20 ottobre 2013

Kisha e Grabovës fsheh ikonat nga hajdutët, dyshime tek policia


Nga ANDI QOSJA
GRAMSH - 20 Tetor 2013 - 10:29
Fenomenit  të vjedhjes së ikonave dhe pikturave në kishat e vendit, nuk i ka shpëtuar as Kisha e Shënkollit në Grabovë të Gramshit. Ato pak që kanë shpëtuar nuk ekspozohen, pasi kisha ndodhet larg qendrës së banuar dhe nuk ruhet nga shteti. Për më tepër, përgjegjësi i kishës akuzon Policinë e Gramshit si bashkëpunëtore në grabitjet, sepse edhe atëherë kur ka pretenduar se i ka gjetur ikonat, nuk ia ka kthyer kishës. 

Kisha e Shënkollit ndodhet rreth një orë e gjysëm larg nga qyteti i Gramshit dhe është ndërtuar nga fundi i shekullit të 18-të. Për ironi të fatit, edhe pse  mundi t'i shpëtonte shkatërrimit të objekteve të kultit në periudhën komuniste në vitin 1967, por, edhe vitit të mbrapshtë 97’, kisha nuk mundi t'i shpëtonte “gjahtarëve” të ikonave që janë përhapur në të gjithë vendin.

BUZO: IKONAT E MBETURA I KEMI FSHEHUR, POLICIA BASHKEPUNON ME VJEDHESIT


kisha

Sipas përgjegjësit të Kishës së Shënkollit në Grabovë, Todi Buzo, “ikonat janë vjedhur prej disa vitesh dhe ato pak ikona që na kanë mbetur, ne kemi frikë t'i vendosim sepse, druhemi se do të vidhen sërish. Nuk i vendosim sepse kisha nuk ruhet, është shumë larg, e veçuar nga banorët dhe vetëm nëse merret ndonjë masë për t’i ruajtur do t’i vendosim.
 
Buzo hodhi akuza edhe mbi policinë e Gramshit se bashkëpunon me hajdutët e ikonave. Ai tha: "Është denoncuar vjedhja e objekteve dhe nga policia na është thënë se janë gjetur, si këmbanat psh. Por çuditërisht, po nga institucionet e policisë janë zhdukur, prapë nuk gjenden më.

Jam interesuar e më thonë janë çuar këtu e aty, ndaj mendoj se është një vejdhje e përbashkët, edhe me policinë brenda,"- thekson ai.

Tani, shpresat duket se jane rikthyer për kishën e Grabovës, pasi janë sekuestruar nga policia e shtetit mbi 1000 piktura dhe ikona kishtare.

Pikturat disponoheshin nga një koleksionistë privat, i cili i mbante pa lejen përkatëse nga Autoqefalia dhe për më tepër ato piktura ruheshin në kushte shtëpie.

Gjetja e koleksionit shprehet përgjegjësi Buzo, “ na ka shtuar shpresën se nga ato piktura mund të ketë edhe ikona të vjedhura në kishën e Shënkollit në Grabovë, pra ne do të interesohemi sa më shpejt që ato t’i rikthejmë sa më shpejt”.

Kisha e Grabovës është një monument kulture dhe është e ruajtur nga shteti. Kisha u rrënua gjatë viteve 1990-96’,  ku përvec shkatërrimit të mureve, iu vodhën edhe shumë piktura.

Me nismën e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, kisha u rikonstruktua, duke iu rikthyer edhe pikturat e ikonostasit për t’u rivjedhur rreth 2 vite më parë.

Grabova është një zonë e cila njihet për qytetrimin e saj të hershëm të popullsisë vllehe, e cila jeton prej shekujsh në këtë treve. Grabova ndahet në dy pjesë, Grabova e Poshtme që ka popullsi myslimane dhe Grabova e Sipërme që përbëhet nga popullsi ortodokse.


kisha
(Ikona dhe objekte të kishës së Grabovës)

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/kisha-e-grabov-s-fsheh-ikonat-nga-hajdut-t-dyshime-tek-policia-183116.html#sthash.8mw4sq1d.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate