Nga DHURATA HAMZAI
Prisnin si çdo vit ndonjë lajm të ri për ndonjë zbulim interesant, por arkeologët kthehen “duarbosh” nga gërmimet. Në jug të vendit në Manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë njëra prej ekspeditave udhëhiqej nga arkeologu Skënder Muçaj. Ekipi i gërmimeve ka një muaj që është kthyer, por me shumë fletë të bardha në ditarin e arkeologut. Muaji gusht ka qenë muaji e ekspeditave arkeologjike. Ekspeditat e drejtuara nga Instituti i Arkeologjisë u shtrinë në të gjitha terrenet arkeologjike të vendit, që nga Dimali i Shkodrës e deri në Sarandë.
Ndërsa pyesim arkeologun Skënder Muçaj se çfarë gjërash interesante janë zbuluar, ai na bën aty për aty një inventar rrëqethës të objekteve arkeologjike të grabitura, ku përfshihen edhe skulptura antike të rëndësishme. Biseda nis me shkak ikonat dhe afresket mesjetare, të cilat pas një operacioni antitrafik të koduar “Ikonat” u strehuan në Galerinë Kombëtare të Arteve.
E nisëm kështu bisedën në shenjë respekti për vëmendjen e pareshtur të arkeologut të njohur, i cili jo pak herë gjatë ekspeditave arkeologjike ka apeluar për lënien e kishave në mëshirë të fatit. Ka folur disa herë edhe për grabitjet, lënien nga qeveria Berisha pa roje dhe në dorë të vjedhësve...dhe Muçaj sërish nuk po duket shumë entuziast për gjetjen e ikonave, sepse më pyet: “Mirë ikonat që u gjetën, po për trafikun e objekteve dhe skulpturave arkeologjike çfarë do të bëjë Edi Rama?!...
Në foto: Gërmimet klandestine në varret ilire, denoncuar nga forumi i trashegimise kulturore
Si grabiten e trafikohen objektet arkeologjike
“Kam ardhur të më tregosh se për ndonjë zbulim interesant”, i them arkeologut, të cilit për shkak të profesionit “i bie shpesh më qafë”. “Çfarë zbulimesh, thua ti, kemi punuar në kushte të vështira. Kemi bërë disa gërmime dhe kemi evidentuar të dhënat, por nuk vazhdohej dot më tej. Ishte e pamundur. Ku të linin trafikantët të gërmoje. Ne vinin të bënin gërmime ditën dhe piratët sa mësonin vendin shkonin për të vjedhur. Ata nuk kishin frikë, as nga ligji, as nga polici, sepse ç’është e vërteta gjithnjë kanë vjedhur dhe asnjëherë policia e shtetit nuk është munduar t’i kap.
Piratët ne i kishim pas gjurmëve tona”, thotë arkeologu, ndërsa i vjen keq se nuk e ka as forcën, as pushtetin për të bërë diçka në mbrojtje të trashëgimisë, kundrejt indiferencës së ministrave të kulturës në vite, të instancave të shtetit, që për gati një dekadë nuk kanë bërë deri më sot asnjë reagim zyrtar ndaj vjedhjes së trashëgimisë. I pari rast ishte ky i qeverisë së re, ku me mbështetjen e kryeministrit Rama u sekuestruan nga trafikantët 1127 ikona dhe objekte të trashëgimisë. Kështu arkeologu ka bërë atë që ka mundur, duke kryesuar një ekspeditë, e ndërpreu për të mos u treguar më piratëve se ku ndodhet thesari arkeologjik.
Gazeta “Shqiptarja.com” ka botuar pothuajse të gjitha kronikat ku piratët e arkeologjisë iu janë sulur tumave, varrezave të lashta historike. “Ata janë të interesuar për objektet metalike, por tumat janë varrezat më të pasura me objekte arkeologjike që kemi neve, jo vetëm ato prehistorike por edhe të një kohe të vonë”, thotë Muçaj duke theksuar se ato “janë një pasuri kolosale edhe për Mesdheun, jo vetëm për Shqipërinë, janë një shenjë e qartë e trashëgimisë ilire”. Dhe ashtu siç ka pasur një treg të zi për ikonat, Muçaj rrëfen se ka edhe një treg të antikave në Shqipëri. “Në Shqipëri nuk ka një treg specifik, një ankand antikuarësh. Klandestinët detyrimisht i shesin jashtë. Në këtë lloj tregu ka edhe VIP-a që janë pasuruar nëpërmjet këtij biznesi, ose ka nga ata që janë në politikë dhe kanë një post të caktuar”, thotë Muçaj për Shqiptarja.com. Duke shpresuar se “ndoshta ata nuk i kanë nxjerr akoma jashtë”, shprehet “kjo u takon instancave të tjera t'i zbulojnë”.
Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
( Ne foto: Skender Muçaj)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) - See more at: http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/sk-nder-mu-aj-arkeolog-t-g-rmojn--dit-n-trafikant-t-vjedhin-nat-n-182284.html#sthash.KTH7nmaN.dpuf
Nessun commento:
Posta un commento