22 ottobre 2013

“Apolonia gati për vizitorët, shkarjet fatkeqësi natyrore”

 Martë, 22 Tetor, 2013 | 13:36 pm
Bashkim Lahi tregon masat e marra në teatrin antik.

“Rreth 800 m3 dhé kishin mbuluar gjysmën e orkestrës pas shirave të dhjetorit 2012”
Teatri antik i Apolonisë
Bashkim Lahi tregon masat e marra në 
Rreth një vit më parë, në periudhën e shirave, në Teatrin Antik të Apolonisë ndodhi një shkarje e rëndë dherash, që shkaktoi jo pak probleme.  Faji iu ngarkua ekspeditës shqiptaro-gjermane që punonte në atë zonë. U kërkua ekspertiza e specialistëve gjermanë, për të kaluar më pas në masa konkrete konservuese. Tashmë punimet kanë përfunduar. Ato u bashkëdrejtuan nga specialistët Gregor Doehner dhe Bashkim Lahi. Ky i fundit tregon mbi ndërhyrjet, por edhe akuzat që iu bënë ekspeditës së drejtuar nga vetë ai. 
Prof. Lahi, keni drejtuar projektin konservues në Teatrin Antik të Apolonisë. Në ç’fazë janë punimet?

Arkeologu Bashkim Lahi
Në dhjetor të vitit 2012, në pjesën jugore të kaveas, vendndenja e spektatorëve, pati rrëshqitje të mëdha të dherave, që u shoqërua me destabilizim të shpatit jugor të kodrës të teatrit antik. Situata ishte mjaft kritike. Ministri i Kulturës i asaj kohe, z. Bumçi, organizoi një takim urgjent pune dhe la detyrë që brenda vitit 2013 ekipi shqiptaro-gjerman, që punon në zonën e teatrit, të merrte masat e nevojshme për konservimin e zonës së dëmtuar. Financimi do të përballohej nga ekipi ynë dhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas konsultave me specialistë të ndryshëm shqiptarë dhe gjermanë, ne përgatitëm një projekt dhe një program pune, i cili u aprovua në fillim të pranverës së vitit 2013. Faza e parë e punimeve u realizua në muajt qershor-korrik 2013, ndërsa faza e dytë dhe përfundimtare u zbatua në periudhën shtator-tetor 2013, pra gjithsej rreth 4 muaj punë konservuese në terren.
Si shkaktare e rrëshqitjes është “akuzuar” ekspedita arkeologjike shqiptaro-gjermane, e drejtuar nga ju, që ka gërmuar në këtë zonë. Cila është e vërteta?

Para punimeve në teatrin e Apolonisë
Përpara se të dilej në përfundime, duheshin pritur ekspertizat. Dihej se rrëshqitjet e dherave janë fenomen i vazhdueshëm në këtë zonë, së paku nga vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Dihej gjithashtu se ne nuk kishim bërë gërmim arkeologjik në zonën në fjalë. Me shumë keqardhje më duhet të them se informacioni i parafabrikuar dhe i përhapur gjithandej nuk kishte për qëllim mbrojtjen e monumentit, por përbaltjen e punës shumë serioze dhe rezultative të ekipit tonë, duke shfrytëzuar për këtë një fatkeqësi natyrore. Unë shpresoj se Ministria e Kulturës do ta analizojë këtë rast dhe të vejë para përgjegjësisë autorët e këtij inskenimi, që janë punonjës të saj. Vërtet që ne nuk jemi prononcuar në media, por kjo nuk është rastësi. Një punonjës shkencor nuk mund të prononcohet, aq më shumë në publik, sa kohë që nuk ka prova shkencore. 
Atëherë kush ishte shkaku?
Në atë kohë ne dyshonim për fatkeqësi natyrore, dyshonim se kishim të bënim me pasoja që vinin nga rrjedhja e ujërave nëntoksore, por sidoqoftë nuk ishim shumë të qartë. Tani po! Gjatë punimeve të muajit qershor-korrik ne zbuluam një kanal antik drenazhimi nën dhé, i cili dëshmon se, rrjedhja e ujërave nëntokësorë dhe rrëshqitja e dherave, si pasojë e tyre, duhet të ketë qenë një problem i njohur dhe shqetësues që në kohën e ndërtimit të teatrit antik. Teatri u braktis dhe doli jashtë funksionit diku nga mesi i shek. III pas Krishtit dhe, bashkë me të, edhe kanali drenazhues. Në Mesjetë u grabitën ndenjëset prej guri të teatrit, ndaj ujërat sipërfaqësor mund të depërtonin lirshëm në thellësi të tokës, duke iu shtuar rrjedhjeve nëntokësore. Në këto rrethana, zona mbeti në mëshirë të fatit. Ujërat nëntokësore ishin të lira të lëviznin si të donin dhe nga të donin, duke shkaktuar, sipas rasteve, rrëshqitje dherash. Kuptohet se intensiteti i rrjedhjes së ujërave nëntokësorë dhe sipërfaqësorë dhe ai i rrëshqitjes së dherave kushtëzohen nga densiteti i reshjeve. Siç dihet, në vjeshtë të vitit 2012 ka pasur shumë shira, çka është shoqëruar me pasojat që dimë. Rrëshqitjet e vitit 2012 ishin fatkeqësi natyrore, kundrejt së cilës arkeologët nuk mund të bënin asgjë. Sot situata ka ndryshuar, mbasi ne dimë vendin nga rrjedhin ujërat nëntokësorë dhe pasojat që sjell lëvizja e tyre e lirë.
Cilat janë ndërhyrjet që janë bërë për të anashkaluar përsëritjen e këtij problemi?

Pas punimeve në teatrin e Apolonisë
Së pari më duhet të them se ky ishte një projekt mjaft i vështirë dhe me shumë sfida. Puna e parë ishte pastrimi i zonës nga dherat e rrëshqitura, gjithsej rreth 800 m3 dhé, që kishin mbërritur deri në gjysmën e orkestrës. Punimet shkuan deri 1 m poshtë kanalit antik të drenazhit, pra deri në planin e rrëshqitjes, rreth 3 m thellësi. Paralel me këto punime u bënë dhe disa shpime me sonda nga firma shqiptare “Altea & Geostudio 2000”, rezultatet e të cilave u analizuan në Universitetin e Darmstadt-it, Gjermani. Më pas filloi mbushja me çakëll – rreth 400 m3- me argjilë, me shtresë humusore, si dhe me një mbulesë të gjelbërt. Tani pjesa e konservuar duket si një masë monolite dhe mjaft e qëndrueshme. Ndërkohë, kemi marrë masa dhe për rrjedhjen e ujërave që mund të grumbullohen në zonën e orkestrës, të cilat do të rrjedhin jashtë teatrit, përmes një sistemi tubash, të vendosur rreth 2 m thellësi. Me masat e marra, ne kemi konservuar zonën e dëmtuar dhe ndërkohë kemi përgatitur teatrin për vizitorët e interesuar. Ne besojmë se tani situata është përmirësuar dhe nuk do të ketë më rrëshqitje dherash. Sidoqoftë, duhet të presim vitin-provë, pra të shohim se si do të reagojë mbushja me çakëll ndaj ujërave nëntokësorë dhe atyre sipërfaqësore, që priten në vjeshtë të këtij viti dhe gjatë dimrit të vitit 2014.
Thatë se kishte edhe mjaft vështirësi, apo jo?
Ne ishim të detyruar që të gjitha punimet t’i realizonim në kohë të thatë, pa ardhur sezoni i shirave. Specialistë gjeodetë na e bënë të qartë se, nëse punimet shtyhen apo nuk përfundojnë deri në fund të tetorit/fillim i nëntorit 2013, koha kur fillon sezoni i shirave, atëherë mund të kishte rrëshqitje të reja dherash, me pasoja shkatërruese për gjithë teatrin. Kështu, brenda një kohe shumë të shkurtër duhej përpiluar projekti si dhe duhen gjetur financimi dhe specialistët e nevojshëm. Siç mund të kuptohet, vështirësia më e madhe qëndronte te gjetja e burimeve financiare, mbasi bëhej fjalë për shpenzime të konsiderueshme dhe të paparashikuara si për palën gjermane, ashtu dhe për palën shqiptare. Për fat të keq, pala shqiptare nuk arriti të plotësojë detyrimin e saj, siç premtoi ministri Bumçi. Sidoqoftë, pala gjermane arriti të gjejë financimin e nevojshëm, duke mbuluar edhe pjesën shqiptare, dhe për këtë ndihem shumë mirënjohës ndaj prof. dr. Henner von Hesberg, bashkëdrejtuesi gjerman i këtij projekti, i cili arriti të zgjidhë këtë problem në një kohë shumë të shkurtër, me ndihmën e Institutit Arkeologjik Gjerman, Berlin dhe atë në Romë.
Kush do të përkujdeset për teatrin pas largimit tuaj?
Tani teatri është gati për t’u vizituar nga turistët, shqiptarë apo të huaj. Ne si arkeologë e kemi përfunduar punën tonë. Tani e ka radhën Parku Arkeologjik, i cili duhet të kujdeset ndaj këtij monumenti të rrallë. Për momentin do të këshilloja të kenë kujdes sidomos në zonën e gjelbërt, mbasi bari dhe bimët e mbjella nga ne, me qellim forcimin e strukturës humusore, janë akoma të reja dhe nuk e kanë forcuar sistemin e tyre rrënjor. Mbulesa e gjelbërt kërkon ca kohë që të zhvillohet. Ka rrezik që kafshët e shumta që kullosin aty – për fat të keq, kështu është situata – të dëmtojnë mbulesën e gjelbërt dhe për pasojë reshjet e vjeshtës të shpërlanin dherat e shpatit të kodrës. Kjo do të kishte pasoja të rënda për vetë stabilitetin e zonës së konservuar.


MAJLINDA RAMA
http://www.panorama.com.al/2013/10/22/apolonia-gati-per-vizitoret-shkarjet-fatkeqesi-natyrore/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate