12 ottobre 2013

Reportazh/ "Majat e Ballkanit" udhëtim në Theth


data 12/ott/2013
TIRANE- Jam 2570 metra mbi nivelin e detit. Ne Theth. 70 kilometra larg qytetit të Shkodrës dhe me dorën mbi kurorën e argjendtë të Alpeve shqiptare. Jam me sy në Radohimë, në Qafën e Dhenve, në Qafën e Drerit dhe pak më tej, syri im ulet dhe pushon mbi majat e thepisura të Jezercës. Pamje më magjike nuk ka. Ky vend prej vitesh është shpallur Park Kombëtar dhe ze një sipërfaqe prej 2630 hektarësh, kryesisht pyje me ah, me pisha e bredh të bardhë, por edhe me shkurre që tash në vjeshtë, skuqin dhe duken si zjarre të bukur ndanë udhës nacionale, copë - copë nga Bogaj e këtej. Jam në një vend epik, që quhet Theth. Një emër i prejardhur nga fjala thedhë - thellë, ( formë dialektore e gegnishtes së sipërme ) dhe që me kalimin e shekujve u shëndrrua në Theth. Këtu, prej gati 70 vjetësh votat e banorëve të zonës janë numuruar vetëm majtas, për 50 vjet me radhë.

Por edhe djathtas pas vitit 1990, duke deformuar në mënyrë të paskrupullt vullnetet e lira të njerëzve. Jam në një prej perlave të natyrës shqiptare, ku shteti shqiptar mungon pothuajse krejtësisht. Dhe doren e "nënës" prej gati 7 vjetësh këtu e ka shtrirë shteti mik gjerman. Përmes Ambasadës së saj në Tiranë dhe GIZ - një fondacion gjerman që po implementon prej disas vitesh një projekt: "Peaks of Balkans" - Majat e Ballkanit, që përfshin veç Alpeve të Shqipërisë dhe Bjeshkëve të Namuna të Mujit e Halilit, edhe ato të Kosovës e Malit të Zi. Sivjet ky projekt fitoi çmimin "Turizmi i së nesërmes" në konkursin Word Travel and Tourism Council 2013.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate