25 ottobre 2013

Kalaja e Lezhës, ja si është shkatërruar nga investimet

Nga: FATMIRA NIKOLLI


Kalaja e Lezhës, ja si është shkatërruar nga investimetLEZHE
24 Tetor 2013 - Ja se çfarë kanë bërë me kalanë ata që duhet të na falenderonin për dhjetëra mijëra eurot e investuara nga projekti ynë për vite me radhë, në gërmimin e vetëm që ka njohur kalaja e Lezhës deri më sot: kabllo që çajnë muret e kalasë për të ngulur drita që ndriçojnë ferrat, urë e denjë për filmat vizatimorë ku mungon vetëm Borbardha me shtatë xhuxhët dhe urë druri pishe, këmbët prej betoni të së cilës janë ngulur në muret e kishës... ah, po ka dhe rruge "private" mbi nekropol apo ndërtim të "freskët" mbi zonën arkeologjike të klasifikuar A...". Ky është reagimi i Etleva Nallbanit, arkeologe dhe pjesë e ekspeditës shqiptaro- franceze, e cila që prej 28 shtatorit ka filluar gërmimet arkeologjike në qytetin e sipërm të Lezhës (kala dhe nekropol). Ndërsa ajo është nisur drejt monumentit për të studiuar periudhën mesjetare, është shokuar nga pamja që gjetur. Ndërtime pranë kalasë, objekte moderne mbi varret antike, këmbë ure që shtrihen në zemër të një kishe disa shekullore... Kjo është panorama e gjetur. Shqetësimi është bërë publik në grupin "Në mbrojtje të monumenteve" në rrjetin social "Facebook". Më tej, problematikat janë komentuar nga Gjerak Karaiskaj, apo emra të tjerë të njohur të trashëgimisë.
Investimet e dëmshme
Çdo element ndriçues (pra ata elementë që ndriçojnë kalanë) ka kushtuar rreth 15000 lekë të reja. "Janë rreth 100 copë të tillë që kanë shqyer muret e kalasë së Lezhës për të ndriçuar shegët e egra përreth. Ndërkohë që nuk ndizen prej mëse një muaji, sepse fatura ka shkuar rreth 30000 lekë të reja dhe s'ka kush e paguan...", shkruan Nallbani. Një tjetër specialist i IMK-së, Rais Petrela, shprehet se ndriçimi i kalave është bërë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Në këtë kuadër, 10 kala në Shqipëri ka qenë një projekt i financuar nga Fondi Zhvillimit, i cili u projektua dhe zbatua brenda 10 ditësh nga MTKRS për 100-vjetorin.
Duket se kjo ka qenë ndër vite politika e ndjekur në institucione për kulturë. Komentues të tjerë e vërejnë se ndriçimi i monumenteve është art më vete, sigurisht që një ekspert nuk do projektonte kurrsesi një ndriçim nga lart-poshtë, siç u bë ai i kalave. Profesionalizëm i gabuar ndaj morisë së problemeve që ka Shqipëria, nga formimi universitar e më pas kulturor që reflekton qartë sot një bizantinizëm ndaj një monumenti kulture. Ndërsa Shqipëria nuk ka ekspertë të lighting designer, atëherë pse duhet të implementohen këto projekte?", pyet Petrela. Ndriçimi i bërë me rastin e 100-vjetorit ka këto rezultate: kanë një konsum energjitik të paparë dhe të papërballueshëm si ai i Kalasë së Gjirokastrës, apo të tjerave.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate