06 ottobre 2013

Dita e dytë e panairit “Shijo Korçën” në kuadër të bioturizmit

KORÇË-05 Tetor 2013 - 17:29
Në kuadër të bioturizmit në qytetin juglindor të Korçës, është organizuar Panairi “Shijo Korçën”, i cili është çelur ditën e djeshme dhe ka vijuar edhe ditën e sotme.

Në qendër të tij, ky panair ka patur si qëllim promovimin e bioturizmit, për të gjitha ato biznese të rajonit, të cilat ushtrojnë aktivitete të ndryshme në kulturë dhe kulinari.

Aktiviteti është organizuar nga Këshilli i Qarkut të Korçës, me mbështetjen e projekteve “Praktikat inovative në bioturizëm” dhe projektit “Nxitja e bashkëpunimit dhe mobilizimit për krijimin e grupeve ekonomike”, projekte këto të financuara nga Programi i Bashkëpunimit ndërkufitar IPA, Greqi-Shqipëri 2007-2013.

Ky panair është një bashkëpunim ndërkufitar mes Shqipërisë edhe Greqisë dhe synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të turizmit me qëllim përmirësimin e ekonomisë së rajonit të Korçës.

Në këtë panair, kanë marrë pjesë biznese të shumta të rajonit, nga zona të ndryshme të qarkut, të cilat turizmin e kanë si bazë për sigurimin e të ardhurave. Në vetvete ky panair ka qënë një ndërthurje mes artizanales dhe kuzhinës.
Pjesmarrësit në këtë aktivitet janë njohur me bukuritë e rajonit, kanë shijuar kuzhinën tradicionale korçare, të shoqëruar padyshim edhe nga tingujt e serenatave korçare të cilat janë prezente në çdo eveniment kulturor.

Interesi i qytetarëve ka qenë i madh në të dy ditët e panairit. Shumë qytetarë, por edhe vizitorë vendas dhe të huaj, nuk kanë hezituar të shohin me kureshtje punimet e bukura artizanale që ofronte ky panair, produktet dhe ushqimet e shijshme tradicionale.
Në tendat e vendosura në Zonën Këmbësore, në qendër të qytetit, ka patur përfaqësues të bizneseve të ndryshme të rajonit, të cilët kanë servirur për vizitorët produktet e tyre bio. Disa prej komunave që kanë pasur përfaqësues në këtë aktivitet kanë qënë Komuna Voskopojë, Komuna Drenovë, Komuna Bulgarec, Komuna e Prespës etj., të cilët kanë promovuar artikujt e tyre tradicionalë.
Ajo që binte në sy në këtë aktivitet, ishin punimet me dorë të zonjave, si qëndisma, qilima dhe veshje karakteristike këto të zonës së Korçës. Përfaqësueja e tendës “Artizanët e kolonjës” Mira Kolami ka thënë për ATSH-në se interesi i qytetarëve për të vizituar tendën e për tu njohur me kulturën dhe traditën e kësaj zone ka qënë i madh, madje edhe shitjet kanë qënë të kënaqshme është shprehur ajo.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe përfaqësuesi i “Mjaltit Morava”, Gëzim Skerma, i cili shprehet se ka mbetur mjaft i kënaqur nga interesi që kanë treguar vizitorët, për të provuar produktet, që firma e tij ofron për konsumatorët.

Ndërkohë që një pjesë e tendave, përfaqësuese të komunave të ndryshme të qarkut të Korçës, promovonin në këtë panair produkte ushqimore lokale të përgatitura nga amvisat e këtyre zonave.

Ky panair, përveç promovimit të traditës korçare tradicionale dhe kulturore, ka pasur për qëllim edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndarjes së eksperiencave dhe përvojave midis dy shteteve kufitare, Shqipërisë dhe Greqisë.
Projekti gjithashtu ka ardhur edhe si nevojë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, i cili ndihmon në rritjen e standartit të jetesës të komuniteteve lokale të zonës dhe nëpërmjet përmirësimit të cilësisë të turizmit.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate