin për dhënie me qira të monumenteve që nënkupton përdorimin e tyre nga qiraxhinjtë dhe ndërtime e hotelesh ose lokale të shërbimit...
-Kjo është totalisht gabim. Në gjithë botën ka ligje për monumentet e kulturës dhe këto janë jashtëzakonisht të sakta për mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve. Dhënia me qira totalisht është gabim.
 
Pra, përfundimisht cili është mendimi juaj dhe i specialistëve të arkeologjisë për vendimin që ka dalë nga qeveria e mëparshme për dhënien e monumenteve me qira, a mund të anulohet?
-Patjetër që duhet anuluar dhe unë besoj se qeveria e re, ka të gjitha dëshirat, mundësitë dhe proceduat ligjore për të vepruar ashtu siç i ka gjithë bota ligjet, dhe ne kemi një pasuri të madhe të trashëgimisë, dhe është mirë që ta vlerësojmë dhe ta ruajmë vetë më përpara, se të na e vlerësojnë të tjerët. Sepse, ka ndodhur që vitet e fundit nuk ka qenë qeveria që ka bërë thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë, por kanë qenë përfaqësitë ndërkombëtare të trashëgimisë, si UNESCO, Këshilli i Europës. Javën e kaluar ne kishin një vizitë nga këshilli i Europës për të parë mirëqenien e monumentit të amfiteatrit të Durrësit, dhe unë e kam deklaruar pas shumë vitesh gërmimesh në amfiteatër dhe asnjëherë amfiteatri nuk ka qenë në kondita më të këqija nga ç’është sot.

Amfiteatri ka pasur dy kapela, një kapelë bizantine dhe një mesjetare. E para e dekoruar fillimisht me afresk dhe pastaj me mozaik, e dyta është e dekoruar me afreske, por në kapelën e dytë sot nuk ekzistojnë më afresket. Aty është djegur një gomë, ndaj nuk ekzistojnë më afresket. Pra janë djegur në një masë shumë të madhe mozaikët e kapelës bizantine, dhe këta janë mozaikët e shekullit të gjashtë. Atëherë ccfarë do të bëjmë?! Aty është ndërhyrë gabim edhe nga restauratorët amatorë dhe sot mozaikët dhe kapelat janë në ndikimin e një lagështie të jashtëzakonshme dhe janë duke u shkërmoqur, duke u rënë gurët. Është e domosdoshme të ndërhyjnë profesionistë në restaurim, të diplomuar, arkitektë ose në arkeologji, nuk mundet dot ata të profesioneve të tjera të restaurojnë mozaikët.

Ju e aprovoni rrëzimin e ndërtimeve pa leje mbi monumentet. Si mundet të bëhet rrëzimi i tyre, sepse nuk besoj se lejohet të bëhet me shpërthim?
-Jo me shpërthim, do të bëhen në mënyrë artizanale, ashtu siç janë ndërtuar ashtu dhe do të çndërtohen dhe të largohen ndërtimet pa leje e çdo mbeturinë nga Monumentet e Kulturës. Në amfiteatër ka disa shtesa shtëpiash dhe ato nuk është e vështirë të largohen. Sepse ne kemi disa qytete si Butrinti, Apolonia dhe nuk ka pasur ndërtime mbi rrënoja. Përgjithësisht aty ku janë bërë restorantet që kanë cenuar strukturën mund të largohen. U bë shumë mirë që nuk e lejua ligji nga shoqëritë civile që të mos jepeshin kalatë me koncesione, sepse ky qe një projekt makabër dhe tashmë është mirë që të mos funksionojë me qeverinë e re.

Tashmë pritet që objektet, por edhe rrugët duhet të studiohen me arkitekturën e peizazhit, gjë që nuk ka funksionuar deri më sot. Është e domosdoshme në këto qendra të ketë ligje të forta, sepse ne trashëgojmë një kulturë shumë të pasur dhe ne patjetër duhet ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta ngremë në nivele më të larta. Në antikitet ka pasur një perëndeshë që quhej Mnemosyne dhe ishte perëndesha e memories që kujtohej për të gjitha gjërat që ndodhin dhe do të ndodhin dhe ne duhet të kemi këtë perëndeshë prezente. Ndaj i uroj fat qeverisë së re dhe ministrisë së kulturës për këto vendime.
http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/lida-miraj-nuk-ka-prona-mbi-monumentet-te-anulohet-vendimi-183321.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate