DURRES, 6 Tetor/2013
ATSH-Gëzim Kabashi
Qindra turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar gjatë këtij sezoni veror kepin e Rodonit dhe monumentet e tij historike, në komunën e Ishmit, rreth 40 km në veri të qytetit të Durrësit.
Rruga Maminas-Shën Pjetër dhe rikonstruksioni i aksit që zbret nga fshati Shetaj në bregdet e kanë lehtësuar udhëtimin me automjete drejt pikës më veriore të qarkut të Durrësit.Kalaja e Skënderbeut dhe kisha e Shna Ndout janë dy nga monumentet më tërheqës në zonën e mbuluar nga gjelbërimi. Kisha e Shna Ndout dhe manastiri i motrave të Shën Klarës, ngjitur me të, që mendohet se është ndërtuar nga motra e heroit tonë kombëtar, Skenderbeut, janë rindërtuar disa vjet më parë me mbështetjen e ambasadës gjermane.
Restaurimi i kullave të kalasë së Skënderbeut dhe krijimi i një rrugë të veçantë në kreshtën e kodrës është realizuar katër vjet më parë, duke rritur numrin e të interesuarve për monumentin mesjetar.
Kepi i Rodonit është një nga pjesët më të bukura dhe strategjike të bregdetit shqiptar. Nga lart, ai ka një pamje fantastike që të kujton bashin e një anijeje gjigande që çan drejt detit. Vetë kepi është një kodër e madhe e lartë, deri në 50 metra, dhe mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashëm me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, që njihen në mitologji si perëndi të detit. Ndërsa banorët e zonës e identifikojnë më shumë si kepi i Skënderbeut.
Në shekullin e 14 princi i Durrësit, Karl Topia, kishte ndërtuar në kep një kantier për ndërtimin dhe riparimin e anijeve, dhe Rodoni ishte një qendër e njohur tregtare në Adriatik, nga ku eksportohej drejt Raguzës (Dubrovnikut) lëndë druusore dhe grurë.
Gadishulli i vogël, me gjatësi rreth 2 km, mbyll në anën veriore gjirin detar të Lalzit. Ai të mahnit me formën dhe gjelbërimin, e në majën e tij ofron pamjen e kështjellës së ndërtuar në vitet 1450 nga Heroi ynë Kombëtar, Skëndërbeu, dhe që mban edhe sot emrin e tij.
Pranë saj është rindërtuar kisha mijëvjeçare e Shna Ndout, një prej shumë institucioneve të kultit kristian që u ruajtën gjatë mesjetës së vonë në këtë zonë dhe që është ripërtërirë tashmë nga ritualet e banorëve katolikë të zonës.
Kepi i Rodonit, i cili njihet edhe si kepi i Muzhlit, bën pjesë në komunën e Ishmit, njësia administrative në veri të qarkut të Durrësit. Ai ndodhet rreth 40 km larg Durrësit dhe po aq larg nga kryeqyteti.
http://www.ata.gov.al/NewsStyle.aspx?NewsItemID=606488&News_Date=06/10/2013
Nessun commento:
Posta un commento