DISCOVER and LOVE ALBANIA. KRIJUAR për t'ju lehtesuar kerkimet e informacioneve rreth Shqipërinë Turistike .... MENDONI sikur i njihni bukurit qe ofron Shqiperia, KENI DèGJUAR për te dhe vendet e saja përrallore. Shqipëria nuk kujtohet vetëm në zemër, NE ju japim mundësin qe te njihni arteriet HISTORIKE & KULTURORE qe shtrihen ne token Shqiptare .
22 ottobre 2013
Kisha e Përmetit, Ja pse ishte shkëputje e dhunshme e përdhosje
TIRANE-22 Tetor 2013 - 10:51
Lajmi i gëzuar për zbulimin dhe sekuestrimin nga policia e disa qindra veprash arti të vjedhura dëshmon, edhe një herë, dëmin që ka shkaktuar objektivizimi i trashëgimisë kulturore.
Si "objektivizim" i veprave të artit përkufizohet shkëputja e dhunshme e tyre nga subjektet që i krijuan dhe i ruajtën si pjesë të jetës dhe si shfaqje të identitetit të tyre. Kështu ndodhi kur shteti komunist shtetëzoi veprat e artit dhe i cilësoi si monumente kulture, duke i vënë nën mbrojtjen e shtetit si objekte. Monumentet dhe veprat e artit janë pjesë organike dhe integrale, pra pjesë e subjektit të bashkësive që i krijojnë dhe i ruajnë. Krijuesit e tyre konsiderohen thjesht si "duart" e bashkësisë që i krijon, gjë që e dëshmon më së miri formula tipike me të cilën fillon nënshkrimi i autorëve të disa prej ikonave të sekuestruara (dhe jo vetëm): "përmes dorës së…". Siç do të tregohet më poshtë, përmes një shembulli konkret, veprat e artit të cilat nuk janë shkëputur nga ambienti organik i tyre mbrohen nga komuniteti si pjesë e subjektit të tij, pra ashtu siç komuniteti mbron veten. Përkundrazi, shkëputja e trashëgimisë kulturore nga ambienti i saj jetësor dhe organik dhe objektivizimi i saj, nuk e garanton sigurinë e trashëgimisë. Objektivizimi e kthen trashëgiminë kulturore në "objekte arti". Dhe objektet me shumë vështirësi arrijnë të lidhen me subjektin e një bashkësie të re, ndërsa më së shumti tregtohen, shiten dhe blihen. Thënë me fjalë të thjeshta: "Do që të mbrosh një objekt arti? Integroje organikisht në jetën e një bashkësie, bëje pjesë të subjektit të saj". Ky koncept teorik i raportit të komunitetit me artin, si pjesë e subjektit apo si objekt, mund të thjeshtohet më tepër duke i shtruar vetes disa pyetje: Cila shtëpi na dhemb më shumë, ajo ku jemi lindur dhe jemi rritur, apo ajo me qira? Cilin lek e kursejmë më tepër, lekun e nxjerrë me djersë, apo lekun e gjetur në rrugë? Për cilën mace kujdesemi më shumë, atë shtëpiaken apo tjetrën, atë të rrugës? Në cilin shtrat flemë më mirë, në atë të shtëpisë, apo në atë të hotelit? Pra, trashëgimia si pjesë e subjektit të një bashkësie është shtëpia ku je rritur, leku i djersës, macja apo shtrati i shtëpisë, ndërsa kur bëhet objekt, këto mund të kthehen në "shtëpi me qira", "lek i gjetur në rrugë", "mace e rrugës" ose "shtrat hoteli".
Raportin midis komunitetit dhe artit, si pjesë e subjektit të komunitetit apo si objekt, dhe implikimet që ky raport mbart për sigurinë e trashëgimisë kulturore do ta paraqes përmes katër ngjarjeve historike.
SË PARI, mënyra e shpëtimit dhe e ruajtjes së thesarit të manastirit të Shën Kollit të Perhondisë.
SË DYTI, degradimi i trashëgimisë kulturore kur kjo shkëputet nga subjekti i vet, duke marrë si shembull rastin e kishës së Shën Triadhës në Lavdar.
SË TRETI, ruajtja e trashëgimisë kulturore kur ajo rilidhet me subjektin e një bashkësie, si p.sh., rasti i nismës së ndërmarrë nga Mitropolia e Korçës për konsolidimit shpëtimtar të kësaj kishe.
SË KATËRTI, dhimbja dhe reagimet që shkëputje të reja të një vepre arti nga bashkësia e vet i shkaktojnë kësaj bashkësie, me pikënisje ngjarjet e verës në kishën e Shën Mërisë së Pazarit në Përmet. Gjatë trajtimit të këtyre ngjarjeve do të dalë në pah edhe roli i elitave në vendosjen e përparësive politike të lidhura me këtë trashëgimi dhe, si rrjedhojë, në një sërë mbarësish ose prapësish kulturore.
Ishte 8 nëntor i vitit 1399 kur prifti-murg (hieromonaku) Danieli, igumen i manastirit të Shën Kollit në Perhondi, Berat, shkruante se, "prej frikës së turqve", po largohej nga manastiri, [fig. 1] duke marrë me vete të gjithë kodikët e vjetër dhe sendet e tjera kishtare me vlerë që ruheshin në manastir. Shënimi-kronik, gjithashtu përmban inventarin e sendeve që igumeni mori me vete, si edhe mallkime parandaluese për këdo qoftë që do të përvetësonte ndonjërën prej tyre. Këto sende igumeni Daniel i nxori së bashku me "zotin e tij" Teodorin III Muzakën, për t'i vendosur në një vend më të sigurt, në qilarin e vetë Muzakës që ruhej nga roja i tij, Theotoqi. Ndër këto objekte, shënimi përmend edhe "perdet prej mëndafshi të portës, që ishin dhuruar nga Balsha", vepër që prej kohe është identifikuar me Epitafin e Gllavenicës (1373) [fig. 2], si edhe disa letra perandorake (krisobula). Kronika e shënimit ruhet sot në kodikun me numër klasifikimi "Additional 37007" të Bibliotekës Britanike në Londër. Vlera e kësaj ngjarjeje në çështjen në diskutim është raporti i igumenit Daniel me këto sende. Duke u larguar nga manastiri, ai nuk u kujdes të shpëtonte vetëm veten e tij, por, sikundër nënkuptohet qartë, ai u shqetësua edhe për sigurinë e trashëgimisë kulturore të manastirit si pjesë e subjektit të bashkësisë së cilës i printe igumeni Daniel.
Edhe pse as Berati, as manastiri i Shën Kollit në Perhondi nuk u shkatërruan kur përfundoi pushtimi osman (1417), rrethanat historike e justifikonin pasigurinë e Danielit në vitin 1399. Qysh prej vitit 1380 dhe, më pas, më 1382 dhe 1384, osmanët kryen inkursione plaçkitëse në territoret ngjitur me ato të Muzakajve. Një vit më pas, më 1385, ushtria e Balshës II u shpartallua nga forcat e osmanëve dhe trupat e Karl Topisë, ndërsa vetë Balsha II u vra. Shpartallimi i Balshës II në betejën e Savrës, Lushnjë, shkaktoi shumë frikë dhe ankth në territoret fqinje. Kjo gjendje u intensifikua pas vitit 1392, aq sa më 1394 Kryepiskopi i Ohrit u detyrua të toleronte një martesë kanonikisht të paligjshme mes dy familjeve të fuqishme "për shkak të rrezikut që rëndonte mbi të krishterët e atyre vendeve". Rreziku turk, pra, edhe bashkoi sundimtarin e Vlorës, Merksha Zharkoviç, me vajzën e zotit të Zetës, Balsha II, Ruginën, edhe e bëri igumenin Daniel ta ndjente të nevojshme të siguronte trashëgiminë e manastirit të Shën Kollit në duart e sundimtarit të Beratit (1389-1412). Edhe pse s'mund ta dimë se cili do të kishte qenë fati i këtyre sendeve të shenjta po të mos largoheshin nga manastiri i Shën Kollit në Perhondi, mbetet fakt se një pjesë e mirë e tyre, si kodikët dhe vetë Epitafi i Gllavenicës, u ruajtën nëpër shekuj në Berat, duke vazhduar të jenë pjesë e identitetit, pra e subjektit të bashkësisë së tyre. Pjesë e tyre ruhet sot në Arkivin Qendror Shtetëror, në Muzeun Kombëtar, në Bibliotekën Britanike etj.
Megjithatë, largimi i Danielit nga manastiri bashkë me sendet e çmuara të tij nuk ishte e vetmja alternativë sigurie. Marrëveshjet e manastireve të Malit të Shenjtë (Athos) ose të manastirit të Shën Joan Pagëzorit në Serres (në veri të Selanikut) me Osmanët (çereku i fundit të shek. XIV) mund të përbënin një model për sigurinë e manastirit dhe bashkësisë së tij nga "frika e turqve". Këto marrëveshje u siguronin manastireve privilegjet e mëparshme dhe paprekshmëri gjatë inkursioneve dhe pushtimit osman. A nuk përbënin marrëveshje të këtilla mundësi për sigurinë e manastirit të Shën Kollit? Për më tepër, çfarë i jepte Danielit garanci se bodrumi i një sundimtari mund të ishte më i sigurt se vetë manastiri? Tekefundit, mallkimet fetare në fund të kronikës, të drejtuara kujtdo qoftë që mund të donte t'i tjetërsonte sendet e çmuara të manastirit, tregojnë se siguria e tyre nuk ishte e garantuar as në qilarin e Teodor III Muzakës. Pra, pasiguri në manastir, pasiguri edhe në bodrumin e Muzakës. Atëherë, përse igumeni Daniel vendosi t'i nxjerrë sendet dhe të largohet edhe vet nga manastiri? Për më tepër, pse sendet e manastirit nuk u kthyen në vendin e tyre, kur më 1402, apo ca vite më pas, frika nga osmanët u fashit, pas betejës së Ankarasë?
Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve është e domosdoshme të shqyrtohet, së pari, çfarë cilësonte si "trashëgimi" igumen Danieli dhe, së dyti, çfarë mund të përbënte "frikën prej turqve" për të. Kodikët e identifikuar nga inventari i sendeve datohen nga shek. X-XI deri në shek. XIV, d.m.th. deri në kohën e shkrimit të kronikës. Epitafi i Gllavenicës (1373) atëkohë ka qenë vetëm 26-vjeçar, d.m.th., ka pasur moshën që ka sot Piramida për ne, ose moshën që do të kishte statuja e madhe e Enver Hoxhës. Përveç kodikëve, sendet e tjera përfshinin rroba priftërore, një kryq të zbukuruar, me kutinë e vet, pëlhura të domosdoshme për kryerjen e meshës, një temjanicë të bakërt, një arkë të bakërt "për të ardhurat" edhe letrat "krisobulë" që përcaktonin kufijtë e fshatrave Perondi dhe Vreshtan. Pra del qartë se kriter përkufizimi i "trashëgimisë" për Danielin s'ka qenë as vjetërsia, as materiali dhe as rëndësia e dhuruesit të sendeve. Gjithë ato sende, që igumen Danieli mori me vete, kanë qenë pjesë e jetës së përditshme të bashkësisë murgjërore dhe do të lëviznin aty ku edhe vetë bashkësia do të lëvizte. Që të gjitha sendet ishin për t'u ruajtur së bashku dhe të pashkëputura. Për këtë arsye shërbenin edhe mallkimet, të cilat i drejtoheshin "kujtdo, qoftë sundimtar, prift ose arkond, që do të kujtohet dhe do të dojë të marrë ndonjë nga sendet". Pra, këto sende ishin vetë jeta e përditshme, pjesë e subjektit e igumenit dhe e bashkësisë që ai kryesonte dhe pikërisht kjo përbënte "kriter trashëgimie" për Danielin. Prandaj, ai do t'i ruante ashtu siç do të ruante edhe veten e tij.
Por cilat ishin shqetësimet e tij me shprehjen e "frikës së turkut" dhe cili qe qëllimi i mallkimeve kundër atyre që mund të përvetësonin diçka nga sendet? Duket se meraku kryesor i igumenit Daniel ka qenë frika e përdhosjes së tyre prej osmanëve dhe bindja e tij se Teodori III Muzaka dhe Peshkopata e Beratit dhe Gllavenicës do të ishin më shumë në gjendje të pengonin një përdhosje të mundshme, sesa manastiri dhe murgjit e tij. Mbase në këtë vendim mund të kishin ndikuar gojëdhënat mbi shkatërrimin e disa kishave apo manastireve nga osmanët në raste pushtimesh me dhunë, sipas të drejtës së tyre të luftës. Ndoshta mund të ketë ndikuar precedenti nga lufta e Savrës. Mallkimet kishtare që Danieli nuk ua drejtoi turqve, por sundimtarëve ose priftërinjve ortodoksë, ishin masë mbrojtëse kundër një lloj tjetër përdhosjeje: shkëputjes së mundshme të ndonjërit prej sendeve të manastirit, që do të objektivizonte trashëgiminë. Pra, me sa duket, në të dyja rastet, frika e igumenit Daniel ka qenë përdhosja e këtyre objekteve, të cilat falë bashkëpunimit të mirë të tij me kryesinë politike dhe fetare të vendit na janë ruajtur deri më sot, dhe janë disa kryevepra të trashëgimisë kulturore botërore. Kjo pari, tekefundit, qe pjesë e bashkësisë, për të cilën këto sende përbënin mode d'être, prandaj do t'i mbronte dhe do të kujdesej për to. Sendet e manastirit përbënin pjesë të subjektit të bashkësisë, e cila i mbrojti edhe më përpara 1399-ës nga serbët, dhe më pas nga pushtuesit austriakë dhe gjermanë.
Igumeni Daniel e dinte që sendet e çmuara të manastirit ia linte një sundimtari me besim të fortë nga një familje që i vlerësonte, siç ka qenë Teodor III Muzaka. Historia e Muzakajve fillon në malësinë e Oparit, zonë sot pothuajse e braktisur, mirëpo dikur e populluar mirë. Familja e tyre ka lënë gjurmë të shumta të besimit të saj përmes ngritjes së kishave. Muzakajt ndërtuan kisha, si në vende të sundimit të tyre, ashtu edhe në vende të origjinës, ku kishin edhe varret e tyre familjare. Një shembull i mirë i kishave që ngritën Muzakajt në vendet e sundimit të tyre është kisha e Shën Athanasit në Kostur [fig. 3], me afreske të datuara në vitin 1383/4, e cila u ngrit me "mund e vuajtje" nga ktitorët Stoja dhe Teodor (III) Muzaka, kishë e restauruar bukur dhe e vizitueshme. Një sërë monumentesh të tjera, afresket e të cilëve kanë ngjashmëri me ato të Shën Athanasit në Kostur, ndoshta mund njëkohësisht t'i atribuohen besimit të familjes së Muzakajve, si p.sh. kisha e Shën Gjergjit në Cerçkë të Leskovikut, etj. Familja la gjurmë edhe në vendin e origjinës, p.sh. kishat sot të panjohura të Shën Mërisë në Zerec-Bungë ose të Shën Gjergjit në Erost (Osojë, sipas supozimit të P. Xhufit), ose kishën e Shën Triadhës (d.m.th. e Trinisë së Shenjtë) në Lavdar, e riparuar dhe e mbipikturuar rreth viteve 1470 prej "Zonjës Kiranë", gjyshes së kronistit të shek. XVI të Muzakajve dhe pasardhësit të Teodorit III Muzaka, Gjin Muzakës.
Kisha e Shën Triadhës, ky monument me rëndësi të madhe për trashëgiminë e zotërve mesjetarë shqiptarë që na i ruajtën thesaret botërore të Beratit, i rezistoi kohës, e mbrojtur nga vendasit deri sa shteti komunist e sekuestroi dhe e vuri në "mbrojtje shtetërore" si monument kulture. Shkëputja e monumentit nga subjekti i bashkësisë së tij dhe objektivizimi i tij bëri që banorët e fshatrave përreth të prisnin nga shteti mbrojtjen e monumentit. Mirëpo, inercia e shtetit, i cili për pothuajse gjysmë shekulli nuk vuri dorë për restaurimin e këtij monumenti, pak deshi ta shkatërronte tërësisht monumentin që shpëtoi nga trazira shumë më të mëdha gjatë historisë së tij shekullore. Veçanërisht gjatë tre viteve të fundit raporte dramatike të specialistëve të Institutit të Monumenteve dhe shqetësime të shprehura prej studiuesve të tjerë "godisnin në dyer të të shurdhëve", qofshin në nivel drejtorie, qofshin në nivel Ministrie Kulture. Shteti "s'kishte fonde" për të shpëtuar këtë monument, por gjeti të tilla për shfaqje të hatashme, të konsumimit të një kulture masive, me karakter elektoral. Kështu, përparësitë politike kulturore do ta çonin monumentin me siguri drejt rrëzimit në dimrin që po afron si shkak i reshjeve të shumta të dëborës [fig. 4-5]. Fonde s'kishin as ambasadat, as fondacionet e korporatave ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri me xhiro milionash, të cilët promovojnë art dhe konsumojnë kulturë masive dhe mediatike, që i shërben edhe qëllimeve marketiste të tyre. Kisha e Lavdarit, afër Tudasit, ndodhet në një vend që s'e njeh as 10% e shqiptarëve, pra "shikueshmëria" e një sponsorizimi për restaurimin e saj do të ishte e ulët, lëre që edhe vetë VIP-ave do t'i duhej të shpenzonin për helikopter, për të prerë shirita në vendndodhjen e kishës…
Kush e ndërmori nisëm për shpëtimin e monumentit, të paktën për ta sjellë në gjendjen e sotme (afresket kanë pësuar dëme të parestaurueshme në një pjesë të madhe të tyre)? Ishte Mitropolia Ortodokse e Korçës, pra pasardhësi i bashkësisë për të cilën kisha ka qenë mode d'être. Kjo Mitropoli iu përgjigj atij detyrimi, për të cilin shteti s'gjeti fonde. Është për t'u përgëzuar nisma e Mitropolitit të Korçës, imzot Joanit, i cili jo vetëm që dëgjoi zërat dramatike të specialistëve dhe studiuesve jo të shquar që ngrinin vazhdimisht zë shqetësimi ndaj rrezikut të shembjes së monumentit, por edhe ndërmori vetë një dhe dy udhëtime, për ta vizituar, bashkë me besimtarë, duke e ri-integruar monumentin në subjektin e bashkësisë së ortodoksëve të zonës. Në kuadrin e rilidhjes së trashëgimisë kulturore me subjektin e bashkësisë së saj, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit KOASh-i e ndjeu nëvojën të ndërmarrë nisma për restaurimin e më shumë monumenteve kishtare sa vetë shteti, ndërsa monumente të restauruara janë ri-integruar në jetën e përditshme të komuniteteve të tyre.
Por, ndërsa kisha e Muzakajve në Lavdar, aq e rëndësishme për trashëgiminë mesjetare shqiptare, po të kishte zë, do të ulërinte për gjendjen e saj dëshpëruese, cilat ishin përparësitë e elitave të studimit të mesjetës shqiptare? A, vallë, e ndoqën shembullin e igumenit Daniel, e Teodor III Muzakës dhe të pasardhësve të tyre, falë merakut të të cilëve shpëtoi nga rreziqet një thesar me kodikë dhe vepra të tjera të artit? A e cilësuan këtë monument përmbi gjashtëqindvjeçar të denjë për të harxhuar pak bojë nga pena e tyre? Fatkeqësisht, akademikë dhe disa specialistë ndër më të shquarit e mesjetës shqiptare, u konsumuan gjithë beharin duke fajësuar reagimet e Kishës Ortodokse për ri-objektivizimin e një trashëgimie kulturore që ka qenë pjesë e mënyrës së të qenit të një bashkësie. Vetë objektivizimi i kishës së Shën Mërisë së Pazarit të Përmetit në zbatimin e një urdhri gjyqësor, pra ri-shkëputja e dhunshme e saj nga subjekti i bashkësisë, do të përbente akt përdhosjeje sipas botëkuptimit të igumen Danielit, shpëtimtarit të thesareve mesjetare të Beratit. Reagimet e pritshme të një komuniteti, të cilit i shkëputet një pjesë e subjektit të vetes jo vetëm nuk u shuan me ndonjë vendim politik për të shmangur konfliktin, por u intensifikuan përmes përdhosjes brutale të sendeve të shenjta dhe të faltores. Një faltore e cila në strukturën e saj ndërtimore mban vlera shumë më shumëvjeçare se çka qenë Epitafi i Gllavenicës në vitin 1399. Ishte pikërisht akti i shkëputjes së trashëgimisë nga bashkësia e saj që përmblidhte kuptimin e përdhosjes për igumen Danielin, pra frikën dhe makthin e tij, për shmangien e të cilës aktivizoi edhe sundimtarin e vendit. Përmbaruesit e vendimit për Kishën e Shën Mërisë së Pazarit i hodhën sendet e saj tafti-bafti në kamionë bashkiakë plehrash [fig. 6]. Pra, ndërsa elitat e kohës së Teodor III Muzakës bënë ç'ishte e mundur për të shpëtuar thesarin e Beratit nga përdhosja, një pjesë e elitës që e njeh kronikën e Danielit, jo vetëm heshti, por edhe mbështeti dhe justifikoi objektivizimin, pra, përdhosjen e një trashëgimie, pjesë e jetës së një komuniteti.
Siç u përmend edhe më lart, objektivizimi i veprave të artit që shkëputen nga jeta e bashkësive të tyre e kthen trashëgiminë në objekt, i cili pa dhimbje shitet dhe blihet. Patogjenia e vjedhjes dhe e kontrabandës së veprave të artit që u zbulua kohët e fundit, është, pa dyshim, sukses i madh për Policinë e Shtetit. Nga ana tjetër, mendoj se duhet të na bëjë të rivlerësojmë çështjen e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në drejtim të çobjektivizimit dhe riintegrimit të saj, në një formë të pranueshme, në jetën e subjekteve të bashkësive të tyre.
*Titulli në origjinal: Objektivizimi i Trashëgimisë: Përparësi,
Mbarësi dhe Prapësi Kulturore.
Autori, studiues dhe pedagog
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Iscriviti a:
Commenti sul post (Atom)
Nessun commento:
Posta un commento