
Objektet
Mjaft prej tyre ruhen në gjendjen në të cilën janë gjetur. E tillë është edhe Kalaja e Trajanit, e cila është shpallur monument kulture në vitin 1963. Kjo kala ndodhet në verilindje të fshatit Tren në zonën e Devollit dhe është kalaja më e madhe e periudhës së parë të Hekurit në vendin tonë. Ajo ngrihet mbi një kreshtë malore të lartë 1245 m mbi nivelin e detit. Pjesa jugperëndimore e saj vjen e butë, derisa ngjitet në zonën më të lartë që ka formën e një platforme të sheshtë të përshtatshme për banim, ndërsa pjesa veri dhe verilindore është krejtësisht shkëmbore dhe bie pingulthi mbi liqenin e Prespës së Vogël. Kalaja e Trajanit ndahet në pesë pjesë prej mureve që e rrethojnë. Rrethime të plota në fakt, sipas studimit të bërë, formojnë murin e poshtëm dhe ai më i sipërm. Dy muret e tjera, kryesisht me lidhje të thatë, mbeten të hapura brenda sipërfaqes së kalasë. Nga materialet e gjetura në kala dhe në afërsi të saj rezulton se kalaja ka qenë banuar në pjesën e parë të epokës së Hekurit. Në periudhën e dytë të Hekurit vendbanimi u braktis për tu zhvendosur 1 km më tej në perëndim në kodrat e Goricës. Në kohën e vonë antike Kalaja e Trajanit u rifortifikua, por vetëm në pjesën e sipërme të saj. Madje perandorët romakë kalonin më shumë kohë në qytetet kufitare, se sa në pallatet e tyre në Romë. Midis tyre kishte burra të shquar, një prej të cilëve ishte Perandori Trajan. Ai jetoi njëqind vjet pas Krishtit dhe shumë kohë pas vdekjes së tij njerëzit vazhdonin ta mbanin në gojë për drejtësinë dhe mirësinë e tij… Trajani nuk udhëhoqi vetëm ekspedita ushtarake. Prej emrit të tij mendohet që ta ketë marrë emrin jo vetëm Kalaja (e Trajanit), por edhe vendbanimi i lashtë historik i Devollit i quajtur Tren që është i populluar edhe sot. Në përgjithësi në periudhën e pushtimit romak në të gjithë këtë zonë ka patur një zgjerim shumë të madh të qendrave të banuara të fortifikuara e të pa fortifikuara. Përveç shpellës së Trenit, Ventrokut dhe Kalasë së Trajanit, e cila tani forcohet me mure të ndërtuara me llaç, të banuara kanë qenë arat në fund të fshatit Tren, Gorica dhe Pavliqi, ku janë bërë gjetje me vlera të mëdha shkencore. Në këtë qark monumentet e kulturës janë lënë në mëshirën e fatit mjafton që ju mund t'ju kujtojmë një kullë 5 katëshe 300-vjeçare në fshatin Dërdushë unikale në llojin e saj, e cila është rrënuar krejt apo urën e Llëngës pjesë e rrugës Egnatia e shembur me dinamit nga persona të panjohur që kërkojnë thesare arti nëpër këmbët e këtyre urave apo kalave të lashta.
Nga: BARDHYL BERBERI
(er.nu/GSH/BalkanWeb)
Nessun commento:
Posta un commento