11 luglio 2012

Renato Mekolli , shqiptari që gatuan për kryeministrin grek, Sapo është kthyer nga një udhëtim në Jug të vendit dhe duket i relaksuar nga këto pushime rrefehet..

TIRANE  11 Korrik 2012 - 13:05- Renato Mekolli është padyshim një ndër ata shqiptarë që na bëjnë të ndihemi krenarë për vlerat që përçojnë. I riu nga Fieri, që prej vitesh jeton bashkë me familjen në Greqi, është shpallur këtë fillim vere “Shefi më i mirë i kuzhinës greke” për vitin 2012 nga rrjeti social Twitter dhe jo vetëm kaq. Ka fituar përtë tretin vit radhazi ‘Kapelen e artë’, çka e ka renditur atë në 10 shefat më të mirë të kuzhinës greke, pas një gare me 300 të tillë në të gjithë Greqinë. U takuam me të gjatë ditës së djeshme, ndërsa ishte ulur së bashku me një grup miqsh në një kafene në zonën e Bllokut. Sapo është kthyer nga një udhëtim në Jug të vendit dhe duket i relaksuar nga këto pushime, megjithëse siç na pohon vetë edhe këtë fundjavë do ta kalojë sërish atje, për t’u nisur pastaj drejt Greqisë, ku e pret pjesa e dytë e pushimeve. Di të flasë e të shkruajë shumë mirë shqip, ndonëse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në tokën helene, e për më tepër edhe është shkolluar atje. Është i thjeshtë dhe i dashur me njerëzit. Në bisedën e çiltër që zhvilluam për suplementin, Renato na tregoi fillimet e tij në kuzhinë, ndërsa ishte i punësuar si pjatalarës. Si i ra në sy shefit francez dhe çfarë i tha ai kur e thërriti në zyrë. Mëdyshja për të vazhduar ose jo një shkollë për kuzhinë. Krenaria që i jep “Kapelja e artë” dhe xhelozia e kolegëve grekë. Klientët VIP në restorantin ku punon dhe pse nuk gatuan asnjëherë në shtëpi. Renato Mekolli rrëfen në “Summer Pages” çelësin e suksesit në punën e tij, që është pikërisht devotshmëria Po për të mësuar më shumë rreth jetës dhe pasioneve të ‘gjeniut shqiptar të kuzhinës’ ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme.
Renato si ndodhi që u shpallët fitues i ‘Kapeles së artë’?
Ky konkurs është tashmë traditë në Greqi. Ka plot 20 vite që realizohet dhe është një ndër eventet më të komentuara të vitit. Konkursi realizohet nga media. Janë gazetarët ata që vlerësojnë. Pra, gazetarët vijnë në restorant dhe në bazë të asaj që provojnë, shkruajnë artikullin e radhës. Nëse diçka nuk u pëlqen e imagjinoni vetë se çfarë mund të ndodhë. Po shyqyr Zotit, mua deri tani nuk më ka ndodhur asgjë e keqe, të gjithë kanë shkruajtur mirë. U bënë tre vite që marr çmimin mes shefave më të mirë të kuzhinës.
Në provim marrin pjesë 250 - 300 shefa kuzhine, prej të cilëve në finale mbërrijnë vetëm 10, të gjithë finalistët marrin çmimin “Kapelen e artë”. Unë jam i vetmi shqiptar që marr këtë çmim.

Pse jehona e çmimit arriti vetëm këtë vit në Shqipëri?
Ndoshta për shkak të disa publikimeve në mediat ndërkombëtare, siç ishte dhe shkrimi në gazetën “New York Times”.
“New York Times”?
Renato Mekolli, shqiptari që gatuan për kryeministrin grek
Po, shkruajtën edhe ata për gatimin tim, erdhën dhe hëngrën, si kritikues edhe ata. Gazetari Franko Bruni ishte ai që e realizoi shkrimin. Ndoshta për jehonën e çmimit mund të ketë ndikuar edhe fakti që u zgjodha si shefi më i preferuar nga rrjeti social Twitter i Athinës.
Kur emigruat në Greqi?
Emigrova në vitin 1996.
Cila ishte puna e parë që bëtë?
Si fillim punova si pjatalarës. Puna e parë erdhi si pasojë e problemeve ekonomike. Kur mbaroja punën time si pjatalarës, ndihmoja edhe kuzhinën brenda. Shefat dhe i gjithë personeli shikonin që punoja, interesohesha. Nuk është se punoja me mendimin që një ditë të bëhesha kuzhinier i madh, doja thjesht që të fitoja ca para më shumë për të nxjerrë shkollën time dhe pastaj të studioja për atë që do të më pëlqente, se isha në moshë të vogël akoma.
Po si ndodhi atëherë që u bëtë kuzhinier?
Një ditë të bukur më thërret në zyrë kuzhinieri francez. Unë me veten time mendoja për ndonjë gabim që mund të kisha bërë, me idenë që do të më tërhiqte vëmendje, por jo. “Ti Renato duhet të mbarosh një shkollë kuzhine, do të të çoj unë në një shkollë private se e shoh që e ke pasion. Ajo që shikoj tek ti është e papërshkrueshme. Shumë kuzhinierë vijnë këtu, por asnjëri prej tyre nuk e do këtë punë saç e do ti”, - më tha francezi. Unë me thënë të drejtën nuk është se shquhesha për ndonjë dashuri të madhe për kuzhinën dhe në fillim u çudita pak. Ajo që mund të them është se gjithmonë jam përpjekur, që sa herë merrja diçka përsipër, ta kryeja me përpiktmëri, të jepja maksimumin. Nejse, përgjigja ime e parë ishte jo, kjo për shkak të çmimit të shtrenjtë që kishte shkolla. Kushtonte diçka tek 10 mijë euro me lekët e sotme, ishte shumë e shtrenjtë dhe kushtet ekonomike ishin të vështira. I thashë që nuk do mundem ta shlyej, por këmbëngulja e tij ishte e madhe, ‘do shkosh’ - më tha, - ‘do të të ndihmoj edhe unë’. E diskutova me prindërit e mi këtë pjesë, dhe ata më mbështetën, më thanë ‘nëse ti e do këtë shkollë bëje, mos mendo gjatë për pjesën ekonomike’. Vajta, vazhdova shkollën, punova dhe si kuzhinier në restorant.
Vazhduat të punonit në po atë restorant?
Po, në fakt isha edhe pak me fat sepse ai restorant ishte dhe është akoma një nga restorantet më të mira të të gjithë Greqisë. Pastaj avash - avash më mori rryma, kalova nga të gjitha kuzhinat, e ftohtë, e ngrohtë, nga pastiçeria, lloj - lloj gatimesh, ndryshova edhe restorant pastaj. Fillova të merrja përsipër restorante të rëndësishëm, si “Emporio Armani” në Athinë. Tani jam tek restoranti historik i Athinës, i cili ka 90 vjet histori.
Na tregoni pak për klientelën që vjen në restorantin tuaj?
Kam kaluar personalitete të larta si Sofia Loren, Maria Kalas, e shumë njerëz të tjerë të njohur.
Ndonjë recetë të veçantë keni përgatitur për ta?
Nuk ka pasur receta speciale për askënd. Kush ka ardhur në restorant ka shijuar ato ushqime që përmban menuja.
Ndonjë mbresë speciale nga personazhet VIP?
Ka pasur shumë dhe të gjitha kanë qenë speciale, por ajo që më ka pëlqyer ka qenë fraza që më ka thënë këngëtarja më e famshme e Jazz-it Dee Dee Bridgewater, e cila erdhi në kuzhinë dhe tha: “Ti nuk je thjesht një kuzhinier, ti je një piktor i veçantë sepse pjatat e tua nuk kanë vetëm shije, kanë edhe piktura”. Kjo më ka bërë shumë përshtypje dhe fakti që një personazh i famshëm u ngrit nga tavolina, hyri brenda në kuzhinë dhe më dha dorën, m’u përul dhe më shprehu konsideratën e saj. Ishte vërtet diçka shumë e veçantë.
Po nga politika greke?
Po, kam klientë Antonis Samaras, Kostas Karamanlis dhe shumë politikanë të tjerë, aktorë e këngëtarë të njohur në Greqi.
Po ndonjë shqiptar?
Kanë ardhur shqiptarë, por jo nga Shqipëria. Kanë ardhur shqiptarë, të cilët jetojnë në Greqi që janë shumë të zotë në punët e tyre.
Çfarë kuzhinë preferojnë më shumë klientët?
Mua personalisht më pëlqen më shumë kuzhina mesdhetare, kurse të huajve që vijnë në restorant u pëlqen më shumë kuzhina greke, të cilët unë e kam bërë më moderne, më me klas, më me shije. E kam bërë shumë të veçantë. Gjithsesi unë vetë, si Renato, nëse do të merrja tani një restorant përsipër, do të bëja diçka krejt të re, ku do të dominonte kuzhina mesdhetare.
Keni menduar ndonjëherë të hapni një restorant tuajin?
Për momentin jo, megjithëse shpesh herë më kalon si mendim.
Po në Shqipëri, keni menduar të bëni diçka? E keni menduar ndonjëherë kthimin?
Nuk e kam menduar që të kthehem, ndonëse kam pasur shumë oferta nga Shqipëria, por nuk kemi rënë dakord rrugës, për shumë gjëra. Nuk dua të marr diçka përsipër përderisa s’do të mbetem i kënaqur.
Cilat kanë qenë reagimet e kolegëve grekë kur ju jeni vlerësuar me këto çmime, pasi siç dihet nuk është se na duan edhe aq shumë?
E vërteta është që nuk e kanë me qejf të shikojnë një shqiptar që merr çmime radhazi, për të cilin shkruajnë gazeta prestigjioze si “New York Times”, të cilin mediat greke e cilëson si ambasador të kuzhinës së tyre. Reagimet shpesh herë nuk kanë qenë edhe aq të mira, por nga miqtë dhe shokët e mi kolegë kam marrë vetëm vlerësime. Deri tani kemi një marrëdhënie shumë të mirë, kemi shkëmbim eksperiencash, i japim ide njëri - tjetrit dhe shpesh herë shkojmë për të ngrënë bashkë në restorante të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.
Domethënë, ju shkoni për t’i vizituar rivalët?
Po dhe jam gjithmonë me një bllok me vete, për të marrë ide të reja, të cilat mund t’i përdor në sezonin e ri që fillon në shtator.
Keni marrë ndonjë ide nga Shqipëria?
Kam marrë plot dhe do t’i sjell në shtator. Është pak e vështirë në fakt sepse unë kam marrë përsipër një restorant që lidhet me shumë me Greqinë, me traditën, por gjithsesi do sjell disa elementë shqiptarë në recetat e reja.
Na e përshkruani pak një ditë tuajën në Greqi?
Jam gjithë ditën në vrap ose nga puna ose nga shkrimet që duhet të mbyll për revistat greke, receta të ndryshme që sugjeroj. Kur kam kohë, tani gjatë verës merrem me volley, tenis, kinema, not, bowling. Ndërsa në dimër merrem shumë me palestrën, ndonjë kafe me shoqërinë time dhe pjesa e mbetur gjatë ditës i takon punës.
E frekuentoni jetën e natës?
Po shumë. Gjatë ditëve që jam i lirë më pëlqen të dal darkave.
Po i dashuruar a është Renato?
Gjithmonë jam i dashuruar.
E dashura është greke, apo shqiptare?
Nuk dua të bëj shumë komente për këtë pjesë.
A gatuani ndonjëherë në shtëpi?
Jo, edhe kjo më duhet (qesh). Në shtëpi më pëlqen të shijoj ushqimet që gatuan nëna ime, boll gatuaj unë për gjithë dynjanë, të gatuaj edhe për vete (qesh). Mund të gatuaj shumë rrallë, kur të afërm të familjes vijnë enkas për të provuar ushqimet e mia.
Çfarë keni si specialitet?
Unë personalisht i bëj të gjitha, bukën, makaronat, ëmbëlsirat, akulloren, çdo gjë unë e bëj vetë. Gjë që besoj se u ka bërë përshtypje edhe gazetarëve, kritikuesve kur më kanë vlerësuar. Është e rrallë që një restorant t’i ofrojë vetë të gjitha ushqimet.
Do vazhdoni të qëndroni në po të njëjtin restorant?
Po. Mbylla kontratën e re para se të vija me pushime, rroga më është rritur dhe jam shumë i kënaqur. Nuk gjeta ndonjë arsye për t’u larguar, pavarësisht se kisha oferta të shumta nga restorantet e tjera.
Sa e ndjen krizën ekonomike Renato?
Shyqyr Zotit, deri tani nuk e kam ndjerë.
Për pushime, veç Dhërmiut që na treguat do të ketë një destinacion tjetër?
Po, muajin gusht do ta kaloj në ishujt e Greqisë, së bashku me miqtë që kam atje.(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)



Në një ambient të ngrohtë në sallën e Grande Bretagne Hotel hapi të hënën në mbrëmje siparin eventi i përvitshëm që mbahet në Greqi për Kuzhinierin më të Mirë. Eventi i njohur me emrin Kapelja e Arte 2012 kurorëzoi 30-vjecarin nga Shqipëria, Renato Mekolli me një prej Kapeleve të Arta për këtë vit.
Ky nuk është çmimi i parë për të riun shqiptar por i treti radhazi për Mekollin. Menjëherë pas çmimit, Mekolli deklaroi se ndjehet “shumë mirë që s’e mohova vendin tim, duke ditur që mund të kishte edhe pasoja në karrierën time si chef kuzhine”. “Gjëja më e bukur për mua është që jam shqiptar, një shqiptar shume i vogël pothuajse i padukshëm në Greqi, por që gazetarët interesohen per gatimin tim dhe grekët sa hërë që ndryshon diçka tek mua, qoftë restoranti, qoftë menyja, restoranti do jetë sold out”, tha Mekolli.
Eventi u zhvillua pas përzgjedhjes nga 200 shefat më të mirë të Kuzhinës greke, per të arritur në këtë finale ku garonin 20 më të mirët e kuzhinës në shtetin fqinj. I riu nga Shqipëria ka qenë epiqendër edhe e shtypit ndërkombëtar, New York Times dhe media të ndryshme ndër vite i kane kushtuar vëmendje Top Chef-it të Kuzhinës Greke. Renato, si çdo emigrant shqiptar, që në moshë të vogël e nisi karrirën në Greqi si pjatalarës por shumë shpejt talenti dhe kreativiteti do ta bente një emër të njohur jo vetëm në disa prej resoranteve luksoze te Athinës por edhe të mbarë Greqisë.
I lindur në 19 nëntor 1982, Renato Mekolli, aktualisht punon për një prej restoranteve mjaft luksoz në Athine të quajtur Vassilenas. Mekolli i bashkëngjitet kështu listës së madhe të shqiptarëve të suksesshëm në mbarë botën që falë talentit dhe aftësive të tyre përkëdhelin ndjenjën e madhe të çdo shqiptari sa herë që rreth tyre shkruhet “Jam nga Shqipëria”.

GREQI - 40 fëmijë, banorë të institucionit Buzeqeshja e Fëmijës, kanë qenë sot për drekë tek Renato Mekolli, pak ditë para pushimeve të verës. Ishte ideja e vetë chef-it shqiptar me banim në Athinë organizimi i kësaj dreke, e cila u gatua pak nga Renato dhe shumë prej tyre. Kurështja e miqve të rinj të guzhinës së një prej restoranteve më të famshëm në Greqi ishte evidente, sidomos për biskotat me çokollatë. "Gatuam makarona, qofte, çokollata dhe biskota", tha Renatoja për Hermesnews. "Vendimin e mora meqë vendi po kalon një krizë të rëndë dhe kjo gjë më trishtonte sepse shikoja prindër që lypnin rrugëve. Kjo ishte arsyeja që më shtyu të bëja këtë tavolinë për fëmijët", tha ai. Në fakt ideja e tavolinës me fëmijët ishte krejt origjinale, sepse në kontratë, siç tha Renatoja, parashikohej që drekën e fundit, chefi shqiptar t'ia shtronte vipave, por ja që mbase këtë herë, dreka e fundit para pushimeve verore, për Renaton duhet të ketë qenë më e vërtetë, në bujarinë e tij dhe sinqeritetin e të vegjëlve. "Kam patur momente që më janë mbushur sytë me lot", pohoi Renatoja, çfarë la të kuptohej që orët me ta, me siguri që do të jenë për të, kujtime të freskëta në ditët e e një vere përvëluese.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate